HUTBEJA PËR GËRDECIN Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
 
Besimtarë të nderuar!
Çka do që ndodhë në këtë botë dhe në këtë gjithësi padyshim se është në përputhje me ligjin e Allahut, ligj i cili nuk ndryshohet nga asnjë indikacion i jashtëm. Allahu i Madhëruar ka thënë:
"Thuaj: Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga All-llahu; Ai është ndihmëtar yni". Prandaj, vetëm All-llahut le t'i mbështeten besimtarët". (et-Teube, 51)
"Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër - Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për All-llahun është lehtë". (el-Hadid, 22)

Këtë gjë shumë bukur e ka sqaruar edhe Muhammedi, alejhi’s selam kur thotë se:
"Gjënë e parë që Allahu e krijoi ishte lapsi, të cilit i tha: Shkruaj! E çka të shkruaj? - e pyeti. Shkruaj caktimet e çdo gjëje deri në kiamet! - e urdhëroi Allahu". (Transmeton Ebu Davudi ndërsa hadithi është autentik)

Të nderuar vëllezër!
Meqë puna qenka kështu, pra asgjë pa dijen dhe lejen e Allahut nuk ndodhë, atëherë duhet ta dimë se Allahu, bazuar në këtë parim, njerëzimit nuk ua dëshiron të keqen; Allahu vetëm sprovon për të dalluar të fortin nga i ligu, të sinqertin nga hipokriti, e kështu me radhë.  Madje sprova, në rrafshin fetar, nuk është vetëm me gjëra të hidhura, ajo mund të jetë edhe me gjëra të këndshme e të dashura për njeriun, si: pasuria, dëfrimi, etj. Thotë Allahu:

"...Ne i provuam me të mira e me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen nga e keqja". (el-A’rafe, 168)

"...e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne". (el-Enbija, 35)

Ka thënë Ibni Abbasi: Iu sprovojmë me vështirësi (fatkeqësi) e lumturi, me shëndet e sëmundje, pasuri e varfëri, hallall e haram, respekt e kundërshtim, udhëzim e humbje.

Xhematlinj të respektuar!
Tragjedia e 15 marsit në Gërdec, sa na ka shkaktuar dhimbje e pikëllime, po aq na ka dhënë këshilla e mësime. Vdekja e atyre njerëzve të pafajshëm, shkatërrimi dhe demolimi i atyre shtëpive modeste, shkatërrimi i burimit të jetesës për shumë familje të Gërdecit, për ne, kosovarët, shtetasit e shtetit më të ri në botë, ka lënë gjurmë të pashlyera, ngase përkrahjen morale e edhe materiale që e kemi patur nga shteti ynë amë, Shqipëria, nuk mund ta kthejmë me asgjë. Jo vetëm kaq, në kohën kur populli ynë u masakrua, në kohën kur shtëpitë tona u shkatërruan, jo nga fatkeqësitë natyrore por nga barbaritë e mizoritë serbosllave, Shqipëria ishte shtëpia jonë e madhe ku të gjithë gjetëm vend. Nuk harrohen dot ato mikpritje që na i bënë ata vëllezër, nuk shlyhen dot kujtimet e solidaritetit të paparë prej tyre në këto treva, nuk anashkalohen bamirësitë që na i bënë në kohën e më së shumti kishin nevojë. Këta ishin, të nderuar vëllezër, pikërisht këto viktima dhe pasoja të kësaj katastrofe.

Të nderuar muslimanë!
Kështu është ligji i Allahut. Sot je në hare, nesër në pikëllim. Sot je i lumtur, nesër i dëshpëruar. Sot je në paqe, nesër në luftë. Sot jeton mirë, nesër je në katastrofë. Allahu ka thënë:
"... Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t'u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t'i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët". (Ali Imran, 140)

Sa bukur ka thënë poeti:
Djaloshit patjetër se i duhen tetë gjera
dhe, doemos, këto do t’i ndodhin
gëzimi, brenga, bashkimi, ndarja
lehtësimi, vështirësia, sëmundja e pastaj shërimi

Vëllezër, nëse Allahu i ka sprovuar banorët e Gërdecit dhe ka kërkuar durim prej tyre, ta dini se edhe neve na ka sprovuar por jo për të duruar, kësaj radhe për t’u solidarizuar dhe për të shpreh sinqeritetin tonë për ndihmë dhe përkrahje morale e materiale për këto krijesa të pafajshme. Dhuroni, ndihmoni, përkrahni, solidarizohuni me ta ngase i keni vëllezër. Dijeni se Allahu e kërkon një gjë të tillë prej jush. Thotë Allahu:
"... dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit". (el-Kasas, 77)
"... dhe jepuni nga pasuria që ua ka dhënë All-llahu juve...". (en-Nur, 33)

Vëllezër!
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në shenjë solidarizimi me banorët e Gërdecit, të prekur nga kjo fatkeqësi, ka vendosur që këtë xhuma, që për ne paraqet një kongres popullor javor, t’ia kushtojë pikërisht kësaj ngjarjeje, andaj kush sa ka mundësi me mjete materiale le të solidarizohet me vëllezërit e tyre në Gërdec. Mos harroni se:
"... e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh". (Sebe’, 39)

Të nderuar vëllezër!
Ne nuk ngushëllojmë vëllezërit tanë me gjëra të kota. O muslimanë të Gërdecit! Ngushëllimi ynë për ju janë fjalët e Muhammedit, alejhi’s selam:
"E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt mirë për të. Nëse besimtarin e godet gëzimi, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) andaj edhe kjo i sjell dobi". (Muslimi)
 
Sedat G. ISLAMI
Sekretar në K.B.I.-Vushtrri
26.03.2008, e mërkurë
Vushtrri, Kosovë