|
RIJADU SALIHIN II Nga Imam Neveviu 351. Aisheja r.a. përsëri thotë: "Kurejshitët ishin tepër të shqetësuar për shkak të rastit të gruas nga fisi El-Mahzumi, e cila kishte vjedhur, e pastaj kishin thënë: " Kush do t'i flasë për këtë Pejgamberit s.a.v.s.?" Pastaj thanë: " Kush do të ketë guxim ta bëjë këtë përveç Usame ibnu Zejdit, i cili ishte i dashuri i Pejgamberit s.a.v.s". Usame shkoi te i Dërguari i All-llahut dhe i tregoi se ka ardhur të ndërmjetësojë për rastin e asaj gruaje. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ti po ndërmjetëson që të mos zbatohet një dënim prej dënimeve të All-llahut?" Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit në këmbë dhe filloi të flasë, ku përveç tjerash tha: "Ata të cilët ishin para jush pësuan për arsye se kur në mesin e tyre vidhte ndonjë fisnik (i pasur) e linin, nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte ndonjë i dobët (i varfër) e zbatonin mbi të dënimin! Betohem me All-llahun që sikur të vidhte Fatimeja, e bija e Muhammedit, unë sigurisht do t'ia preja dorën". (Muttefekun alejhi) 352. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka parë një pështymë (në tokë) në drejtim të Kibles dhe kjo gjë e nevrikosi aq shumë saqë kjo u vërejt në fytyrën e tij, u ngrit dhe e fshiu me dorën e vet, e pastaj tha: "Vërtet çdonjëri prej jush kur çohet për të falur namazin, atëherë është duke folur me Krijuesin e vet dhe Zoti i tij është në mes tij dhe Kibles, për atë nuk lejohet që askush prej jush të pështyjë në drejtim të Kibles, por mund të pështyjë në të majtë, apo nën këmbët e tij". Pastaj mori një skaj të mbulesës së tij dhe pështyu në të, e paloi njërën anë me tjetrën dhe tha: " Apo le të veprojë në këtë mënyrë". (Muttefekun alejhi) Sa i përket të pështymurit në të majtë apo nën këmbë, kjo ka të bëjë vetëm jashtë xhamisë. Ndërsa kur jemi në xhami, atëherë pështymja lejohet vetëm në faculetë, apo në ndonjë leckë tjetër. All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë: "Dhe bëhu më i afërt ndaj besimtarëve që të pasojnë!" (esh-Shuara:215) All-llahu xh.sh. thotë: "All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve dhe ndalon amoralitetin, neverinë dhe gjithçka që është krim dhe urrejtje. Ai ju këshillon të pranoni mësimin". (en-Nahl:90) 353. Ibni Umeri r.a. thotë: "Kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Imami (udhëheqësi - sunduesi) është bari (i popullit të vet) dhe do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari (rojtar) i pasurisë së zotëriut të vet dhe është përgjegjës për tufën e tij. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij". (Muttefekun alejhi) 354. Ebu Ja'la Ma'kil bin Jesar thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Atë rob që All-llahu e cakton për ruajtjen e një kopeje, dhe ai vdes duke tradhtuar kopenë e tij, All-llahu xh. sh. ia ndalon atij hyrjen në xhennet". (Muttefekun alejhi) Në një rivajet: "Duke mos u kujesur për te sipas këshillave të Tij, ai nuk do ta shijojë erën e Xhennetit". Në një rivajet të Muslimit thuhet: "Asnjë prijës, që është përgjegjës për çështjet e muslimanëve, dhe nuk mundohet për ta, dhe nuk i këshillon ata, ai nuk do të hyjë me ta në Xhennet". 355. Aisheja r.a. thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. në shtëpinë time duke thënë: "O All-llahu im, ai që udhëheq në ndonjë çështje ummetin tim dhe i mundon ata Ti mundoje atë, kurse ai që udhëheq në ndonjë çështje ummetin tim dhe sillet butë me ta Ti sillu butë me të". (Muslimi) 356. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Beni Israilët udhëhiqeshin nga pejgamberët, posa vdiste një pejgamber, menjëherë vinte në vend të tij tjetri. Pas meje nuk ka pejgamber tjetër. Por, do të ketë hulefa (pasardhës) të shumtë". Shokët i thanë: "O i Dërguar i All-llahut çka na urdhëron? Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Përmbusheni urdhrin e njërit pas tjetrit pastaj zbatoni të drejtat e tyre. Luteni All-llahun për halifen tuaj. Vërtet All-llahu do t'i pyesë për të gjitha ato gjëra për të cilat kanë qenë mbikëqyrës". (Muttefekun alejhi) 357. Nga Aidh ibni Amr tregohet se ka shkuar te Ubejdullah ibni Zijadi, dhe i ka thënë: "O biri im, unë e kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Vërtet bariu më i keq është 'hutameja' (që sillet vrazhdë e pa mëshirë me kopenë e vet), prandaj ruaju të mos bëhesh i tillë!" (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve." (en-Nahl:90) All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Dhe punoni me drejtësi, All-llahu njëmend i do të drejtët". (el-Huxhurat:9) 358. Nga Abdull-llah ibni Amr ibni El-Asi r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Njerëzit e drejtë te All-llahu do të jenë në minbera prej nurit (dritës): ata që ushtronin drejtësi në pushtetin e tyre, familjet e tyre dhe në detyrën që e morën në përgjegjësi". (Muslimi) 359. Nga Avf ibni Malik r.a. thuhet: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Udhëheqësit tuaj më të mirë janë ata që ju duan dhe i doni, dhe ata për të cilët ju luteni dhe ata luten për ju. Ndërsa udhëheqësit tuaj më të këqij janë ata të cilët ju i urreni dhe ata ju urrejnë si dhe ata të cilët ju i mallkoni dhe ata ju mallkojnë!" Avfi r.a. tha: "Atëherë ne i thamë: "O Pejgamber i All-llahut, a mos t'ju kundërvihemi?" Tha: "Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin. Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin". (Muslimi) 360. Ijad ibni Himar r.a. thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Banorë të Xhennetit janë tre persona: udhëheqësi i drejtë që u përmbahet këshillave, njeriu i mëshirshëm zemra e të cilit është e butë për çdo të afërm dhe për çdo musliman, si dhe njeriu i pastër e i ndershëm, i cili ka shumë fëmijë". (Muslimi) All-llahu i Madhëruar thotë: "O besimtarë, përuljuni All-llahut dhe përuljuni Pejgamberit, por edhe përfaqësuesve tuaj". (en-Nisa: 59) 361. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kush e heq dorën e vet nga dëgjueshmëria, do ta takojë All-llahun Ditën e Gjykimit, por nuk do të ketë argument mbrojtës. Kush vdes dhe në qafën e vet nuk ka besë të dhënë, vdes me vdekje xhahilijjeti". (Muslimi) Në një rivajet tjetër të Muslimit ky hadith thuhet kështu: "Kush vdes i ndarë nga xhemati, vdes me vdekje xhahilijjeti". 362. Ibni Abbasi r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush urren diçka nga prijësit e vet, le të durojë, sepse ai i cili largohet nga prijësi i vet vetëm për një pëllëmbë, do të vdes me vdekje xhahilijjeti". (Muttefekun alejhi) 363. Ebu Bekerete tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kush e nënçmon sulltanin, All-llahu do ta nënçmoj atë". (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen) Rreth kësaj teme ekzistojnë shumë hadithe, të cilat janë përmendur në kaptinat tjera. All-llahu i Madhëruar thotë: "Atë, botën tjetër, do t'ua japim atyre që nuk lakmojnë madhështinë në këtë botë, as s'duan çrregullime, se ardhmëria është e atyre që i frikësohen All-llahut". (el-Kasas: 83) 364. Nga Ebu Seid Abdurrahman bin Semura r.a. thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "O Abdurrahman, i biri i Semures mos kërko udhëheqjen (pushtetin). Nëse të jepet pa e kërkuar do të ndihmohesh në të, e nëse të jepet duke e kërkuar ngarkohesh me të (dhe vetë përgjigjesh). Nëse betohesh në diçka, por e sheh se tjetra është më e mirë se ajo për të cilën je betuar, atëherë bëre atë që është më e mirë, e për betimin tënd të dhënë më parë jep keffaret (i paraparë për betim)". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Atë ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve". (ez-Zuhruf:67) 365. Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre, r.anhuma, transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu nuk e ka dërguar asnjë pejgamber si dhe nuk e ka vendosur asnjë halife e që nuk ia ka dhënë dy shoqëri: Njëra shoqëri e udhëzon në punë të mira dhe e nxit në të mbara, ndërsa tjetra e udhëzon në punë të këqija dhe e nxit në të mbrapshta. I mbrojtur do të jetë ai që e ka mbrojturAll-llahun (duke i mbrojtur urdhërat e Tij)". (Buhariu) 366. Nga Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thuhet: "Hyra te Pejgamberi s.a.v.s. unë dhe dy kushërinjtë e mi, njëri prej tyre i tha: "O i Dërguari i All-llahut, më emëro udhëheqës në diç që të ka dhënë pushtet All-llahu në të". Tjetri tha të njëjtën gjë si i pari. Pejgamberi s.a.v.s. pastaj u tha: "Betohem në All-llahun se ne nuk vendosim në pozitat udhëheqëse (vali) asnjë person që e kërkon atë, ose atë që e lakmon pozitën". (Muttefekun alejhi) 367. Nga Imran bin Husejn r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Turpi sjell vetëm mirësi". (Muttefekun alejhi) Dhe në një rivajet tjetër të Muslimit thuhet: "Turpi në tërësi është mirësi (hajr)", ose ka thënë: "Turpi është krejt mirësi (hajr)". 368. Nga Ebu Hurejre r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Besimi (imani) është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e larta është fjala "La ilahe il-lall-llah" (nuk ka zot tjetër përveç All-llahut), ndërsa më e ulta është mënjanimi i ndonjë sendi nga rruga, që i pengon kalimtarët. Edhe turpi është degë e imanit". (Muttefekun alejhi) 369. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte edhe më i turpërueshëm se sa virgjëresha në gjerdekun e saj (dhomën e nusërisë). Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ne e hetonim këtë në fytyrën e tij". (Muttefekun alejhi) Thelbi i turpit, sipas mendimit të dijetarëve eminentë, është karakteri që e nxit njeriun që t'i braktisë të këqijat dhe që e shtyen t'ia japë të drejtën që i takon secilit person. Ndërsa Ebul Kasim El-Xhunejdi r.a. duke e përshkruar turpin thotë: "Turpi është të pamurit e shenjave të All-llahut dmth. shenjat e begative të Tij dhe të pamurit e mungesave të veta. Produkt i këtyre të dyjave është turpi". All-llahu i Madhëruar thotë: "Dhe përmbushni obligimet, sepse obligimet me siguri kanë përgjegjësi". (el-Isra:34) 370. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet njeriu më i keq te All-llahu në Ditën e Gjykimit është ai që i zbulon fshehtësitë e gruas së vet, e edhe ajo të tijat, dhe pastaj përhapen fshehtësitë". (Muslimi) 371. Nga Aisheja r.a. thuhet: "Një ditë ishim ne, gratë e Pejgamberit s.a.v.s. te ai, kur u duk Fatimeja r.a., që ecte plotësisht ashtu si ecte Pejgamberi s.a.v.s. Kur e pa Pejgamberi s.a.v.s. i dëshiroi mirëseardhje dhe tha: "Mirë se erdhe bija ime!" e pastaj ia bëri një vend dhe e uli pranë vetes në anën e djathtë apo të majtë, e pastaj i tregoi diçka fshehtas dhe ajo qau shumë. Kur Muhammedi s.a.v.s. e pa dëshpërimin e saj të madh, për të dytën herë përsëri fshehtas i tha diçka e pastaj ajo u gëzua dhe qeshi. Unë pastaj i thashë: "Ty të zgjodhi Pejgamberi s.a.v.s. në mesin tonë dhe të tregoi ndonjë fshehtësi!", dhe e pyeta: "Ç'të tha Pejgamberi s.a.v.s.?" Ajo m'u përgjigj: "Nuk mund t'i zbuloj fshehtësitë e të Dërguarit të All-llahut". Dhe pasi që Pejgamberi s.a.v.s. kishte ndërruar jetë, i thashë Fatimesë: "Të betohem në hakun tim te ti, që të më thuash tash se ç'të ka thënë i Dërguari i All-llahut, atëherë kur nuk dëshirove të më tregosh, pra më thuaj tash". H. Fatimeja më tha: "Po. Tash mund të të tregoj. Sa i përket herës së parë, kur më tregoi fshehtazi, më tha: "Për çdo vit Xhibrili një herë ose dy herë së bashku me të e lexon Kur'anin dhe në këtë moment dy herë më ka propozuar, unë mendoj se vdekja ime më është afruar, por ti kij frikë All-llahun dhe kij durim. Vërtet unë për ty jam paraardhës i mrekullueshëm". Për këtë unë kam qarë, ashtu si më ke vërejtur. Por, kur Pejgamberi s.a.v.s. e pa dëshpërimin tim të madh, atëherë për të dytën herë më pëshpëriti (më foli në vesh) dhe më tha: "O Fatime, a nuk je e kënaqur të jeshë prijëse (zonjë) e të gjitha grave besimtare, apo prijëse e grave të këtij ummeti?" Atëherë kam qeshur dhe jam gëzuar ashtu si më ke vërejtur vetë". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Dhe realizoni obligimet, sepse obligimet kanë me siguri përgjegjësi". (el-Isra:34) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe zbatoni obligimet e All-llahut për të cilat jeni ngarkuar". (en-Nahl:91) All-llahu xh.sh. thotë: "O besimtarë, zbatoni marrëveshjet!" (el-Maide:1) All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë: "O besimtarë, përse flisni atë që nuk e bëni. Tek All-llahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni". (es-Saff:2-3) 372. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton ndryshon dhe kur i besohet diçka tradhton". (Muttefekun alejhi) Në rivajetet e Muslimit shtohet: "Edhe nëse agjëron, falet dhe mendon se është musliman". 373. Nga Abdull-llah bin Amr ibn El-Asi r.anhuma transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Personi tek i cili gjenden këto katër (cilësi) është hipokrit i vërtetë, kurse ai, tek i cili gjendet një prej tyre, ai posedon cilësi të hipokrizisë, derisa nuk e flak atë: -kur i besohet diçka, tradhton; -kur flet, gënjen; -kur zotohet, mashtron -kur grindet, tërbohet". (Muttefekun alejhi) 374. Nga Xhabiri r.a.: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "Sikur të kishte ardhur pasuria e Bahrejnit, unë do ta kisha dhënë këtë, këtë dhe këtë". Mirëpo pasuria nga Bahrejni nuk erdhi, derisa Pejgamberi s.a.v.s. ndërroi jetë. Kur erdhi pasuria e Bahrejnit, Ebu Bekri urdhëroi që të kumtohet lajmi: "Kujt i ka premtuar Pejgamberi s.a.v.s. diçka, ose kujt i ka mbetur borxh, le të vijë te ne". Unë shkova te Ebu Bekri dhe i thashë: "Mua ma ka thënë i Dërguari i All-llahut këtë dhe këtë". Ebu Bekri i mori dy grushta plot nga ai thesar (pasuri), kur i numërova, ato ishin pesëqind. Ai më tha: "Merr dy herë aq!" (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Vërtet All-llahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli, derisa ai të mos e ndryshojë vetveten". (er-Ra'd:11) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe mos u bëni si ajo, e cila e prishi tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort". (en-Nahl:92) All-llahu xh.sh. prapë thotë: "Dhe të mos jeni sikur ata të cilëve qysh më herët u është dhënë Libri. Atyre u është zgjatur koha, andaj zemrat e tyre janë bërë të ashpra". (el-Hadid:16) All-llahu xh.sh. po ashtu thotë: "Mirëpo, ata nuk kujdesen për këtë si duhet". (el-Hadid:27) 375. Abdull-llah ibn Amr ibn As r.anhuma thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "O Abdull-llah, mos u bëj si filani, i cili natën e shndërroi në namaz e pastaj e la edhe namazin e natës". (Muttefekun alejhi) All-llahu xh.sh. thotë: "Bëhu i butë ndaj besimtarëve". (el-Hixhr:88) All-llahu i Madhëruar gjithashtu thotë: "Por, sikur të jeshë i ashpër dhe hijerëndë do të iknin prej rrethit tënd". (Ali Imran:159) 376. Ebu Dherri r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Asnjë punë të mirë mos e nënçmo, pra edhe atë që ta takosh mikun tënd me fytyrë të qeshur". (Muslimi) 377. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. kur e thoshte një fjali, ai e përsëriste nga tri herë derisa të kuptohej prej tij. Ndërsa kur vinte në mesin e njerëzve, përshëndette me selam deri në tri herë. (Buhariu) 378. Aisheja r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. në fjalimin e vet ishte i qartë dhe çdokush që e dëgjonte e kuptonte". (Ebu Davudi) 379. Xherir ibni Abdil-lahi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. në haxh-xhetul veda më ka thënë: "Kërko prej njerëzve që të të dëgjojnë". Pastaj tha: "Mos u ktheni pas meje në pabesimtarë (kuffarë), që njëri-tjetrit t'i mëshoni në qafë". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillime të mira". (en-Nahl:125) 380. Muavije ibn El-Hakem Es-Sulemi r.a. thotë: "Derisa unë isha duke u falur me Pejgamberin s.a.v.s. një njeri prej të pranishmëve teshëtiu dhe unë thashë: "Jerhamukell-llah" (All-llahu të mëshiroftë)! Njerëzit e pranishëm më shpuan me shikimet e tyre! Unë thashë me vete: "Medet për mua, nëna ime! Ç'keni, pse më shikoni?" Ata filluan t'i rrahin gjunjtë. Pasi i pashë se heshtën, unë më nuk bëra zë. Pasi që Pejgamberi s.a.v.s. u fal, - Betohem në prindët e mi se nuk kam parë këshillues më të mirë para dhe pas tij. Betohem në All-llahun se ai nuk më ka përqeshur, nuk më ka fyer e as nuk më ka qortuar - ai tha: "Në këtë lutje (namazi), nuk lejohet kurrfarë të folurit prej fjalëve të njerëzve. Në këtë lutje ushtrohet vetëm tesbihu, tekbiri si dhe leximi i Kur'anit, apo ashtu si ka thënë Pejgamberi" Unë pastaj thashë: "O i Dërguari i All-llahut, unë frik jam (ndarë) me xhahilijjetin, e All-llahu na e solli Islamin. Te ne ka njerëz të cilët shkojnë te fallxhorët!" Pejgamberi tha: "Po ti mos shko!" Unë pastaj i thashë: "Te ne ka njerëz të cilët qesin fall me shpezë!" Ai më tha: "Kjo është diç që ata e besojnë por ajo nuk do t'ua pret (të këqijat)". (Muslimi) 381. Irbad ibni Sarije r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. na mbajti një këshillë prej së cilës u dridhën zemrat dhe lotuan sytë". Ky hadith në tërësi është përmendur në kaptinën për ruajtjen e sunnetit (me numër rendor 161). (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih) Vërejtje e krahasuesit: Hadithi 161 i cekur më sipër është sipas radhitjes së origjinalit, përndryshe këtu do të duhej të ishte midis hadithit 112 dhe 113. Meqenëse teksti i hadithit mungon ne po e sjellim me sa vijon: Nga Ebu Nexhih, Irbad ibni Sarije r.a. i cili thotë: I Dërguari i All-llahut na e mbajti një këshillë të prekshme prej së cilës u dridhën zemrat dhe lotuan sytë. Thamë: O i Dërguar i All-llahut sikur të ishte kjo këshillë lamtumirëse, andaj na lë porosi? -Tha: "Ju porosis t'i druani All-llahut, ta dëgjoni dhe t'i nënshroheni edhe nëse përpiqet t'u mashtrojë njeri. Ai që prej jush do të jetojë (më gjatë) do të shohë kundërshtime të shumta. Andaj ju përmbajuni sunnetit tim dhe sunnetit të hulefai rashidinëve të cilët u udhëzojnë ngase janë të udhëzuar. Shtrëngone atë (sunnetin) me dhëmballat tuaja e (mos e lëshoni). Ruanu nga shpikja e gjërave (në fe) ngase çdo shpikje është lajthim." (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe ky i fundit tha: Hadithi është hasen sahih) Fjala në hadith me dhëmballat tuaja është shprehje artistike-simbolike e Pejgamberit alejhisselam e cila aspiron në fuqinë të cilën duhet përdorur për ta ruajtur sunnetin dhe në kujdesin që duhet patur ndaj tij. (Shënim i krahasuesit) All-llahu i Madhëruar thotë: "Kurse robtë e të Mëshirshmit janë ata, të cilët nëpër tokë ecin qetë, ndërsa kur u drejtohen injorantët, thonë: Paqe e qetësi!" (el-Furkan:63) 382. Aisheja r.a. thotë: "Unë asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin e All-llahut të kapluar në të qeshur që t'i duket nofulla. Ai vetëm ka buzëqeshur". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Dhe kush madhëron traditat e All-llahut, ajo është shenjë e zemrës fisnike". (el-Haxhxh:32) All-llahu i Madhëruar thotë: "A të ka arritur rrëfimi për musafirët e nderuar të Ibrahimit. Kur hynë dhe thanë: 'Paqe!' Dhe ai tha: 'Paqe, o njerëz të panjohur!' Dhe ai shkoi pa u hetuar, ke familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Ua ofroi dhe u tha: 'A nuk e hani?'" (edh-Dharrijat:24-27) All-llahu i Madhëruar thotë: "Dhe populli i tij u vërsul tek ai - të cilët edhe më parë bënin vepra të turpshme. O populli im, tha ai, ja vajzat e mia, këto janë më të pastra për ju! Frikësojuni All-llahut dhe mos më turpëroni me musafirët e mi! Vallë a nuk paska prej jush asnjë njeri i mençur?" (Hud:78) 383. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le ta nderojë musafirin, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le t'i vizitojë të afërmit, dhe kush beson në All-llahun dhe Ditën e fundit, le të flasë mirë ose le të hesht". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Përgëzoi robërit e Mi, që dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të bukurën prej tyre". (ez-Zumer:17-18) All-llahu xh.sh. prapë thotë: "Zoti i tyre i përgëzon se do të jetë i mëshirshëm dhe mirëbërës dhe se do t'i dërgojë në Xhennet ku do të kenë kënaqësi të vazhdueshme". (et-Tewbe: 21) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe ne e gëzuam me një djalosh të mirë". (es-Saffat:101) All-llahu xh.sh. thotë: "Edhe Ibrahimit i patën ardhur të deleguarit tanë me lajme të mira". (Hud:69) All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Kurse gruaja e tij rrinte në këmbë dhe ne e përgëzuam me Is-hakun e pas Is-hakut dhe Jakupin". (Hud:71) All-llahu xh.sh. prapë thotë: "Dhe derisa ai lutej në tempull, në këmbë, engjëjt e thirrën: All-llahu ty të përgëzoi me Jahjaun". (Ali Imran: 39) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe kur engjëjt i thanë: Oj Merjeme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet se emrin do ta ketë Mesih". (Ali Imran:45) Ka edhe shumë ajete të tjera të njohura në këtë temë, ndërsa sa u përket haditheve: 384. Ebu Ibrahimi, i cili quhet edhe Ebu Muhammed dhe Ebu Muavije Abdull-llah ibni Ebi Evfa r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. e ka përgëzuar Hatixhen r.anha me një shtëpi në Xhennet prej margaritarëve, në të cilën nuk ka zhurmë, as monotoni e as lodhje. (Muttefekun alejhi) 385. Nga Ebu Musa El-Eshariu r.a., i cili mori abdest në shtëpinë e vet, pastaj doli nga shtëpia dhe tha: "Gjithsesi do ta shoqëroj Pejgamberin s.a.v.s. dhe do ta kaloj me të këtë ditë". Shkoi në xhami dhe pyeti për Pejgamberin s.a.v.s. Të pranishmit i thanë: "Shkoi atje!" Esh'ariu tha: "Unë dola prej xhamisë dhe shkova pas tij, duke pyetur për të, derisa arrita te pusi i Erisit. Aty qëndrova te dera, derisa Pejgamberi s.a.v.s. kreu nevojën dhe mori abdest. Pastaj u ngrita afër tij, ndërsa ai ishte ulur te pusi i Erisit, qëndronte në mesin e lartësisë së pusit, i kishte përvjelur këmbët dhe i kishte lëshuar në pus. Unë e përshëndeta me selam, pastaj u ktheva dhe u ula te dera dhe thashë: "Vërtet sot do të jem portieri i Pejgamberit s.a.v.s". Pastaj arriti Ebu Bekri r.a. e shtyu derën dhe unë i thashë: "Kush është?" Tha: "Unë jam Ebu Bekri". Unë pastaj ia ktheva: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i thashë: "Ebu Bekri kërkon leje të hyjë!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lëre të hyjë dhe përgëzoje se do të shkojë në Xhennet!" Unë pastaj u ktheva te Ebu Bekri dhe i thashë: "Urdhëro, hyr! Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet. Ebu Bekri hyri dhe u ul në anën e djathtë të Pejgamberit s.a.v.s. në pjesën e sipërme të arkës së pusit dhe të dy këmbët i shtiu në pus, ashtu siç kishte vepruar i Dërguari i All-llahut, dhe i përvoli teshat. Unë prapë u ktheva dhe u ula, dhe e lashë në shtëpi vëllain tim të marrë abdest dhe të vijë pas meje. Atëherë kam thënë: "Nëse All-llahu xh.sh. i jep ndonjë të mirë (duke menduar në vëllain tim, i cili kishte mbetur në shtëpi duke marrë abdest), do t'i vijë". Kur, dikush trokiti në derë, dhe unë pyeta: "Kush është?" Ai u përgjigj: "Umeri, i biri i Hattabit!" Unë i thashë: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s., e përshëndeta me selam, pastaj i thashë: "Umeri kërkon të hyjë!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lëre dhe përgëzoje me Xhennet". Unë u ktheva te Umeri r.a. dhe i thashë: "Urdhëro, hyr! Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet". Ai hyri dhe u ul në anën e majtë të Pejgamberit s.a.v.s. në pjesën e epërme të pusit dhe i shtiu këmbët në të. Pastaj unë u ktheva, u ula dhe thashë: "Nëse All-llahu ia dëshiron të mirën (mendon në vëllain e vet), do t'i vijë". Atëherë dikush trokiti në derë. Unë prapë pyeta: "Kush është?" Ai u përgjigj: "Uthmani, i biri i Affanit". Unë iu përgjigja: "Prit pak!" Pastaj shkova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe e lajmërova për ardhjen e Uthmanit. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Lejo të hyjë dhe përgëzoje me Xhennet si dhe belanë e cila do t'i ndodhë". Unë u ktheva te Uthmani dhe i thashë: "Urdhëro, Pejgamberi s.a.v.s. të përgëzon me Xhennet dhe belanë e cila do të ndodhë". Uthmani r.a. e gjeti pjesën e epërme të pusit të mbuluar dhe u ul në anën tjetër të pusit". Seid ibnu Musej-jeb thotë: "Uljen e këtyre e kam shpjeguar me varrezat e tyre". (Muttefekun alejhi) Ebu Musa El-Esh'ariu në një rivajet shton: "Kur Uthmani mori vesh për lajmin e gëzuar për Xhennet, e falënderoi All-llahun xh.sh. e pastaj tha: "All-llahul Musteanu (All-llahu është Ai prej të cilit kërkoj ndihmë)". 386. Ibnu Shumaseta thotë: "Shkuam ta vizitojmë Amr ibnul Asin r.a. të shtrirë në shtratin e vdekjes, i cili qau shumë. Pastaj e ktheu fytyrën kah muri. I biri i tij filloi t'i flasë: "O babai im! A nuk të ka përgëzuar Pejgamberi s.a.v.s. me këtë dhe këtë?" Ai u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: "Më e vlefshmja dhe ajo në të cilën llogarisim më së shumti është fjala e dëshmisë (shehadeti) se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi s.a.v.s. është i Dërguari i Tij. Unë vërtet kalova nëpër tri periudha: E konsideroja veten se isha armiku më i madh i Pejgamberit s.a.v.s., më dukej se askush nuk e urrente më shumë se unë, dhe në atë kohë nuk do të kishte për mua kënaqësi më të madhe veç ta mbytja Pejgamberin. Sikur të vdisja në atë gjendje, do të isha me siguri gjithmonë në Xhehennem. Mirëpo, kur All-llahu e vendosi Islamin në zemrën time, shkova te Pejgamberi dhe i thashë: "Shtrije dorën e djathtë që të betohem (zotohem)". Ai e shtriu dorën e tij të djathtë, ndërsa unë e tërhoqa dorën time. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ç'ke o Amr?" Unë pastaj i thashë: "Dua të të kushtëzoj!" Pejgamberi u përgjigj: "Kushtëzo ç'të duash!" Unë pastaj i thashë: "Dua që të më falen gabimet!" Pejgamberi tha: "A nuk e di se Islami rrënon (shlyen) çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di ti se hixhreti rrënon çdo gjë që ka qenë më parë? A nuk e di se haxhxhi rrënon çdo gjë që ka qenë më parë?" Për mua atëherë nuk kishte njeri më të dashur se Pejgamberi s.a.v.s. si dhe më të madh se ai në sytë e mi. Unë nuk mundesha t'i ngop sytë me të për shkak të respektit që kisha ndaj tij. Sikur të më pyet sot dikush që ta përshkruaj, nuk do të mundesha ta bëj, për arsye se unë nuk i kam ngopur sytë e mi me të. Sikur të kisha vdekur në atë gjendje me siguri do të shpresoja që të jem prej xhennetlinjve. Pastaj ishte periudha (e tretë), isha i ngarkuar në vende udhëheqëse me përgjegjësi (veli) dhe nuk e di gjendjen time si jam gjendur gjatë kësaj kohe. Për këtë kur të vdes, të mos më përcjell mua vajtimi e as zjarri, ndërsa kur të më varrosni, hidheni mbi mua dheun nga pak, pastaj qëndroni rreth varrit tim aq sa të mund të prehet kurbani dhe të copëtohet mishi i tij, që të heq mërzinë me ju derisa të shoh se me çka t'ju drejtohem të dërguarve të Krijuesit tim". (Muslimi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Dhe Ibrahimi ua porositi këtë bijve të vet, si edhe Jakubi: 'O bijtë e mi, All-llahu ua ka zgjedhur fenë, assesi mos vdisni ndryshe, vetëm si muslimanë!' A ishit ju dëshmitarë (të pranishëm) kur i erdhi Jakubit momenti i vdekjes dhe u tha djemve të vet: 'Çka do të adhuroni pas meje?' Do të adhurojmë, i thanë ata, Zotin tënd dhe Zotin e të parëve të tu, Ibrahimit dhe Ismailit e Is-hakut, vetëm një Zot, dhe ne atij i jemi dorëzuar". (el-Bekare:132-133) 387. Ebu Sulejman Malik ibni El-Huvejrith r.a. thotë: "Shkuam te i Dërguari i All-llahut dhe të gjithë ne ishim të ri dhe të një mosheje. Te ai qëndruam njëzet net, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. ishte i mëshirshëm dhe i dashur. Ai mendoi se na ka marrë malli për familjet tona, andaj na pyeti kë kemi prej familjes e ne i treguam, pastaj ai tha: "Kthehuni te familjet tuaja dhe rrini me ta, mësoni dhe urdhëroni ata (në të mira) dhe faleni këtë namaz në këtë kohë dhe namazin tjetër në kohën tjetër. E kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le ta thërrasë ezanin e më i moshuari nga ju le të dalë imam". (Muttefekun alejhi) Buhariu shton në një rivajet: "Faluni ashtu sikurse më keni parë duke u falur!" 388. Umer ibnu Hattabi r.a. thotë: "Kërkova leje prej Pejgamberit s.a.v.s. për kryerjen e Umres (vizita e Qabes jashtë kohës së haxhxhit), më lejoi dhe më tha: "Mos na harro o vëlla, nga lutjet e tua!" Ai e tha një fjalë e cila më gëzoi më tepër se sa të bëhej e tërë bota imja". Në një rivajet tjetër Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shoqërona neve, vëlla në lutjet tua!" (Këtë hadith e transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih) 389. Enesi r.a. thotë: "Erdhi një njeri te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha: "Unë kam vendosur të udhëtoj, më përgatit me diçka". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "All-llahu të përgatittë me devotshmëri (takvalluk)!" Njeriu prapë tha: "Shto diçka tjetër!". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Dhe t'i faltë mëkatet!". "Shto prapë!". I Dërguari i All-llahut tha: "Dhe ta lehtësoftë ty të mirën (hajrin), kudo që të jesh!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe konsultohu me ta në punë!" (Ali Imran:159) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe ata konsultohen mes veti për punët e veta". (esh-Shurâ:35) 390. Xhabiri r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. na mësonte istiharen (të kërkuarit e asaj që është më e mirë) në të gjitha gjërat, ashtu sikurse na i mësonte suret e Kur'anit. Ai thotë: "Kur dikush prej jush dëshiron të bëjë diçka, le të falë dy rekate jashta farzit, pastaj le të thotë: "O Zoti im, Ty të drejtohem që të më orientosh me dijen Tënde për atë që është më mirë për mua. Ty të drejtohem që të më japish fuqi për kryerjen e punëve të mira, me fuqinë Tënde, kërkoj dhuntinë Tënde të pakufishme, Ti je i Gjithëfuqishëm, ndërsa unë nuk kam fuqi, Ti je Ai që posedon dituri, ndërsa unë nuk di dhe Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zoti im, nëse sipas dijenisë Tënde, kjo punë është e mirë (hajr) për mua, për fenë time, jetën time si dhe për përfundimin tim - ose të thotë: Për këtë jetën time kalimtare dhe për jetën e ardhshme të amshueshme - atëherë Ti më ndihmo në këtë punën time, lehtësoma mua dhe bëre atë të begatshme. Po, nëse në dijeninë Tënde e di se kjo punë për mua është e dëmshme (sherr), në fenë time, në jetën time dhe në përfundimin tim - ose të thotë: Në këtë jetë timen si dhe jetën e ardhshme të përhershme - atëherë largoje atë prej meje dhe më largo mua nga ajo. Më cakto mua të mirën (hajrin) kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të". Transmetuesi thotë se lutësi pastaj e emiton dëshirën e vet. (Buhariu) 391. Xhabiri r.a. thotë: "Në ditën e Bajramit, Pejgamberi s.a.v.s. e ndërronte drejtimin e kthimit të vet". (Buhariu) Ky hadith do të thotë se i Dërguari i All-llahut shkonte në një rrugë, ndërsa kthehej në shtëpi nga një rrugë tjetër. 392. Nga Ibnu Umeri r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. (në Medine) shkonte rrugës "Tarikush-shexhere", ndërsa kthehej rrugës Muarrese "Tarikul-muarres". Kur hynte në Mekke, hynte grykës së sipërme, ndërsa dilte grykës së poshtme. (Muttefekun alejhi) Është e njohur se është mustehab t'u jepet përparësi organeve të djathta në të gjitha punët e ndershme si: abdesti, gusli, tejemmumi, veshja e rrobave, mbathja e këpucëve, teshave të brendshme, hyrja në xhami, përdorimi i misvakut (brushës së dhëmbëve), prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve, mënjanimi i qimeve nga vendet e mbuluara të trupit, qethja e flokëve, dhënia e selamit në namaz, në ushqim e pije, përshëndetje, kapjen e Haxheri Esvedit, daljen nga nevojtorja, për çdo marrje dhe dhënie etj. Është mustehab t'u jepet përparësi organeve të majta në punët e kundërta me ato që i përmendëm si: pështyerja në të majtë, hyrja në nevojtore, dalja nga xhamia, zbathja e këpucëve, teshave të brendshme, rrobave, gjatë istinxhait (pastrimit të organeve të nevojës së madhe dhe të vogël), si dhe të gjitha punëve të papastra. All-llahu i Madhëruar thotë: "Ai të cilit do t'i jepet libri në dorën e djathtë të tij, do të thotë: 'Ja, lexomani librin tim!'" (el-Hâkka:19) All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe ata të djathtët, e çka di ti se kush janë të djathtët? Po të majtët, kush janë të majtët" (el-Vakia:8-9) 393. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberit s.a.v.s. i pëlqente përdorimi i pjesëve të djathta të trupit në të gjitha çështjet e tij: në gjërat e pastra, ecje si dhe në mbathje". (Muttefekun alejhi) 394. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. e përdorte dorën e djathtë për gjërat e pastra dhe ushqim, ndërsa dorën e majtë e përdorte për nevojën e tij dhe për gjërat që ishin të papastra". (Muttefekun alejhi) 395. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të mbatheni, filloni me të djathtën tuaj, ndërsa kur të zbatheni, filloni me të majtën, le të jetë e djathta e para që mbathet dhe e mbrama që zbathet". (Muttefekun alejhi) 396. Nga Hafseja r.anha tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. përdorte dorën e djathtë për ushqim, pije dhe veshje, ndërsa dorën e majtë për gjërat e tjera. (Ebu Davudi dhe të tjerët) 397. Nga Ebu Hurejre r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të visheni dhe kur të merrni abdest, filloni me të djathtat tuaja". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, hadith sahih) 398. Nga Aisheja r.anha tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur dikush prej jush fillon të hajë, le ta përmendë emrin e All-llahut të Madhëruar, por nëse harron ta përmend në fillim të ngrënies, atëherë le të thotë: "Me emër të All-llahut në fillim dhe në mbarim të ushqimit (Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu)". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen) 399. Xhabiri r.a. thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kur një njeri hyn në shtëpinë e vet dhe e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, si dhe para se të hajë, atëherë shejtani do t'u thotë shokëve të vet: "Këtu nuk keni as të ndenjur e as ushqim". Ndërsa kur një njeri hyn në shtëpinë e vet, por nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hyjë, atëherë shejtani thotë: "Keni gjetur vend për të ndenjur dhe ushqim". Ndërsa kur njeriu nuk e përmend emrin e All-llahut xh.sh. para se të hajë, atëherë shejtani u thotë shokëve të vet: "Keni gjetur të ndenjur dhe ushqim". (Muslimi) 400. Hudhejfeja r.a. thotë: "Ne, kur prezentonim në ushqim së bashku me të Dërguarin e All-llahut, nuk e zgjatnim dorën në ushqim para se t'ia fillonte Pejgamberi s.a.v.s. Njëherë ishim duke ngrënë së bashku me Pejgamberin s.a.v.s. dhe erdhi një shërbëtore (xharije), sikur e shtyrë nga dikush, erdhi dhe deshi ta vërë dorën e saj në ushqim, por Pejgamberi s.a.v.s. e kapi për dore. Pastaj erdhi një beduin (malësor), sikur i shtyrë nga dikush, edhe këtë Pejgamberi s.a.v.s. e kapi për dore e pastaj tha: "Vërtet, shejtanit i lejohet të hajë në ushqim nëse në të nuk është përmendur emri i All-llahut. Shejtani ka ardhur me këtë shërbëtore që t'i lejohet të hajë përmes saj, andaj e kapa për dore (e pengova), pastaj shejtani erdhi me këtë beduin, që t'i lejohet të hajë përmes tij andaj edhe këtë e kapa për dore. Pasha Atë, në dorën e të cilit është shpirti im, dora e tij (shejtanit) ishte në dorën time nëpërmjet duarve të tyre (shërbëtores dhe beduinit)". Pastaj i Dërguari i All-llahut e përmendi emrin e All-llahut të Madhëruar". (Muslimi) 401. Umejje bin Mahshia Es-Sahabiu r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte ulur dhe një njeri pranë tij hante e i cili nuk e kishte përmendur emrin e All-llahut saqë nga ushqimi i tij kishte mbetur vetëm një kafshatë. Kur e afroi te goja tha: "Bismil-lahi evvelehu ve ahirehu". (Me emër të All-llahut në fillim dhe në përfundim të ushqimit). Pejgamberi s.a.v.s. qeshi, pastaj tha: "Shejtani hante vazhdimisht me të, por kur e përmendi emrin e All-llahut, e volli gjithë atë që e kishte në barkun e vet". (Ebu Davudi dhe Nesaiu) 402. Nga Aisheja r.anha thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke ngrënë ushqim me gjashtë shokët e vet. Erdhi një beduin dhe e hëngri ushqimin me dy kafshata. Pejgamberi s.a.v.s. u tha shokëve të vet: "Ja pra ky sikur ta kishte emërtuar (me bismil-lah) do t'u kishte mjaftuar edhe juve (ushqimi i tij)". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) 403. Nga Ebu Umame r.a. bëhet e ditur se Pejgamberi s.a.v.s. kur e çonte sofrën e vet, thoshte: "Falënderimi i qoftë All-llahut, falënderim i plotë i mirë dhe i bekuar në të (ushqim), i cili nuk na ka bërë të panevojshëm, të braktisur e të pavarur nga Ai. Ai është Zoti ynë!" (Buhariu) 404. Nga Ebu Hurejre r.a. thuhet: "Pejgamberi s.a.v.s. asnjëherë nuk ka përmendur të meta në asnjë ushqim, nëse i ka ardhur i shijshëm e ka ngrënë, e nëse nuk e ka pëlqyer e ka lënë". (Muttefekun alejhi) 405. Nga Xhabiri r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. kërkoi nga familja e vet t'i sjellin për ushqim erëza, por ata i thanë: "Nuk kemi asgjë tjetër përveç uthullës". Pejgamberi s.a.v.s. atëherë kërkoi uthull, pastaj filloi të hajë duke thënë: "Sa erëz e mirë është uthulla, sa erëz e mirë është uthulla!" (Muslimi) 406. Ebu Mes'ud El-Bedriu r.a. thotë: "Një njeri e ftoi Pejgamberin s.a.v.s. në një ziafet, të cilin e kishte përgatitur për të dhe për katër të tjerë, kështu që Pejgamberi s.a.v.s. ishte prej atyre të pestëve i pesti, por i ishte bashkangjitur edhe një njeri gjatë rrugës për në ziafet. Kur arritëm te dera e të zotit të ziafetit, Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Ky na është bashkangjitur gjatë rrugës, pra nëse e lejon edhe këtë lejoje, e nëse jo, atëherë ky le të kthehet!" Atëherë i zoti i shtëpisë tha: "Gjithsesi unë e lejoj, o i Dërguari i All-llahut (që të jetë së bashku me ne në ziafet)". (Muttefekun alejhi) 407. Umer ibnu Ebi Selem r.anhuma thotë: "Isha fëmijë dhe nën mbikëqyrjen e Pejgamberit s.a.v.s. në shtëpinë e tij. Njëherë, para se t'ia fillojmë ushqimit, zgjata dorën në një enë të ushqimit, por Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Djalosh, thuaj 'Bismil-lah', përmende emrin e All-llahut, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes". (Muttefekun alejhi) 408. Seleme ibni Ekva r.a. tregon se një njeri ka ngrënë te Pejgamberi s.a.v.s. me dorën e majtë, e i Dërguari i All-llahut i tha: "Ha me dorën e djathtë!" Ai tha: "Nuk mundem!" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Si nuk mundesh! Nuk e pengoi asgjë përveç mendjemadhësisë!" Pas kësaj, njeriu nuk e afroi dorën e majtë te goja". (Muslimi) 409. Xhebelete bin Suhajm thotë: "Një vit të urisë kam ngrënë hurma me Ibnu Zubejrin. Pranë nesh kaloi Abdull-llah ibni Umeri r.anhuma e ne ishim duke ngrënë hurma, ndërsa ai na tha: "Mos i hani nga dy hurma menjëherë, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka ndaluar që të hahen nga dy hurma përnjëherë", pastaj thotë: "Përveç nëse njeriu ia lejon vëllait të vet ngrënien e dy hurmave menjëherë". (Muttefekun alejhi) 410. Abdull-llah ibn Busr r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. kishte një enë që quhej "El-garrau", të cilën e çonin katër persona (sini apo sofër). Pasi që as-habët e falnin namazin e paradrekës (Salatu-d-Duha) e binin sofrën e madhe (me përshesh me valë) dhe uleshin të pranishmit rreth saj. Kur ishte numri i madh, atëherë Pejgamberi s.a.v.s. ulej në gjunj (që të ulen sa më shumë). Një beduin, i cili e kishte vërejtur, pyeti: "Çfarë ulje është kjo?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Vërtet All-llahu mua më ka bërë rob të ndershëm e nuk më ka bërë tiran kokëfortë". Pastaj tha: "Hani prej skajit të enës dhe lene mesin e saj që të keni bereqet në ushqim!" (Ebu Davudi) 411. Enesi r.a. thotë: "E kam parë Pejgamberin s.a.v.s. të ulur në pjesën e mbrapme të trupit duke ngrënë hurma". (Muslimi) Preferohet ngrënia me tre gishta dhe lëpirja e gishtërinjve me yndyrë, ndërsa është mekruh (nuk preferohet) fërkimi i tyre para ngjyerjes, është mustehab që të fshihet ena, gjithashtu mustehab është marrja dhe ngrënia e kafshatës që të bie nga sofra, si dhe lejohet fshirja e tyre me ushqim tjetër. 412. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka urdhëruar lëpirjen e gishtërinjve si dhe lëpirjen e enës dhe ka thënë: "Ju nuk e dini se në cilin ushqim gjendet bereqeti". (Muslimi) 413. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse dikujt prej jush i bie kafshata e bukës, le ta marrë dhe le ta pastrojë nëse në të ka ndonjë send, pastaj le ta hajë, e mos t'ia lejë atë shejtanit. Kur ta kryejë ushqimin, mos t'i fshijë gishtërinjtë me faculetë derisa të mos i lëpijë, sepse nuk e di se në cilin ushqim është bereqeti". (Muslimi) 414. Enesi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. hante ushqim, i lëpinte gishtërinjtë e vet tri herë dhe thoshte: "Nëse bie ndonjë kafshatë e juaj duhet marrë atë dhe duhet pastruar nëse në të ka diçka, dhe duhet ngrënë e të mos i lihet shejtanit". Ai na urdhëroi që ta fshijmë tepsinë dhe tha: "Ju nuk e dini se në cilin ushqim tuajin është bereqeti". (Muslimi) 415. Nga Seid ibni El-Harith tregohet se e ka pyetur Xhabirin r.a. rreth prishjes së abdestit me prekjen e ushqimit që e ka kapë zjarri, me ç'rast ai u përgjigj: "Jo! Vërtet ne në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. nuk gjenim ushqim të tillë, vetëm në raste të rralla, por edhe sikur të gjenim, ne në atë kohë nuk kishim faculeta, përveç skajeve të teshave të duarve dhe këmbëve tona. Pastaj faleshim dhe nuk merrnim abdest". (Buhariu) Mustehab është që para pijes të mënjanohet çdo send që ka rënë, e sidomos ajo e cila është e dëmshme apo infektuese, edhe nëse kjo kërkon fryerje në enë, apo nga ana e jashtme e enës. Mustehab është që të mbahet dora e djathtë para pijes. 416. Nga Enesi r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. merrte frymë kur pinte ujë nga tri herë. (Muttefekun alejhi) Merrte frymë jashtë enës së ujit. Transmetuesi nuk e ka përmendur shkakun. 417. Nga Ibni Abbasi r.anhuma tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mos pini përnjëherësht ashtu siç pijnë kafshët, por pini me dy ose me tre (gllënjka) së bashku. Përmendni emrin e All-llahut kur të filloni dhe falënderoni All-llahun kur ta përfundoni (pirjen)". (Tirmidhiu, hadith hasen) 418. Nga Ebu Katade tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar frymëmarrjen në enë (d.m.th. të lëshuarit e frymës në enë sh.k.). (Muttefekun alejhi) 419. Nga Sehl ibni Sa'd r.a. tregohet se Pejgamberit s.a.v.s. i kishin sjellur diçka për të pirë, piu prej saj, por në anën e djathtë kishte një djalosh, ndërsa në anën e majtë ishin disa njerëz të moshuar, e i Dërguari i All-llahut i tha djaloshit: "A më lejon mua që së pari t'u jap këtyre?" Djaloshi u përgjigj: "Jo, për All-llahun, unë askujt nuk i jap përparësi në atë që më takon prej teje". Pejgamberi s.a.v.s. me dorën e vet i dha të pijë". Ky djalosh ishte ibni Abbasi (Muttefekun alejhi) Mekruh është pirja nga ena e mbyllur, sikurse kanë qenë ibrikët, nga gryka e tyre, natyrisht se ky mekruh është mekruh tenzihi e jo tahrimi. 420. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet: "I Dërguari i All-llahut ndaloi kthimin e grykës së enëve për pije". (Fjala është për enë për pije prej lëkure, kur gryka e saj kthehet ashtu që pjesa e brendshme të dalë jasht). (Muttefekun alejhi) 421. Nga Ebu Seid El-Hudriu r.a. tregohet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar fryerjen në ujë. Një njeri ka thënë: "Qimen të cilën e shoh në enë?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Derdhe atë!" Njeriu tha: "Unë nuk ngopem me një frymëmarrje". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Largoje atëherë enën nga goja jote (dhe merr frymë)!" (Tirmidhiu, hadith hasen) 422. Ibni Abbasi r.a. thotë: "I dhash ujë Pejgamberit s.a.v.s. prej Zemzemit dhe ai piu duke qëndruar në këmbë". (Muttefekun alejhi) 423. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka ndaluar që njeriu të pijë ujë në këmbë. Katade thotë: "E pyetëm Enesin: 'E ngrënia e ushqimit?'" Enesi u përgjigj: "Ajo është edhe më e keqe dhe më e shëmtueshme!" (Muslimi) Në një rivajet të Muslimit thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. e ka qortuar dhe e ka ndaluar pirjen në këmbë. 424. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Asnjëri prej jush të mos pijë në këmbë, e nëse harron, le ta kthejë". (Muslimi) 425. Ebu Katade r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ai që i shërben njerëzit në pije, pin i fundit". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) Lejohet pirja nga të gjitha enët e pastra, përveç enëve të arta dhe të argjendta. Lejohet pirja e ujit nga burimi pa e përdorur enën ose dorën e vet. Ndalohet përdorimi i enës së artë dhe të argjendtë në pije dhe ushqim si dhe në të gjitha përdorimet tjera. 426. Abdull-llah ibni Zejdi r.a. thotë: "Na erdhi Pejgamberi s.a.v.s. e i qitëm ujë në një enë bakri dhe ai mori abdest". (Muslimi) 427. Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka shkuar te një njeri prej Ensarëve dhe me të ishte një shok i tij. Pejgamberi s.a.v.s. i tha zotit të shtëpisë, ensariut: "Nëse ke ujë prej mbrëmë në kirbe (kirbe është enë prej lëkure për ujë që i ngjan janxhikut), e nëse jo, ne do të pimë ujë nga burimi, ( uji që ka qëndruar në kirbe është më i ftohtë)". (Buhariu) Mustehab është veshja e rrobave të bardha, por lejohet veshja e ngjyrës së kuqe, të gjelbër, të verdhë, të zezë. Lejohet që rrobat të jenë prej pambukut, lirit, fijeve të leshit si dhe të materieve të tjera, përveç mëndafshit. All-llahu i Madhëruar thotë: "O djemtë e Ademit! Ju kemi dhënë rroba që t'i mbuloni vendet tuaja të turpshme dhe veshje për zbukurim, mirëpo rrobat e devotshmërisë janë më të mirat. Ato janë disa argumente të All-llahut që ndoshta të mblidhni mend". (el-A'raf:26) All-llahu i Madhëruar prapë thotë: "U jap edhe veshje që ju mbron nga të nxehtit, ju jap parzmore që t'ju mbrojnë në luftë". (en-Nahl:81) 428. Ibni Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Veshuni me rroba të bardha, sepse ato janë veshja më e pastër dhe më e mirë e juaja dhe në to (veshjen e bardhë) mbështillni të vdekurit tuaj". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) 429. Ebu Xhuhajfe, Vehb ibni Abdil-lah r.a. thotë: "E kam parë Pejgamberin s.a.v.s. në Mekke, në Ebtah (vend afër Mekkes), në tendën e tij të kuqe prej lëkure. Doli Bilali me ujin për abdest. Disave u kullonte uji i abdestit, e disa e fshinin. Atëherë doli Pejgamberi s.a.v.s. që kishte veshur një pallto të kuqe. Sikur edhe tash i shoh kërcijtë e tij të bardhë. Mori abdest, ndërsa Bilali e thirri ezanin. Unë e përcillja se çka flet me gojën e vet, duke u kthyer herë në të djathtë e herë në të majtë: "Ejani në namaz, ejani në shpëtim!" Pastaj para veti e vuri një shkop të shkurtër, doli përpara dhe u fal. Para tij kalonin qentë dhe gomarët pa pengesë". (Muttefekun alejhi) 430. Ebu Remthe Rifaatut-Tejmijje thotë: "Unë e kam parë të Dërguarin e All-llahut të veshur me dy rroba të gjelbra". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu) 431. Xhabiri r.a. tregon se : "Pejgamberi s.a.v.s. ditën e çlirimit të Mekkes ka hyrë në të me çallmë të zezë". (Muttefekun alejhi) 432. Ebu Seid Amr ibni Hurejth r.a. thotë: "Sikur tash jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut me çallmë të zezë, anët e së cilës preknin në krahët e tij". (Muslimi) Në një rivajet tjetër të tij thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. kur u foli të pranishmëve, e kishte çallmën e zezë. 433. Aisheja r.anha thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. doli një ditë në mëngjes i veshur me një pallto lara-lara prej gëzofi të zi leshi". (Muslimi) 434. Mugire ibni Shu'be r.a. thotë: "Një natë udhëtova me të Dërguarin e All-llahut, e ai më tha: "A ke ujë?" Unë iu përgjigja: "Po!" Ai atëherë zbriti prej kafshës kalëruese të vet dhe shkoi larg derisa më nuk dukej nga terri i natës, pastaj u kthye. Unë atëherë ia përgatita një enë me ujë dhe ai e lau fytyrën e vet, por meqë e kishte të veshur një xhybe prej leshi, nuk mundej t'i nxirrte duart ashtu që i nxori nga ana e përfundme e xhubes. Pastaj i lau bërrylat dhe i dha mes-h kresë. Unë desha t'i ndihmoj që t'i heq të dy mestet, e ai tha: "Lëre, i kam mbathur në këmbë të pastra", atëherë vetëm iu ka dhënë mes-h mesteve". (Muttefekun alejhi) Në një rivajet tjetër thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. kishte të veshur xhyben e Shamit me mëngë të ngushta. Ndërsa në një rivajet tjetër se kjo ka ndodhur në betejën e Tebukut. 435. Esma binti Jezid El-Ensari r.anha thotë: "Mëngët e këmishës së Pejgamberit s.a.v.s. ishin të gjata deri ke nyjat". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen) 436. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Çka është nën zogthin e këmbës prej veshjeve e ka vendin në zjarr". (Buhariu) 437. Ebu Dherri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Treve All-llahu xh.sh. nuk do t'u flasë Ditën e Gjykimit, as që do t'i shikojë, e as nuk do t'i falë, por do t'i dënojë shumë ashpër". Tha: "Këtë i Dërguari i All-llahut e ka përsëritur tri herë", e Ebu Dherri ka thënë: "Kanë dështuar dhe kanë pësuar ata, e kush janë ata, o i Dërguari i All-llahut?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Zgjatësi i teshës së tij, përcjellësi i fjalëve fyese dhe ai që e shet pasurinë e vet duke u betuar rrejshëm". (Muslimi) Sqarim: Masa aristokrate dhe të lirët për t'u dalluar nga të varfërit dhe robërit i zgjatnin rrobat e tyre nën zogjët e këmbëve. Një veprim të këtillë me këtë qëllim Pejgamberi alejhisselam e urrejti dhe e ndaloi. (Shënim i krahasuesit) 438. Ebu Xhurejj, Xhabir ibni Sulejm r.a. thotë: "Kam parë një njeri, nga i cili njerëzit nuk e largonin shikimin e tyre, dhe çdo gjë që ai thoshte ata e pranonin me zemër". Pyeta: "Kush është ky?" Ata më thanë: "I Dërguari i All-llahut!" Unë atëherë i thashë dy herë: "Alejkes-selamu ja Resulull-llah!" (Në ty qoftë paqja, o i Dërguari i All-llahut!), e ai më tha: "Mos thuaj: 'Alejkes-selamu', sepse 'alejkes-selamu' është përshëndetje e të vdekurve, por thuaj: 'Es-selamu alejke'". Transmetuesi pastaj vazhdon e thotë: "Unë atëherë i thashë: "A je ti i Dërguari i All-llahut?" Ai më tha: "Unë jam i Dërguari i All-llahut, i cili nëse të ndodhë ndonjë fatkeqësi dhe ti e thërret në ndihmë, Ai do ta largojë ty atë fatkeqësi, e nëse të ndodhë e keqja e vitit, dhe ti e thërret në ndihmë, Ai do ta bëjë vitin të begatshëm, nëse ti gjendesh në ndonjë mal apo shkretëtirë dhe e humb kafshën tënde, nëse e thërret Atë në ndihmë, Ai do ta kthejë". Transmetuesi tregon: "Unë pastaj i thashë: "Më obligo me diçka!" Ai më tha: "Mos e fyej askënd!", dhe vërtet pas kësaj askënd nuk e kam fyer, qoftë i lirë apo rob, qoftë deve apo dele. "Mos e nënçmo asnjë të mirë, të flasësh fytyrëqeshur me vëllain tënd, sepse edhe ajo është prej gjërave të mira. Ngrite izarin tënd deri në kërçik, e nëse këtë nuk e don, atëherë deri në zogth të këmbës. Ruaju nga veshja tejet e gjatë, sepse ajo është shenjë e mendjemadhësisë, ndërsa All-llahu nuk i do mendjemëdhenjtë. Nëse dikush të fyen dhe të turpëron me atë që e di te ti, ti mos e turpëro me atë që e di te ai. Vërtet turpi do të bie mbi të". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu me isnad të vërtetë, ndërsa Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) 439. Muadh ibni Enes r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e lë stolisjen me rroba për shkak të modestisë ndaj All-llahut, edhe pse ka mundësi për të, All-llahu do ta thërrasë Ditën e Gjykimit para gjithë krijesave dhe do t'i ofrojë të zgjedhë çfarëdo rroba të imanit për t'i veshur". (Tirmidhiu, hadith hasen) Mustehab është që në veshje të ndiqet mesatarja, të mos kalohet në ekstrem, i cili vie në kundërshtim me zakonet dhe traditat, apo të cilat nuk përputhen me mësimet e sheriatit. 440. Nga Amr ibni Shuajbi, nga babai i tij dhe nga gjyshi i tij, transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu dëshiron të shohë gjurmën e begative të Tij në robin e vet". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 441. Umer bin Hattabi r.a. thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Vërtet, mëndafshin e vesh ai që nuk ka fat". (Muttefekun alejhi) Në një rivajet të Buhariut thuhet: "Ai që nuk ka fat në ahiret". 442. Enesi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e ka veshur mëndafshin në këtë botë, nuk do ta veshë atë në botën e ardhshme (ahiret)". (Muttefekun alejhi) 443. Nga Aliu r.a. i cili ka thënë: E kam parë Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. i cili kishte marrë në të djathtën e tij një copë mëndafshi e në të majtën e tij një copë ari e pastaj tha: "Këto dyja janë haram për meshkujt e ummetit tim". (Transmeton Ebu Davudi me sened hasen) 443. a) Ebu Musa el-Esh'ariu r.a. thotë se: Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Veshja e mëndafshit dhe e arit është e ndaluar për meshkujt e ummetit tim, ndërsa u lejohet femrave." (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadith hasen sahih) 444. Enesi r.a. thotë: "I Dërguari i All-llahut ua lejoi veshjen e rrobave të mëndafshta Zubejrit dhe Abdurrahman ibni Avfit, për shkak të zgjebes që e kishin". (Muttefekun alejhi) 445. Muaviu r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mos hipni në shalë mëndafshi e as në atë prej lëkurës së tigrit". (Ebu Davudi dhe të tjerët me isnad të mirë: hadith hasen) 446. Ebul Melih nga babai i tij thotë se Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar përdorimin e lëkurës së luanit. (Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët me isnad të mirë) Në rivajetin e Tirmidhiut thuhet: "E ka ndaluar shtruarjen e lëkurës së luanit". 447. Berra ibni Azib r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "Kur të shkosh në shtrat, merr abdest sikurse për namaz, e pastaj shtriju në anën e djathtë dhe thuaj: 'O Zoti im, Ty të dorëzohem me shpirtin tim, te Ti drejtohem me fytyrën time, Ty të autorizoj për çështjen time, Ty të dorëzohem për dëshirat dhe peripecitë e mia. Nuk ka strehim dhe shpëtim përveç te Ti. Unë i besoj Librit Tënd të shpallur si dhe Pejgamberit Tënd të dërguar'. Le të jenë këto fjalët tua të fundit". (Muttefekun alejhi) 448. Aisheja r.anha thotë: "I Dërguari i All-llahut i falte gjatë natës njëmbëdhjetë rekate dhe kur agonte i falte dy rekate të shkurta, pastaj shtrihej në anën e tij të djathtë derisa vinte muezzini dhe e thirrte ezanin". (Muttefekun alejhi) 449. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush ulet në një vend për ulje dhe në të nuk e përmend All-llahun, ai do të jetë i larguar nga All-llahu. Gjithashtu edhe kush është i shtrirë në shtrat, në të cilin nuk e përmend All-llahun, do të jetë i larguar dhe i ndërprerë prej All-llahut". (Ebu Davudi me sened të mirë) 450. Xhabir ibni Semure r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut kur e falte namazin e sabahut, ulej këmbëkryq derisa lindte mirë dielli". (Hadith sahih, transmeton Ebu Davudi dhe të tjerët me sened të vërtetë) 451. Ibni Umeri r.anhuma thotë: "E kam parë Pejgamberin s.a.v.s. në oborrin e Qabes të mbështjellur këmbë dhe duar kështu (u ul, i mblodhi këmbët në gishtërinj, duke i kapur me duar), kjo ishte të ndenjurit këmbëkryq". (Buhariu) 452. Shedid ibni Suvejd r.a. thotë: "Kaloi i Dërguari i All-llahut para meje, dhe unë isha ulur kështu: e kisha vënë dorën time të majtë pas shpine dhe isha mbështetur në shpinën e dorës sime, e Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "E preferon uljen e atyre të cilëve All-llahu u është hidhëruar?" (Ebu Davudi me isnad të vërtetë) 453. Xhabir ibni Semure r.anhuma thotë: "Kur shkonim te i Dërguari i All-llahut, çdonjëri prej nesh ulej në fund ku kishte vend". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen) 454. Ebu Abdull-llah Selman El-Farisiu r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Çdo njeri që lahet ditën e xhumasë dhe pastrohet sa më mirë që të jetë e mundur, pastaj përdor yndyrë dhe vë parfum dhe niset në namazin e xhumasë dhe nuk i ndan dy veta që janë ulur, pastaj fal namazin e obliguar dhe hesht gjatë kohës kur imami e lexon hutben, All-llahu i Madhëruar me siguri do t'ia falë mëkatet e javës së kaluar". (Buhariu) 455. Amr ibni Shuajbi, nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij, r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Le të mos ulet midis dy vetave përpos me lejen e tyre". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen) 456. Hudhejfe ibnul Jeman r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. e ka mallkuar atë që ulet në mesin e rrethit. (Ebu Davudi me isnad të mirë) Tirmidhiu transmeton nga Ebi Mixhlez se një njeri ishte ulur në mesin e rrethit dhe Hudhejfeja i kishte thënë: "Është i mallkuar nga gjuha e Muhammedit s.a.v.s. ai që ulet në mesin e rrethit të njerëzve". Tirmidhiu thotë se është hadith sahih. 457. Ibnu Umeri r.a. thotë: "Të pakta ishin ato tubime prej të cilave i Dërguari i All-llahut çohej pa i bërë këto lutje : "O Zoti im, na jep frikën Tënde e cila do të na largojë nga gabimet, dhe jepna përulshmërinë Tënde, e cila do të bëjë tendë mes nesh dhe gabimeve që do të i bënim ndaj Teje, na ço në Xhennetin Tënd, jepna besimin e fortë, që do të na i lehtësojë fatkeqësitë e kësaj bote. O Zoti im, forcona të dëgjuarit tonë, të pamurit tonë dhe fuqinë tonë, sa të jemi të gjallë. Bëre (bindjen në Ty) trashëgimtarë tonin. Bën që hakmarrja jonë të jetë kundër atyre që na bënë zullum, na ndihmo kundër atyre që na armiqësojnë, mos lejo që fatëkeqësia ynë të jetë në fenë tonë, mos lejo që dunjaja të jetë preokupimi ynë më i madh e as shkalla e diturisë sonë. Mos lejo që të na vjen mbi kokë ai që nuk na mëshiron". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 458. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ata njerëz që rrijnë në një tubim dhe në të nuk e përmendin All-llahun e Madhëruar si dhe nuk thonë salavate për Pejgamberin s.a.v.s., ata janë të ndërprerë nga Ai, e All-llahu nëse do i dënon, nëse dëshiron i fal". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 459. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush ulet në një vend për ulje dhe në të nuk e përmend All-llahun, ai do të jetë i larguar nga All-llahu. Gjithashtu edhe kush është i shtrirë në shtrat, në të cilin nuk e përmend All-llahun, do të jetë i larguar dhe i ndërprerë prej All-llahut". (Ebu Davudi me sened të mirë) All-llahu i Madhëruar thotë: "Edhe një tjetër argument i Tij është gjumi i juaj natën dhe ditën". (err-Rrum:23) 460. Ebu Katade r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ëndrra e mirë - në një rivajet tjetër: ëndrra e bukur - është prej All-llahut, ndërsa ëndërrimi i keq është prej shejtanit. Prandaj, ai që sheh në ëndërr diçka që nuk i pëlqen, le të fryjë tri herë në të majtë, dhe le të kërkojë mbrojtjen e All-llahut nga shejtani dhe nuk do t'i bëjë dëm asgjë". (Muttefekun alejhi) 461. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur dikush prej jush sheh ëndërr të keqe, të pështyjë në të majtë tri herë dhe të kërkojë mbrojtjen e All-llahut nga shejtani tri herë dhe le ta ndërrojë anën në të cilën ishte shtrirë". (Muslimi) 462. Ebul Eska, Vathil ibnul Eska r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet prej shpifjeve më të mëdha është që njeriu të pranojë për baba atë të cilin nuk e ka baba, apo të vërtetojë se ka parë në ëndërr atë që nuk e ka parë, ose të deklarojë për të Dërguarin e All-llahut atë që nuk e ka thënë". (Buhariu) All-llahu i Madhëruar thotë: "O besimtarë, mos hyni në shtëpi të huaj pa marrë leje dhe pa i përshëndetur njerëzit e saj". (en-Nur:27) Po ashtu All-llahu xh.sh. thotë: "Por, kur të hyni në shtëpi, ju të përshëndetni me përshëndetje të caktuar nga All-llahu, të uruar e të bekuar". (en-Nur:61) All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Kur të përshëndeteni nga dikush kthejani me përshëndetje më të mirë ose me (përshëndetje) të njëjtë!" (en-Nisa:86) All-llahu xh.sh. thotë: "A të ka arritur rrëfimi për musafirët e nderuar të Ibrahimit, kur hynë dhe thanë: 'Paqe!' Dhe ai u tha: 'Paqe, o njerëz të panjohur!'". (edh-Dharrijat:24-25) 463. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Pasi All-llahu e krijoi Ademin a.s. i tha: "Shko dhe përshëndete atë grup të meleqve që janë ulur, dhe dëgjo si do të përshëndesin. Ajo përshëndetje do të jetë përshëndetja jote si dhe përshëndetja e pasardhësve tu". Ademi a.s. u tha: "Es-selamu alejkum", e ata u përgjigjën: "Es-selamu alejke ve rahmetull-llah!" (Paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi ty!), duke ia shtuar: "Ve rahmetull-llah" (mëshira e Zotit)". (Muttefekun alejhi) 464. Ebu Umare El-Berra ibni Azib r.anhuma thotë: "Pejgamberi i All-llahut më ka urdhëruar me shtatë gjëra: vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, të përgjigjurit me lutje për atë që teshëtirë, ndihmën e të dobtit, përkrahjen e të shtypurit, përhapjen e selamit - paqes dhe justifikimin e betuesit". (Muttefekun alejhi) Ky është njëri prej rivajeteve të Buhariut. 465. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nuk do të hyni në Xhennet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të mos duheni në mes veti. A nuk dëshironi t'ju udhëzoj në një gjë, nëse e bëni atë do të duheni në mes veti? Përhapni selamin (përshëndetjen) në mes jush!" (Muslimi) 466. Ebu Jusuf Abdull-llah ibni Selam, r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "O njerëz, përhapeni selamin (thirrni në paqe), jepni ushqim, mbani lidhjet familjare, faluni kur njerëzit flenë, do të hyni në Xhennet me selam". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) 467. Tufejl ibni Ubejje bin Ka'b tregon se ai shkonte te Abdull-llah ibni Umeri dhe herët në mëngjes shkonin me të në treg, dhe thotë: "Kudo që shkonim nëpër treg, Abdull-llahu e përshëndette secilin me radhë, njerëzit e rëndomtë, tregtarët, të varfërit, nuk kalonte pranë askujt pa e përshëndetur". Tufejli pastaj vazhdon: "Njëherë shkova te Abdull-llah ibni Umeri r.a. dhe ai më ftoi që të shkoj me të në treg e unë i thashë: Çka po kërkon në treg kur nuk do të shesish e as nuk do të blesh asgjë, nuk do të vësh në licitacion asgjë e as nuk do të rrish me askënd në treg. Rri me ne këtu të bisedojmë". Abdull-llah ibni Umeri r.a. më tha: "O Ebu Batn (Tufejli ishte barkmadh), ne shkojmë për shkak të selamit, përshëndesim këdo që e takojmë". (Maliku në Muvatta me isnad sahih) Mustehab është që ai që fillon me selam të thotë: "Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu", të përshëndet në shumës (Paqja dhe shpëtimi si dhe mëshira dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi ju!) e jo në njëjës edhe nëse i përshëndeturi është vetëm një person. Ndërsa ai i cili ia kthen përshëndetjen do t'i thotë: "Ve alejkumus-selam ve rahmetull-llahi ve berekatuhu", po ashtu në shumës por me lidhësen "ve" në fillim (Edhe mbi ju qoftë paqja, mëshira dhe begatia e All-llahut!). 468. Imran ibni Husajn r.anhuma thotë: "Erdhi një njeri te Pejgamberi s.a.v.s. dhe tha: "Es-selamu alejkum". Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu; pastaj njeriu u ul, e Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Dhjetë". Pastaj erdhi një njeri tjetër dhe tha: "Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi". Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu selamin, njeriu u ul dhe Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Njëzet". Më vonë erdhi edhe një njeri tjetër dhe tha: "Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu". Pejgamberi s.a.v.s. pranoi selamin, njeriu u ul dhe Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Tridhjetë". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, hadith hasen) 469. Aisheja r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ky është Xhibrili, të përshëndet me selam". Unë atëherë i thashë: "Ve alejhis-selamu ve rahmetullahi ve berekatuhu". (Muttefekun alejhi) Në disa rivajete është lënë fjala "ve berekatuhu" e në disa jo. Gjithsesi më e mirë është ajo që është më e plotë. 470. Mikdadi r.a. në një hadith të tij të gjatë thotë: "Ne ia çonim Pejgamberit s.a.v.s. pjesën e tij të qumështit dhe një natë shkova vonë, i dhashë selam që të mos e shqetësoj atë që është duke fjetur dhe të dëgjojë ai që është i zgjuar. Pas kësaj erdhi Pejgamberi s.a.v.s. dhe e përshëndeti me selam ashtu siç kishte vepruar Mikdadi". (Muslimi) 471. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kalorësi përshëndet këmbësorin, këmbësori atë që është ulur, grupi i vogël e përshëndet grupin e madh". (Muttefekun alejhi) Në një rivajet të Buhariut thuhet: "I riu e përshëndet të moshuarin". 472. Ebu Hurejre r.a. në hadithin rreth personit i cili nuk e falte mirë namazin, tregon se ka ardhur dhe e ka falur namazin e pastaj ka ardhur te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i ka dhënë selam. Pejgamberi s.a.v.s. e pranoi selamin e pastaj tha: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse nuk je falur!" Personi i cili nuk falej mirë shkoi dhe e përsëriti namazin, pastaj përsëri erdhi dhe i dha selam Pejgamberit s.a.v.s. Në këtë mënyrë veproi tri herë. (Muttefekun alejhi) 473. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush e takon vëllain e vet, ta përshëndesë me selam, nëse ata i ndanë ndonjë dru ose ndonjë mur dhe përsëri takohen, le ta përshëndesë atë". (Ebu Davudi) All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë: "Por kur të hyni në shtëpi, ju të përshëndetni me përshëndetje të caktuar nga All-llahu, të uruar e të bekuar". (en-Nur:61) 474. Enesi r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. më ka thënë: "O djalosh, kur të hysh në familjen tënde, përshëndete që të ketë begati për ty dhe për familjen tënde". (Tirmidhiu, hadith hasen sahih) 475. Sehl bin Sa'di r.a. thotë: "Në mesin tonë ishte një grua - sipas një rivajeti ishte e vjetër - e cila i merrte gjërat ushqimore dhe i ziente në një vorbë, i bluante kokrrat e elbit dhe kur ne e falnim namazin e xhumasë shkonim dhe e përshëndetnim atë dhe ajo na jepte nga ushqimi". (Buhariu) 476. Ummi Hani dhe motra e saj Bintu Ebi Talib r.a. thonë: "Shkova te Pejgamberi s.a.v.s. ditën e çlirimit të Mekkes kur ai ishte duke u larë, ndërsa Fatimeja e mbulonte me një mbulesë e unë e përshëndeta, e pastaj e përmendi hadithin e mëparshëm" (Muslimi) 477. Esma bintu Jezid r.a. thotë: "Kaloi pranë nesh Pejgamberi s.a.v.s. pranë grave dhe na përshëndeti në mesin e grave". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu si hadith hasen) Ky është citimi i hadithit sipas Ebu Davudit, ndërsa citimi i Tirmidhiut është se vërtet Pejgamberi s.a.v.s. një ditë kaloi në xhami ku ishin ulur një grup i grave dhe ai dha shenjë me dorë për përshëndetje. 478. Enesi r.a. tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur ehli kitabët (besimtarët e librave të shenjtë) ju përshëndesin, thuani: "Ve alejkum" (Edhe mbi ju)". (Muttefekun alejhi) 479. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush vjen në ndonjë tubim të përshëndesë me selam dhe kur dëshiron të largohet, të përshëndesë prapë me selam. Nuk është i pari më i vlefshëm se i fundit". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen) All-llahu xh.sh. në Kur'an thotë: "O besimtarë, mos hyni në shtëpi të huaja pa marrë leje dhe pa i përshëndetur njerëzit e asaj (shtëpie)". (en-Nur:27) All-llahu xh.sh. po ashtu thotë: "Edhe kur fëmijët tuaj arrijnë moshën e pjekurisë le të kërkojnë leje (për të hyrë) ashtu siç kanë kërkuar leje ata përpara tyre". (en-Nur:59) 480. Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Kërkesa apo leja për të hyrë përsëritet tri herë, nëse të pranon mirë, e nëse jo, atëherë kthehu". (Muttefekun alejhi) 481. Sehl ibnu Sa'd r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Kërkimi i lejes për të hyrë dikund është bërë për shkak të shikimit (që të mos qëllojë atij që i kërkohet leja në gjendje të padëshirueshme sh.k.)". (Muttefekun alejhi) 482. Nga Rib'ijj ibni Hirash tregohet se një njeri nga fisi i Beni Amirëve ka kërkuar leje prej Pejgamberit s.a.v.s. që të hyjë në shtëpinë e tij dhe i ka thënë: "A mund të hyj?" Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë shërbëtorit të vet: "Dil dhe mësoje si kërkohet leja për të hyrë dhe thuaji atij të thotë: 'Es-selamu alejkum, a është e lirë?' Njeriu e dëgjoi dhe i tha: "Esselamu alejkum a është e lirë?"Pejgamberi s.a.v.s. atëherë i dha leje dhe njeriu hyri". (Ebu Davudi me isnad sahih) 483. Kilde ibni Hanbel r.a. tregon: "Shkova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe hyra te ai pa e përshëndetur dhe Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Kthehu dhe thuaj: 'Es-selamu alejkum, a të hyjë?'" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, hadith hasen) 484. Ebu Dherri r.a. thotë: "Një natë dola dhe e vërejta Pejgamberin s.a.v.s. duke shëtitur vetëm. Unë shkoja nën hijen e hënës dhe kur Pejgamberi s.a.v.s. më vërejti e më tha: "Kush është?", unë u përgjigja: "Ebu Dherri". (Muttefekun alejhi) 485. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse ndonjëri prej jush teshëtinë, le të thotë: 'Falënderimi i qoftë All-llahut', ndërsa shoku i tij apo vëllai: 'All-llahu të mëshiroftë'. Kur t'i thotë vëllai apo shoku i vet: 'All-llahu të mëshiroftë', atëherë personi që teshëtinë le të thotë: 'Zoti ju udhëzoftë dhe mendjen tuaj e ndriçoftë'". (Buhariu) 486. Ebu Musa tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Nëse dikush prej jush teshë dhe thotë: 'El-hamdulil-lah' (falënderimi i qoftë All-llahut), përshëndeteni me fjalët e njohura, por nëse nuk thotë: 'El-hamdulil-lah', atëherë mos kërkoni shëndet për të, mos i thoni: 'Jerhamukell-llahu'!" (Muslimi) 487. Enesi r.a. tregon: "Dy njerëz kanë teshëtinë te Pejgamberi s.a.v.s. dhe për njërin prej tyre Pejgamberi s.a.v.s. kërkoi shëndet dhe tha: 'Jerhamukell-llahu!' (të mëshiroftë All-llahu), e për tjetrin jo. I dyti, për të cilin Pejgamberi s.a.v.s. nuk kërkoi shëndet, tha: "Kur ky teshëtiu kërkuat shëndet për të, ndërsa kur teshëtira unë, këtë nuk e bëtë". Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Ky e falënderoi All-llahun, ndërsa ti nuk veprove ashtu". (Muttefekun alejhi) 488. Ebu Hurejre r.a. tregon se kur Pejgamberi s.a.v.s. teshëtinte, e vente dorën e vet apo ndonjë shami në gojën e vet dhe sa mundej e ulte zërin e të teshmes së vet. Transmetuesit nuk i kujtohet se Ebu Hurejre thoshte: "e zvogëlonte apo e mbulonte zërin e të teshurit". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu si hadith hasen sahih) 489. Ebu Musa r.a. thotë: "Çifutët kur vinin te Pejgamberi s.a.v.s. teshëtinin dhe dëshironin që Pejgamberi s.a.v.s. t'u thoshte: "Jerhamukumull-llahu!" (All-llahu ju mëshiroftë!). Por, Pejgamberi s.a.v.s. u thoshte: "All-llahu ju udhëzoftë dhe ua ndriçoftë mendjen tuaj!" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë: hadith hasen sahih) 490. Berra r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Dy muslimanë të cilët takohen dhe në mes veti përshëndeten, All-llahu xh.sh. do t'ua falë mëkatet e tyre para se ata të ndahen". (Ebu Davudi) 491. Enesi r.a. tregon se një njeri ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, njëri prej nesh e takon vëllain apo mikun e vet, a ka nevojë (në shenjë nderimi) të përulet?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Jo!" "A mund ta marrë për dore dhe ta përshëndes me dorë?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Po!" (Tirmidhiu, hadith hasen) 492. Safvan bin Assal r.a. tregon: "Një çifut i thotë shokut të vet: Eja me mua te ky Pejgamber, dhe shkuam ke i Dërguari i All-llahut dhe e pyetëm për shpjegimin e ajeteve (nëntë mrekullive të mëdha të All-llahut), ndërsa transmetuesi pasi e ka përmendur hadithin për ato ajete, thotë: "Në fund të dy e puthën dorën dhe këmbën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe thanë: dëshmojmë se ti je i Dërguari i All-llahut". (Tirmidhiu dhe të tjerët me sened të vërtetë) 493. Ibni Umeri r.anhuma duke treguar një ndodhi thotë: "Ne iu afruam Pejgamberit s.a.v.s. dhe ia puthëm dorën". (Ebu Davudi) 494. Ebu Hurejre tregon se Pejgamberi s.a.v.s. e ka puthur Hasanin, të birin e Aliut r.a., e atëherë Akre bin Habisi i tha: "Unë i kam dhjetë fëmijë dhe asnjëherë asnjërin prej tyre nuk e kam puthur". Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Ai që nuk mëshiron, nuk mëshirohet". (Ai që nuk ka mëshirë ndaj të tjerëve edhe të tjerët nuk do të jenë të mëshirshëm ndaj tij)". (Muttefekun alejhi) 495. Berra ibni Azib r.anhuma thotë se Pejgamberi s.a.v.s. na ka urdhëruar: vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, të përgjigjurit me lutje për atë që teshëtinë, justifikimin e betuesit, përkrahjen e të shtypurit, të përgjigjurit në ftesë dhe përhapjen e selamit". (Muttefekun alejhi) 496. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Muslimani ndaj muslimanit ka këto pesë obligime: pranimin e selamit, vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, përgjigjen e ftesës si dhe të përgjigjurit me lutje për atë që teshëtinë". (Muttefekun alejhi) 497. Ebu Hurejre r.a. tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Vërtet All-llahu i Madhëruar do të thotë Ditën e Kijametit: "O njeri, isha i sëmurë dhe nuk më vizitove!" Njeriu atëherë do të përgjigjet: "O Zoti im, si do të vizitoj Ty, kur Ti je Zot i gjithë botëve?" All-llahu do të thotë: "A nuk e ke ditur se filan robi im ishte i sëmurë dhe nuk e ke vizituar? A nuk e di se sikur ta kishe vizituar me siguri do të më kishe gjetur Mua te ai. O njeri, kam kërkuar prej teje ushqim, por nuk më ke dhënë". Njeriu do të përgjigjet: "O Zoti im, si do të jap unë Ty ushqim, kur Ti je Zot i gjithë botëve?" All-llahu do të thotë: "A nuk e ke ditur që robi im ka kërkuar prej teje ushqim e ti nuk i ke dhënë? A nuk e ke ditur se sikur t'i kishe dhënë ushqim do të më kishe gjetur Mua te ai. O njeri, Unë kam kërkuar prej teje të më japësh ujë, por ti nuk më ke dhënë të pijë!" Njeriu do të thotë: "O Zoti im, si do të jap unë Ty ujë, kur Ti je Zot i gjithë botëve?" All-llahu do të thotë: "Ka kërkuar robi im ujë prej teje e ti nuk i ke dhënë. Sikur t'i kishe dhënë ujë atij, do të më kishe gjetur Mua te ai!" (Muslimi) 498. Ebu Musa r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vizitoni të sëmurit, ushqeni të uriturit dhe lironi të zënurit rob". (Buhariu) 499. Thevban r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Muslimani kur e viziton vëllain e vet musliman, vazhdimisht është në hurfen e Xhennetit derisa të kthehet". Të pranishmit e pyetën çka është hurfa e Xhennetit? Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Ata janë portokajt e këputur, pemët e Xhennetit". (Muslimi) 500. Aliu r.a. tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Ai musliman i cili e viziton muslimanin në mëngjes, shtatëdhjetë mijë melekë do të luten për të deri në mbrëmje, e nëse e viziton pas akshamit dhe në kohën e jacisë, atëherë do të luten për të shtatëdhjetë mijë melekë deri në agim. Shpërblimi i tij do të jetë një pemë e veçantë, portokaj të vjelur". (Tirmidhiu) 501. Enesi r.a. thotë: "Një djalë i ri çifut shërbente te i Dërguari i All-llahut dhe një ditë u sëmur. Pejgamberi s.a.v.s. erdhi ta vizitojë, u ul afër kokës së tij dhe i tha: "Pranoje Islamin!" Djaloshi e shikoi babain e vet, i cili ishte prezent. I ati i tha: "Dëgjoje Ebul Kasemin!" Djaloshi e pranoi Islamin. Pejgamberi s.a.v.s. atëherë doli duke thënë: "Falënderimi i qoftë All-llahut, i cili e shpëtoi nga zjarri i Xhehennemit". (Buhariu) 502. Aisheja r.anha tregon se kur ndokush i ankohej Pejgamberit s.a.v.s. për ndonjë gjë, sëmundje apo plagë, Pejgamberi s.a.v.s. e prekte në atë vend me gishtin e tij tregues (transmetuesi Sufjan ibni Ujejne e vuri gishtin e tij në tokë pastaj e ngriti, duke dashur të tregojë se si ka vepruar Pejgamberi s.a.v.s.) e pastaj tha: "Me emër të All-llahut, me dheun e tokës sonë, me frymën (hukamën) e njërit prej nesh shërohet i sëmuri ynë me lejen e Zotit tonë". (Muttefekun alejhi) 503. Ebu Abdull-llah Uthman ibni Ebil Asi r.a. tregon se i është ankuar Pejgamberit s.a.v.s. për një sëmundje në trupin e vet. I Dërguari i All-llahut i tha: "Vëne dorën tënde në vendin në të cilin ke dhembje dhe thuaj: "Bismil-lahi (tri herë) dhe shtatë herë thuaj: Kërkoj mbrojtje me anë të fuqisë së All-llahut dhe mundësisë së tij prej sherrit të asaj që e ndiej dhe i druaj". (Muslimi) 504. Ibnu Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka hyrë te një beduin për ta vizituar dhe sa herë që hynte për ta vizituar të sëmurin thoshte: "S'duhet mërzitur, pastrim (prej mëkateve), është me dashjen e All-llahut". (Buhariu) 505. Ebu Seid El-Hudriu dhe Ebu Hurejre r.anhuma kanë qenë dëshmitar se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush thotë: 'La ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber' (nuk ka Zot, përveç All-llahut, All-llahu është më i madhi), All-llahu do ta dëshmojë se ai flet të vërtetën dhe do të thotë: 'Është e vërtetë se nuk ka Zot tjetër, përveç Meje, Unë jam më i madhi'. Ndërsa kur të thotë njeriu: 'La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu' (nuk ka Zot, përveç All-llahut, Ai është i vetmi i pashoq), atëherë All-llahu do të thotë: 'Është e vërtetë se unë jam Zot i vetëm dhe nuk kam shok në asnjë send'. Ndërsa kur të thotë robi: 'La ilahe il-lall-llahu, lehul mulku ve lehul hamdu' (nuk ka Zot, përveç All-llahut, i Tij është sundimi dhe Atij i takon falënderimi), atëherë All-llahu xh.sh. thotë: 'Është e vërtetë se nuk ka Zot përveç Meje, dhe sundimi e falënderimi është i Imi'. Ndërsa kur të thotë robi: 'Nuk ka Zot, përveç All-llahut, nuk ka asnjë akt, punë dhe ndërrim që bëhet përveç me fuqinë e All-llahut', atëherë All-llahu do të thotë: 'Është e vërtetë se nuk ka Zot, përveç Meje, dhe çdo ndryshim, çdo aksion dhe çdo fuqi është vetëm me Mua (kjo është vepër vetëm Imja)'. Atëherë i Dërguari i All-llahut tha: "Kush e thotë këtë gjatë sëmundjes së vet e pastaj vdes, nuk do ta përtyp (gëlltit) zjarri i Xhehennemit". (Tirmidhiu, hadith hasen) 506. Ibni Abbasi r.anhuma tregon se Ali ibni Ebi Talib r.a. doli prej te Pejgamberi s.a.v.s. kur ishte shumë i sëmurë, nga e cila sëmundje edhe vdiq, dhe njerëzit i thanë: "O Ebul Hasan, si është i Dërguari i All-llahut?" Aliu r.a. u përgjigj: "Është ngritur, el-hamdu li-l-Lah, i shëndoshë". (Buhariu) 507. Kasim ibni Muhammed tregon se Aisheja r.a. ka thënë: "Va re'sahu!" (O për kokën time!), kurse Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Bel ene va re'sahu!" (Jo, por për kokën time) ), dhe e përmend hadithin në vijim. (Buhariu) 508. Ummi Seleme r.anha thotë: "Hyri Pejgamberi s.a.v.s. ke Ebu Seleme të cilit i ishte ngujuar shikimi. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. ia mbylli sytë dhe tha: "Vërtet kur të dalë shpirti, atëherë atë e përcjell edhe të pamurit". Në atë moment disa anëtarë të familjes së Ebu Selemes filluan të bërtasin. Pejgamberi s.a.v.s. atëherë tha: "Mos kërkoni për vete përveç hajrit, sepse melaqet bëjnë amin për të gjitha ato që ju i thuani". Pastaj tha: "O All-llahu im, fale Ebu Selemen dhe ngrite shkallën e tij në atë të të udhëzuarve dhe fali pasardhës të denjë, na falë neve dhe atë o Zot i botëve dhe bërja gjerë në varrin e tij dhe jepi ndriçim në të". (Muslimi) 509. Ummi Seleme r.anha tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të jeni prezent te i sëmuri apo te i vdekuri, atëherë folni mirë, sepse melaqet bëjnë amin për tërë atë që ju flitni". Ummi Seleme r.anha tregon se kur ka vdekur Ebu Seleme, shkova te Pejgamberi s.a.v.s. e i thashë: "O i Dërguari i All-llahut, Ebu Seleme vdiq". Ai më tha: "Thuaj: O Zoti im, më fal mua dhe Ebu Selemen dhe më jep mua pasardhës të mirë!". Pastaj thashë se All-llahu më dha pas tij më paso një jetë të mirë!". Dhe, me të vërtetë All-llahu më dha atë që ishte më i mirë se ai, Muhammedin s.a.v.s". Muslimi e transmeton kështu: "Kur të jeni prezent te i sëmuri apo te i vdekuri", këtu transmetuesi dyshon. Ndërsa, Ebu Davudi dhe të tjerët e transmetojnë vetëm të vdekurin pa dyshim. 510. Ummi Seleme r.anha thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Robit të cilit i ndodh ndonjë fatkeqësi dhe thotë: "Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun". (Vërtet ne jemi të All-llahut dhe te Ai do të kthehemi), o Zoti im, më jep shpërblim në këtë fatkeqësi dhe zëvendësoma me një të mirë, vërtet atë i cili e thotë këtë, All-llahu do ta shpërblejë për fatkeqësinë që i ka ndodhur me një shpërblim të mirë". Ummi Seleme thotë: "Pasi ka shkuar në ahiret Ebu Seleme, unë jam lutur ashtu siç më ka mësuar Pejgamberi s.a.v.s. dhe për këtë All-llahu ma ka dhënë Pejgamberin s.a.v.s". (Muslimi) 511. Ebu Musa r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur robit i vdes fëmija, All-llahu u thotë meleqve: 'A ia keni marrë shpirtin birit të robit Tim?' Meleqët thonë: 'Po!' Pastaj u thotë: 'Ia keni marrë frytin e zemrës së tij?' Meleqët thonë: 'Po!' Pastaj prapë All-llahu thotë: 'Çka tha për këtë robi im?' Meleqët thonë: 'U falënderua dhe kërkoi kthim te Ti!' All-llahu xh.sh. thotë: 'Ndërtoni robit Tim një shtëpi në Xhennet dhe jepjani emrin 'Bejtul hamd' (shtëpia e falënderimit)". (Tirmidhiu, hadith hasen) 512. Usame ibnu Zejdi r.anhuma thotë: "Njëra prej vajzave të Pejgamberit s.a.v.s. dërgoi te i Dërguari i All-llahut një njeri që t'i tregojë dhe ta thërrasë se një fëmijë - apo djalë - i saj është para vdekjes. Pejgamberi s.a.v.s. i tha të dërguarit të saj: "Kthehu te ajo dhe thuaj se e All-llahut është e tërë ajo që e merr, e All-llahut është edhe ajo që e jep dhe çdo gjë te Ai është me afat (exhel) të caktuar dhe për këtë urdhëroje atë që të bëjë durim dhe të llogarisë në dëmshpërblim (kompensim)". (Transmetuesi e përmend hadithin në tërësi). (Muttefekun alejhi) 513. Ibnu Umeri r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. e ka vizituar Sa'd ibni Ubadeten dhe se së bashku me Pejgamberin s.a.v.s. ishin Abdurrahman ibnu Avf, Sa'd ibnu Ebi Vekkas dhe Abdull-llah ibnu Mes'ud r.anhum. Pejgamberi s.a.v.s. qau dhe kur ata e panë se si qante i Dërguari i All-llahut qanë edhe ata e ai pastaj u tha: "A nuk dëgjoni? Vërtet All-llahu nuk do të dënojë për shkak të lotit të syrit e as për dëshpërimin e zemrës, por do të dënojë për shkak të kësaj ose do të mëshirojë". Kur tha "për shkak të kësaj", atëherë bëri me shenjë kah gjuha". (Muttefekun alejhi) 514. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. hyri te i biri i tij Ibrahimi, i cili ishte para vdekjes dhe iu mbushën sytë me lotë dhe Abdurrahman ibnu Avfi i tha: "Edhe ti, o i Dërguari i All-llahut?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "O ibnu Avf, kjo është mëshirë", e pastaj vazhdoi: "Vërtet syri qan, zemra dëshpërohet, por ne nuk do të themi përveç atë me të cilën është i kënaqur Zoti ynë. Ne për shkak të ndarjes tënde, o Ibrahim, jemi të pikëlluar". (Buhariu dhe një pjesë Muslimi) Hadithet rreth kësaj teme janë të shumta dhe të njohura në Sahih. 515. Ebu Rafi Eslem, rob i të Dërguarit të All-llahut xh.sh. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e lanë të vdekurin dhe për të nuk flet asgjë, i fsheh të gjitha ato që i ka parë te ai, All-llahu xh.sh. do t'ia falë mëkatet dyzet herë më tepër". (Hakimi, i cili thotë se hadithi është sahih sipas konditave të Muslimit) 516. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush prezenton xhenazen derisa të falet namazi e ka për shpërblim një kirat, ndërsa ai që prezenton derisa të varroset, shpërblehet me dy kirate". Të pranishmit thanë: "Ç'janë dy kirate?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Ai shpërblim është sa dy kodra të mëdha". (Muttefekun alejhi) 517. Ummi Atijja r.anha thotë: "Na është ndaluar përcjellja e xhenazes, por ky ndalim nuk ishte i rreptë sikurse te ndalimet tjera (haram)". (Muttefekun alejhi) 518. Ibnu Abbasi r.anhuma tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Kushdo që vdes prej muslimanëve dhe në faljen e xhenazes së tij marrin pjesë dyzet veta, të cilët nuk i bëjnë shok (shirk) All-llahut, vërtet All-llahu do ta pranojë shefatin e tyre". (Muslimi) 519. Merthed ibnu Abdull-llah El-Jezenij thotë: "Kur Malik ibnu Hubejre r.a. e falte namazin e xhenazes dhe kur njerëzit e pranishëm ishin pak, i ndante në tri pjesë e pastaj u thoshte se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kujt i falet namazi i xhenazes prej tri safave, atij i është premtuar Xhenneti". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen) 520. Ebi Abdurrahman Avf ibni Malik r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. e ka falur një xhenaze dhe e kam mbajtur në mend lutjen e tij, të cilën ai e lexoi: 'O Zoti im, fale dhe mëshiroje, falja mëkatet e tij. Bëja të këndshëm qëndrimin e tij, zgjeroja vendbanimin e tij të ri. Laje trupin e tij me ujë, borë e akull të mirë dhe të këndshëm, dhe pastroje prej mëkateve të tij ashtu si pastrohen rrobat e bardha prej fëlliqësirave, ndërroja shtëpinë me më të mirë, dhe familjen me më të mirë si dhe gruan me më të mirë. Fute në Xhennet dhe mbroje nga dënimi i varrit dhe dënimi i zjarrit të Xhehennemit". Transmetuesi thotë: "Aq sa dëshirova që unë të isha i vdekuri". (Muslimi) 521. Ebu Hurejre, Ebu Katade dhe Ebu Ibrahim Eshhelij nga baba i tij - i cili ishte sahab i Pejgamberit s.a.v.s. - r.anhum tregojnë se Pejgamberi s.a.v.s. e ka falur një xhenaze dhe ka thënë: "O Zoti im, fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, të vegjlit dhe të mëdhenjtë, meshkujt dhe femrat, ata që janë të pranishëm dhe ata që mungojnë. O Zoti im, atë të cilin e bjen në këtë jetë, bëre të jetojë në Islam, e atë të cilin e vdesë prej nesh, bëre të vdes me iman. O Zoti im, mos na ndaj nga dobia e tij dhe mos na vë në sprovë pas tij". (Tirmidhiu sipas rivajetit të Ebu Hurejres dhe Eshhelis. Transmetimi i Ebu Davudit nga rivajeti i Ebu Hurejres dhe Katades. Hakimi thotë: Hadithi i Ebu Hurejres është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe të Muslimit. Tirmidhiu thotë se Buhariu ka thënë: Rivajeti më i saktë i këtij hadithi është i Eshheliut. Buhariu thotë: Gjëja më e saktë në këtë temë është hadithi i Avf ibni Malikut). 522. Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kur të falni namazin e të vdekurit, atëherë lutuni për të me gjithë zemër". (Ebu Davudi) 523. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. në një xhenaze ka thënë: "O Zot, Ti je Zot i tij dhe Ti e krijove dhe Ti e drejtove në Islam. Ti ia ke marrë shpirtin dhe Ti i di të fshehtat dhe të dukshmet e tij, ne kemi ardhur të kërkojmë shefaatin Tënd për këtë të vdekur dhe fale". (Ebu Davudi) 524. Vathile ibnul Esk'a r.a. thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. e fali me ne xhenazen e një njeriu musliman dhe gjatë lutjes e dëgjova duke thënë: "O Zoti im, ky i biri i filanit është në mbrojtjen Tënde dhe në fqinjësinë Tënde dhe ruaje nga prova e varrit dhe dënimi i zjarrit. Ti e përmbush premtimin dhe meriton falënderim. O Zoti im, fale dhe mëshiroje. Vërtet, Ti je Ai që fal dhe mëshiron". (Ebu Davudi) 525. Abdull-llah ibni Ebi Evfa r.anhuma në xhenazen e vajzës së vet i ka marrë katër tekbire dhe pas tekbirit të katërt qëndroi sa në mes dy tekbireve të para duke kërkuar falje dhe duke u lutur për bijën e vet, e pastaj tha: "I Dërguari i All-llahut vepronte po në këtë mënyrë". Ndërsa në një rivajet thuhet: Bëri katër tekbire, pastaj qëndroi një moment derisa mendova se ai do të thërret edhe tekbirin e pestë, pastaj dha selam në të djathtë dhe në të majtë. Pasi mbaroi, i thamë: "Ç'është kjo?" Ai u përgjigj: "Unë nuk kam shtuar më tepër se ajo që e kam parë Pejgamberin s.a.v.s"., ose ka thënë: "Kështu ka vepruar i Dërguari i All-llahut". (Hakimi, hadith hasen) 526. Transmeton Ebu Hurejre r.a., nga Pejgamberi s.a.v.s. që ka thënë: "Shpirti i besimtarit është i lidhur me borxhin e vet derisa mos t'i lahet". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 527. Husajn ibni Vahvah r.a. tregon se është sëmurë Talha ibnu Berrai ibn Azib r.anhuma dhe erdhi Pejgamberi s.a.v.s. ta vizitojë e i tha: "Unë nuk e shoh Talhan ndryshe vetëm të vdekur, më lajmëroni mua dhe ngutuni me të. Vërtet nuk ka nevojë që trupi i muslimanit të mbyllet në mesin e njerëzve të shtëpisë". (Ebu Davudi) 528. Aliu r.a. thotë: "Ishim në xhenaze në Bekiil Garkad dhe erdhi i Dërguari i All-llahut e u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Ai mbante një shkop, e luajti kokën dhe filloi të shpojë në tokë me shkopin e vet e pastaj tha: "Nuk ka asnjë prej jush e që nuk i është përcaktuar një vend në Xhehennem e një vend në Xhennet". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, a nuk duhet që ne të mbështetemi në librin tonë?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Punoni, kryeni obligimet tuaja, çdokush është i lehtësuar për atë që është krijuar". (Transmetuesi përmend përfundimin e hadithit). (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Edhe ata, të cilët kanë ardhur pas tyre, thonë: 'O Zoti ynë! Na e fal neve dhe vëllezërve tanë që na kanë prirë në besim". (el-Hashr:10) 529. Aisheja r.a. tregon se një njeri i ka thënë Pejgamberit s.a.v.s.: "Vërtet, nëna ime ka ndërruar jetë dhe kam parë se sikurse të mundej të fliste do të më urdhëronte të jap sadaka (lëmoshë) për të. A ka dobi nëse unë jap sadaka për të?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Po!" (Muttefekun alejhi) 530. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme (hajratit), nga dituria prej së cilës kanë dobi të tjerët ose nga pasardhësi i mirë, i cili lutet për të vdekurin". (Muslimi) 531. Enesi r.a. thotë: "Disa njerëz bartnin një xhenaze dhe folën mirë për të. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ashtu duhet të jetë!" Pastaj sollën një xhenaze tjetër dhe njerëzit folën keq për të. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Ashtu duhet të jetë!" Atëherë Umer ibnul Hattabi r.a. pyeti: "Çka duhet të jetë ashtu?" Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: "Për të parin folët mirë dhe duhet të shkojë në Xhennet. Ndërsa, për të dytin folët keq dhe duhet të shkojë në Xhehennem. Ju jeni dëshmitarë të All-llahut në tokë". (Muttefekun alejhi) 532. Ebul Esvedi, i cili thotë: "Erdha në Medine dhe u ula te Umer ibnul Hattabi r.a. ndërsa njerëzit bartnin një xhenaze. Të pranishmit folën mirë për të vdekurin. Umeri tha: "Ashtu duhet të jetë!" Më vonë kaloi një xhenaze tjetër dhe u fol mirë edhe për të. Umeri prap tha: "Ashtu duhet të jetë!" Pastaj kaloi një xhenaze e tretë dhe u fol keq për të. Atëherë Umeri tha: "Ashtu duhet të jetë!" Ebul Esvedi thotë: "Atëherë pyeta: 'Çka duhet të jetë ashtu, o prijës i besimtarëve?' H. Umeri tha: "Unë fola ashtu sikurse ka folur i Dërguari i All-llahut, e ai ka thënë: 'Për cilindo musliman që dëshmojnë katër veta se është i mirë, All-llahu atë do ta çojë në Xhennet'. Ne atëherë thamë: 'E tre?' Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: 'Edhe tre!' Ne pastaj shtuam: 'E dy?' Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: 'Edhe dy!' Pastaj më nuk e kemi pyetur vetëm për një dëshmitar". (Buhariu) 533. Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Muslimanin, të cilit i vdesin tre fëmijë para se ta arrijnë moshën e pjekurisë (bylyk), All-llahu xh.sh. do ta çojë në Xhennet për shkak të dashurisë dhe mëshirës së tij ndaj fëmijëve". (Muttefekun alejhi) 534. Ebu Seid El-Hudriu r.a. thotë: "Erdhi një grua te i Dërguari i All-llahut dhe tha: "O i Dërguari i All-llahut, burrat po vijnë në bisedë te ti, prandaj caktoje edhe për ne një ditë, në të cilën do të tubohemi që të na mësosh atë që All-llahu ta ka mësuar ty". Pastaj, i Dërguari i All-llahut tha: "Tubohuni këtë dhe këtë ditë", kur edhe u tubuan, pastaj erdhi Pejgamberi s.a.v.s. dhe na mësoi atë që ia pat mësuar All-llahu, duke thënë: "Cilësdo grua që i vdesin tre fëmijë (të moshës jomadhore), ata do të jenë perde (mburojë) për të prej zjarrit të Xhehennemit". Një grua pyeti: "E nëse i vdesin dy fëmijë?" I Dërguari i All-llahut u përgjigj: "Edhe dy!" (Muttefekun alejhi) 535. Ka'b ibnu Malik r.a. vërteton se Pejgamberi s.a.v.s. u nis në luftën e Tebukut ditën e enjte dhe ai dëshironte që të nisej në rrugë ditën e enjte. (Muttefekun alejhi) Në një rivajet në Sahihajn (të Buhariut dhe Muslimit) thuhet: "Vërtet pak herë i Dërguari i All-llahut është nisur në rrugë përveç ditës së enjte". 536. Sahr bin Vadaate El-Gamidij Es-Sahabij r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "O Zoti im, bekoje ummetin tim në mëngjeset e hershme!" Pejgamberi s.a.v.s. kur e dërgonte patrullën apo ushtrinë, atë e bënte në fillim të ditës. Transmetuesi Sahr ishte tregtar dhe gjithnjë e niste karvanin e tregtisë në fillim të ditës dhe kështu u pasurua dhe fitoi shumë. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë: hadith hasen) 537. Amr ibn Shuajb nga gjyshi i tij përmes babait të tij transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Një kalorës i vetëm është një shejtan (i humbur), dy kalorës janë dy shejtanë (të humbur), ndërsa tre kalorës janë udhëtarë". (Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu, hadith hasen) 538. Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre r.anhuma tregojnë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur tre veta nisen për në rrugë, le ta zgjedhin menjëherë njërin për prijës (udhëheqës) të vetin". (Ebu Davudi me isnad të mirë - hadith hasen) 539. Ibnu Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shoqëria më e mirë është prej katër vetave, çeta më e mirë është patrulla prej katërqind vetave, ndërsa ushtria më e mirë është prej katër mijë vetave. Dymbëdhjetë mijë ushtarë nuk mund të pësojnë disfatë e si shkak të merret numri i vogël". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen) 540. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur të udhëtoni nëpër kullosa, jepjani deveve atë që u takon prej tokës. Ndërsa kur të udhëtoni nëpër shkretëtirë, ngutuni të kaloni sa më shpejtë, para se të nxehë dielli; e nëse pushoni, largohuni nga rrugët, sepse ato janë rrugë të kafshëve të egra dhe vendstrehim i luanëve gjatë natës". (Muslimi) 541. Enesi r.a. thotë: "Ne kur ndodheshim në ndonjë vend , nuk faleshim para se t'i vendosnim (rehatonim) kafshët bartëse ". (Ebu Davudi sipas konditave të Muslimit) 542. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. e kishte traditë të rrijë mbrapa gjatë udhëtimit. Ashtu u ndihmonte të dobtëve, i shoqëronte dhe lutej për ta. (Ebu Davudi me isnad të vërtetë) All-llahu i Madhëruar thotë: "I cili ju bën të mundshme të udhëtoni me lundra dhe kafshë. Që të vendoseni mbi to dhe që të kujtoni dhuntitë e Zotit tuaj e të thuani: 'Qoftë lavdëruar Ai, i cili na i ka nënshtruar ato. Ne këtë nuk do të mund ta bënim'". (ez-Zuhruf:12-14) 543. Ibnu Umeri r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. kur hipte në kafshën kalëruese të vet dhe nisej për rrugë, tri herë thoshte: "All-llahu ekber", e pastaj vazhdonte: "Falënderimi i qoftë Atij që na e bëri këtë, ruajtës të të cilit ne nuk jemi dhe ne do të kthehemi prap te Krijuesi ynë. O Zoti im, të lutemi Ty në këtë udhëtim tonin për devotshmëri dhe mirësi, si dhe të bëjmë vepra të atilla prej të cilave Ti je i kënaqur. O Zoti im, na e lehtëso këtë udhëtim dhe na e bënë të afërt largësinë . O Zoti im, Ti je shoqërues yni në udhëtim dhe zëvendës yni në familje. O Zoti im, unë kërkoj ndihmë prej Teje nga vështirësitë e rrugës dhe prej të pamurit të dëshpëruar dhe prej keqësimit të gjendjes në pasuri, familje dhe fëmijë". Pejgamberi s.a.v.s. kur kthehej e përsëriste dhe shtonte: "Të kthyer e të penduar, Zotin tonë duke e falënderuar". (Muslimi) 544. Ali ibni Rebiate thotë: "Isha i pranishëm kur Ali ibnu Ebu Talibi zuri një kalë që të hipë në të dhe pasi që e vuri këmbën e vet në zenxhin tha: "Bismil-lahi", ndërsa kur u vendos mbi shpinën e tij tha: "Falënderimi i qoftë All-llahut, që na krijoi këtë, pronarë të së cilës ne nuk jemi e as ruajtës. Dhe ne vërtet do të kthehemi te Krijuesi ynë". Pastaj tri herë tha: "El-hamdulil-lah", tri herë: "All-llahu është më i Madhi!", e pastaj vazhdoi: "Lavdërimi të takon vetëm Ty, unë jam mizorues i shpirtit tim, më fal, sepse nuk ka falës përveç Teje". Pastaj qeshi dhe të pranishmit i thanë: "O prijës i besimtarëve, për çka qeshe?" Ai u përgjigj: "E kam parë të Dërguarin e All-llahut duke vepruar kështu. Pastaj qeshi e unë i thashë: "O i Dërguari i All-llahut për çka qesh? " Ai u përgjigj: "Vërtet Krijuesit tënd i pëlqen kur robi thotë:Falmi mëkatet, sepse ai e di se mëkatet nuk mund t'i falë askush tjetër". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, hadith hasen. Ky është teksti i Ebu Davudit) 545. Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi e kishte traditë të rrijë mbrapa gjatë udhëtimit. Ashtu u ndihmonte të dobtëve, i shoqëronte dhe lutej për ta. "Ne ngritnim tekbire, kur ngriheshim në kodrina, ndërsa falënderonim All-llahun kur zbritnim në rrafshina". (Buhariu) 546. Ebu Hurejre r.a. tregon se një njeri ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, kam ndërmend të udhëtoj, prandaj më porosit diçka". Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Të porosis takvallukun (frikën nga All-llahu) dhe të marrësh tekbire në çdo kodrinë". Pasi njeriu shkoi, Pejgamberi s.a.v.s. tha: "O Zoti im, afroja largësinë dhe lehtësoja udhëtimin!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 547. Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thotë: "Ishim me të Dërguarin e All-llahut në një udhëtim dhe çdoherë që ngriheshim mbi ndonjë luginë me zë thoshim: "La ilahe il-lall-llah, All-llahu ekber". Zëri ynë ngrihej lartë. I Dërguari i All-llahut me një rast tha: "O njerëz, frenojeni vetveten, sepse ju nuk i luteni të shurdhëtit apo atij që nuk është i pranishëm. Ai është me ju. Ai dëgjon dhe është afër". (Muttefekun alejhi) 548. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (musafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen. Në rivajetin e Ebu Davudit ishte hequr fjala "veledihi" - për fëmijën e vet) 549. Havla binti Hakim r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kush vendoset në një vend (banesë, pushimore, hotel, etj.) pastaj thotë: Kërkoj mbështetje me fjalët e përsosura të All-llahut nga sherri asaj që ka krijuar; nuk do ta dëmtojë asgjë derisa të largohet prej atij vendi". (Muslimi) 550. Enesi r.a. thotë: "Udhëtuam me të Dërguarin e All-llahut dhe kur arritëm afër Medines, Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Të kthyer, të penduar e të përkushtuar, Zotin tonë duke e falënderuar". Pejgamberi s.a.v.s. i përsëriste këto fjalë derisa arritëm në Medine". (Muslimi) 551. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nuk i lejohet një gruaje, e cila beson në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit, të marrë rrugë të gjatë prej një dite e një nate pa e shoqëruar një i afërm i familjes". (Muttefekun alejhi) 552. Ibnu Abbasi r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Assesi nuk duhet lënë vetëm një burrë me një grua, të cilën nuk e shoqëron një i afërm. Gruaja nuk duhet të udhëtojë pa të afërmin e saj". Një njeri tha: "O i Dërguari i All-llahut, gruaja ime udhëton për në haxhxh, kurse unë jam regjistruar në këtë e këtë betejë?" Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: "Shko dhe kryeje haxhxhin së bashku me gruan tënde!" (Muttefekun alejhi) 553. Ebu Umame r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Lexojeni Kur'anin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet". (Muslimi) 554. Nevvas bin Sem'an r.a. thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Ditën e Gjykimit do të vijë Kur'ani dhe të zotët e tij, të cilët vepronin sipas tij në këtë botë (dunja), u prijnë suret "El-Bekaretu" dhe "Ali imran", të cilat ndërmjetësojnë për shokun (lexuesin) e vet". (Muslimi) 555. Uthman ibnu Affan r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kur'an dhe ia mëson atë dikujt". (Buhariu) 556. Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shembulli i besimtarit që lexon Kur'anin, është sikurse shembulli i qitrës (etruxhxhetu): aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur'anin, është sikurse hurma (temretu): nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kur'anin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte) (rejhanetu), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e idhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur'anin, është sikurse shembulli i kungullit të egër (handzaletu), që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të idhët". (Muttefekun alejhi) 557. Umer ibnul Hattabi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet All-llahu me këtë Libër do t'i ngrit disa popuj, ndërsa do t'i ulë disa të tjerë". (Muslimi) 558. Ibnu Umer ibnul Hattabi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka xhelozi vetëm në dy veta: Njeriut të cilit All-llahu ia ka dhënë Kur'anin dhe ai e lexon atë (në namaz) natën dhe ditën , dhe njeriut të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon natë e ditë në bamirësi". (Muttefekun alejhi) 559. Berra bin Azib r.anhuma thotë: "Ishte një njeri i cili lexonte suretul Kehf, kurse pranë tij ishte një kalë i lidhur me dy litarë. Në një moment zbriti një re dhe filloi t'i afrohet, ndërsa kali filloi të ikë prej saj. Pasi agoi, njeriu erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Kjo është mëshirë, zbriti për hir të Kur'anit". (Muttefekun alejhi) 560. Abdull-llah ibnu Amr ibnul Asi r.anhuma tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Poseduesit të Kur'anit do t'i thuhet: Lexo dhe hip lartë, lexoje ashtu si e ke lexuar në dynja. Vendi yt do të jetë ke ajeti i fundit të cilin do ta lexosh". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen sahih) 561. Ebu Musa r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ruajeni Kur'anin, betohem në Atë që shpirti i Muhammedit është në duart e Tij, vërtet Kur'ani zgjidhet më shpejt se sa deveja nga litari i saj". (Muttefekun alejhi) 562. Ibnu Umeri r.anhuma tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Vërtet shembulli i një hafidhi të Kur'anit është sikurse shembulli i një deveje të lidhur. -Nëse kujdeset për të e mban e nëse e lë ik". (Kështu pra është edhe me hafidhin e Kur'anit, nëse gjithnjë e lexon do të mbetet hafidh i tij, përndryshe do ta harrojë). (Muttefekun alejhi) 563. Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "All-llahu nuk i lejon askujt atë që ia ka lejuar Pejgamberit, që me zë të bukur, melodik e të lartë ta lexojë Kur'anin". (Muttefekun alejhi) 564. Berra bin Azib r.anhuma thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke lexuar në namazin e jacisë "Vettini vezzejtuni" (suren Tin). Unë nuk kam dëgjuar zë më të bukur se zërin e Pejgamberit s.a.v.s". (Muttefekun alejhi) 565. Nga Ebu Seid El-Huderijj r.a. përcillet se i Dërguari All-llahut (s.a.v.s.) ka thënë për "Kulhuvall-llahu ehad": "Për Atë, shpirti im në duart e të cilit është, kjo sure është e barabartë me një të tretën e Kur'anit". Në një transmetim tjetër tregohet se I Dërguari i All-llahut u tha shokëve të tij: "A asnjëri prej jush nuk mund ta lexojë një të tretën e Kur'anit brenda një nate?" -Kjo iu duk e rëndë atyre dhe thanë: "Cili prej nesh do të mund ta përballonte o I Dërguari i All-llahut?" -Në atë rast u përgjigj: "Kulhuvall-llahu ehad. All-llahus-samed është një e treta e Kur'anit" (Transmeton Buhariu) 566. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë se: "'Kul huvAll-llahu ehad' është e barabartë me një të tretën e Kur'anit". (Transmeton Muslimi) 567. Ebu Mes'ud El-Bedrijj r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures "Bekare" gjatë një nate, do t'i mjaftojnë". (Muttefekun alejhi) 568. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Më autorizoi Pejgamberi s.a.v.s. për ruajtjen e zekatit të Ramazanit (sadakai fitrit) dhe më erdhi një udhëtar që filloi të marrë ushqim, e kapa dhe i thashë: "Patjetër do të të dërgoj te i Dërguari i All-llahut!" Ai tha: "Unë jam i nevojshëm, unë kam familje dhe nevojë shumë të madhe". Unë e lejova të shkojë. Kur agoi, i Dërguari i All-llahut tha: "O Ebu Hurejre ç'bëri me ty ai që e zure mbrëmë?" Unë i thashë: "O i Dërguari i All-llahut, u ankua në nevojshmëri dhe familje, më është dhimbsur dhe për këtë e lashë të hyjë. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Sa i përket atij, ai të ka gënjyer dhe prapë do të vijë". Pasi e dija se do të vijë prapë, sipas fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s., unë e pritja: erdhi dhe filloi të marrë ushqim. Unë i thashë: "Të dërgoj te Pejgamberi s.a.v.s". Ai prapë tha: "Më lësho, unë jam i nevojshëm, kam shumë fëmijë dhe nuk do të vij tjetër herë". Mu dhimbs dhe e lëshova të shkojë. Të nesërmen i Dërguari i All-llahut më tha: "O Ebu Hurejre ç'bëri me ty ai që e zure mbrëmë?" Unë i thashë: "Ankohej se ka nevojë shumë të madhe dhe ka shumë fëmijë. Mu dhimbs dhe e lirova të shkojë". Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Ai të ka gënjyer dhe përsëri do të kthehet". E prita për të tretën herë kur erdhi të marrë ushqim. E kapa dhe i thashë: "Gjithsesi do të të dërgoj te Pejgamberi s.a.v.s. Kjo është hera e tretë që ti thua se nuk do të kthehesh dhe prapë vjen". Ai më tha: "Liromë, sepse unë do t'i mësoj disa fjalë, të cilat do të sjellin dobi te All-llahu". I thashë: "Cilat janë ato?" Ai më tha: "Kur të shkosh të fleshë në shtratin tënd, lexoje ajeti Kursinë deri në fund të ajetit: "All-llahu la ilahe il-la huvel hajjul kajjumu", dhe se All-llahu atë natë do të më ruajë dhe se shejtani nuk do të më afrohet deri në agim. Për këtë e lejova të shkojë. Të nesërmen pas agimit, Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Çka bëri robi me ty dje?" Unë i thashë: "O i Dërguari i All-llahut, ai më premtoi se do të më mësojë disa fjalë me të cilat All-llahu do të më sjellë dobi, për këtë e lejova të shkojë". Pejgamberi s.a.v.s. më tha: "Cilat janë ato fjalë?" Unë i thashë se ai më tha: 'Kur të shkosh të flesh lexoje ajeti Kursinë "All-llahu la ilahe il-la huvel hajjul kajjumu", atë do ta kesh vazhdimisht mbrojtës të All-llahut, as nuk do të të afrohet ndonjë shejtan derisa të zgjohesh. Prap e lejova të shkojë. Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Të ka thënë të vërtetën, edhe pse ai gjithmonë është gënjeshtar. A e di se me kënd ke biseduar prej tre netësh o Ebu Hurejre?" I thash: Jo. Ai ishte shejtan!", - m'u përgjigj. (Buhariu) 569. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Ata njerëz që tubohen në njërën prej shtëpive të All-llahut (xhami), që të lexojnë Librin e All-llahut dhe ta studiojnë në mes veti, do t'ju vijë atyre paqja (qetësia) e plotë e All-llahut dhe do t'i mbulojë mëshira e Tij, dhe melaqet do të kujdesen për sigurimin e tyre e All-llahu do t'i lavdërojë tek ata që i ka pranë". (Muslimi) All-llahu i Madhëruar në Kur'an thotë: "O besimtarë! Kur të niseni të kryeni faljen (namazin), lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja me gjithë bërryla, kurse kokën tuaj fërkojeni (bëni mes-h), edhe këmbët tuaja deri në zog të këmbës. Dhe nëse jeni të papastër (xhunub), atëherë pastrohuni! Por, nëse jeni të sëmurë ose në rrugë, ose në qoftë se keni kryer nevojë natyrore apo keni pasur marrëdhënie me gratë tuaja e nuk gjeni ujë, atëherë me duart tuaja prekni tokën e pastër, lëmoni fytyrat tuaja dhe duart tuaja. All-llahu nuk do t'u bëjë vështirësi, por do që t'ju pastrojë dhe t'ua plotësojë dhuntinë e vet që të jeni mirënjohës". (el-Maide:6) 570. Ebu Hurejre r.a. tregon: "E kam dëgjuar mikun tim s.a.v.s. duke thënë: "Veshja solemne (rrobat dhe stolitë), e besimtarit do të arrijë deri ku ka arritur abdesti". (Muslimi) 571. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur merr abdest robi musliman - besimtari - kur ta lajë fytyrën e vet, prej fytyrës së tij del çdo mëkat që ka bërë duke shikuar me sytë e vet, këto mëkate bien së bashku me rënien e ujit ose me pikën e fundit të ujit. Ndërsa kur t'i lajë duart e veta, atëherë çdo mëkat që e kanë bërë duart e tij bie me ujin ose me pikën e fundit të ujit të dorës. Kur t'i lajë këmbët, atëherë çdo mëkat që kanë ecur në të këmbët e ti do të bie prej këmbës së bashku me ujin e abdestit, apo me pikën e fundit të ujit të abdestit nga këmba, kështu që kur të kryhet abdesti, mbetet i pastër prej mëkateve". (Muslimi) 572. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "A dëshironi t'ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet e juaja dhe me çka i lartëson gradat tuaja?" Të pranishmit i thanë: "Po, o i Dërguari i All-llahut!" Pejgamberi s.a.v.s. u tha: "Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë". (Muslimi) 573. Muavija r.a. thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: "Muezinët do të jenë më qafëgjatët (më të pashmit) në Ditën e Gjykimit". (Muslimi) 574. Abdull-llah ibni Abdurrahman bin Ebu Sa'sa'ah tregon se Ebu Seid El-Hudriu i ka thënë: "Unë të shoh ty që i do dhentë dhe shkretëtirën, kur të jesh me dhen në shkretëtirë dhe kur të thërrasësh ezanin për namaz, atëherë ngrite zërin. Vërtet çdokush që e dëgjon zërin e namazit, qoftë xhind, njeri ose diçka tjetër, do të bëhet dëshmitar Ditën e Gjykimit". Ebu Seidi pastaj tha: "Unë këtë e kam dëgjuar prej të Dërguarit të All-llahut". (Buhariu) 575. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kur thirret ezani për namaz, atëherë shejtani lëshon një zë dhe ik që të mos e dëgjojë ezanin. Dhe kur të kryhet ezani, ai kthehet derisa të tubohen njerëzit për namaz dhe derisa të bëhet ikameti, atëherë u afrohet njerëzve dhe u pëshpërit: Përkujtoje këtë, përkujtoje atë, etj., të cilën gjë njeriu nuk do ta kishte përkujtuar pa namaz, kështu që njeriu nuk di sa ka falur". (Muttefekun alejhi) 576. Abdull-llah ibni Amr ibni As r.anhuma thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kur ta dëgjoni ezanin, thuani ashtu siç thotë muezini, e pastaj bini salavat për mua, sepse kush bie salavat për mua një herë, All-llahu i Madhëruar vetëm për atë salavat për mua, do të bijë dhjetë salavate për të. Pas salavateve lutne All-llahun për mua të ma japë ndërmjetësimin. Ai është një shkallë e veçantë, Xhennet, që i takon një robi prej robërve të All-llahut e shpresoj se ai rob do të jem unë. Ai i cili lutet për ndërmjetësim timin dhe t'i mundësohet shefaati". (Muslimi) 577. Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush thotë pasi ta dëgjojë thirrjen (ezanin): "O Zoti im dhe Zot i kësaj thirrjeje të përsosur dhe i namazit që do të falet, jepja Muhammedit ndërmjetësimin dhe nderimin, ringjalle atë në vendin më të famshëm, të cilin ia ke premtuar, kush e thotë këtë do të jem shefaatxhi i tij në Ditën e Gjykimit". (Buhariu) 578. Enesi r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Lutja (duaja) në mes ezanit dhe ikametit nuk kthehet". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen) All-llahu i Madhëruar në Kur'an thotë: "Namazi me të vërtetë të pengon nga amoraliteti dhe nga çdo gjë e keqe". (el-Ankebut:45) 579. Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Çka mendoni, sikur të ishte një lumë para derës së njërit prej jush, në të cilin do të lahej për çdo ditë nga pesë herë, a do të mbetej në të ndytësi?" Të pranishmit thanë: "Nuk do të mbetej kurrfarë ndytësie". Pejgamberi s.a.v.s. atëherë tha: "Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. All-llahu me faljen e namazeve i shlyen mëkatet". (Muttefekun alejhi) 580. Xhabiri r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Shembulli i pesë kohëve të namazit është sikurse një lumë i rrjedhshëm dhe i pastër para derës së njërit prej jush, në të cilin ai lahet pesë herë në ditë". (Muslimi) 581. Ibnu Mes'udi r.a. tregon se kishte marrë një puthje nga një grua, andaj erdhi te Pejgamberi(a.s.) dhe e lajmëroi. All-llahu me këtë rast shpalli ajetin:: "Fale namazin ditën dhe natën, vërtet punët e mira i shlyejnë punët e këqija". Njeriu atëherë i tha Pejgamberit s.a.v.s.: "A vlen kjo për mua?" Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: "Për mbarë ummetin tim!" (Muttefekun alejhi) 582. Nga Uthman bin Affan r.a. thuhet se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Cili njeri prej muslimanëve kur hyn koha e rregullt e namazit, merr abdest e falë namazin me përpikëri të plotë duke i kryer të gjitha ruknet e tij, ky do të jetë keffaret (larje gabimi) për mëkatet e mëparshme, derisa të mos bëjë mëkate të mëdha. Kjo vlen në mënyrë të vazhdueshme". (Muslimi) 583. Burejde r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e lë namazin e ikindisë i humb e tërë puna e tij". (Buhariu) 584. Ebu Hurejre thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush shkon në mëngjes apo mbrëmje në xhami, All-llahu do t'i përgatit atij banesa në Xhennet, çdoherë kur shkon në mëngjes apo mbrëmje". (Muttefekun alejhi) 585. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush pastrohet në shtëpinë e vet, e pastaj shkon në një shtëpi prej shtëpive të All-llahut (xhami), për ta kryer njërin prej farzeve të All-llahut, për çdo hap që bën i shlyhet një mëkat, ndërsa hapi pas tij ia lartëson gradën". (Muslimi) 586. Ubejj ibnu Ka'bi tregon se ishte një njeri prej Ensarëve, nuk e di se ndokush ishte më larg se ai prej xhamisë (e kishte shtëpinë shumë larg xhamisë), por ai nuk e linte asnjë kohë të namazit pa e falur në xhami. Njerëzit i thonin: "Sikur ta kishe blerë një gomar me të cilin do të udhëtoje deri në xhami dhe anasjelltas, gjatë natës dhe në kohën kur bën vapë e madhe". Ai u tha: "Unë nuk do të dëshiroja as shtëpia ime të jetë afër xhamisë, unë dëshiroj që të më shkruhet udhëtimi im në xhami, si dhe të më shkruhet udhëtimi im kur të kthehem te familja". I Dërguari i All-llahut tha: "All-llahu të gjitha këto t'i ka bashkuar". (Muslimi) 587. Xhabiri r.a. thotë: "Hapësira rreth xhamisë në Medine ishte e zbrazët dhe fisi Benu Selime dëshironte të vendosej në afërsi të xhamisë. Për këtë mori vesh Pejgamberi s.a.v.s. dhe u tha: "Jam informuar se ju dëshironi të vendoseni në afërsi të xhamisë?!" Ata iu përgjigjën: "Është e vërtetë, o i Dërguari i All-llahut, ne këtë e dëshirojmë". Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. u tha: "O Beni Selime, në shtëpitë tuaja shkruhen hapat tuaj, (dy herë)! (Për largësinë në mes shtëpive tuaja dhe xhamisë All-llahu do t'ju shpërblejë". Ata i thanë: "Ne nuk i gëzoheshim transferimit". (Muslimi) Buhariu e transmeton kuptimin e tij sipas rivajetit të Enesit. 588. Ebu Hurejre r.a. tregon se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "A dëshironi t'ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet dhe me çka i lartëson derexhet?" Të pranishmit i thanë: "Gjithsesi dëshirojmë, o i Dërguari i All-llahut". Pejgamberi s.a.v.s. atëherë u tha: "Marrja e abdestit edhe kur është vështirë (bën kohë e ftohtë), shkuarja e shpeshtë në xhami, pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë. Kjo është fortifikatë". (Muslimi) 589. Enesi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. e ka vonuar faljen e namazit të jacisë një natë deri në mesnatë, e pasi që e fali namazin u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: "Këta njerëz janë falur e kanë fjetur, por gjithnjë ishin në namaz, gjatë kohës së pritjes së namazit". (Buhariu) 590. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Një njeri i verbër erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha: "O i Dërguari i All-llahut, unë nuk kam udhërrëfyes që më çon deri në xhami". E luti Pejgamberin s.a.v.s. që ta lirojë nga shkuarja në xhami dhe të falet në shtëpinë e vet. Pejgamberi s.a.v.s. e liroi nga shkuarja në xhami, pasi që ai ia ktheu shpinën, Pejgamberi s.a.v.s. e thirri dhe i tha: "A e dëgjon ti thirrjen e ezanit për namaz?" Njeriu i verbër u përgjigj: "Po, e dëgjoj!" Pejgamberi s.a.v.s. atëherë i tha: "Përgjigjju thirrjes!" (Muslimi) 591. Uthman ibni Affani r.a. thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Kush e fal namazin e jacisë me xhemat, është sikurse ai që gjysmën e natës e kaloi në namaz. Ndërsa ai, që e fal namazin e sabahut me xhemat, është sikurse ai i cili është falur vetëm gjithë natën". (Muslimi) Në rivajetin e Tirmidhiut, Uthman bin Affani r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush e fal namazin e jacisë me xhemat, është sikurse ta ketë falur gjysmën e natës vetëm, ndërsa kush e fal namazin e jacisë dhe të sabahut me xhemat, është sikurse të jet falur vetëm tërë natën". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih) 592. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Sikur ta dinin se ç'vlerë kanë namazi i jacisë dhe i sabahut, ata do të vinin (në xhami) qoftë edhe rrëshqanas". (Muttefekun alejhi) 593. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka namaz më të rëndë për munafikët (hipokritët) se namazi i sabahut dhe i jacisë, e sikur ta dinin se çka ka në ta, do të vinin në xhemat, në këto dy namaze edhe rrëshqanas". (Muttefekun alejhi) All-llahu i Madhëruar thotë: "Ruani kohët e faljes si dhe atë të mesmen". (el-Bekare:238) All-llahu xh.sh. po ashtu thotë: "E nëse pendohen, e kryejnë namazin dhe japin zekatin, lëshojuni rrugën". (et-Tewbe:5) 594. Ibnu Umeri r.anhuma thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Mua më është urdhëruar që t'i luftoj njerëzit (pabesimtarë), derisa të dëshmojnë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij, dhe derisa të falin namazin dhe të japin zekatin. E kur e bëjnë këtë, atëherë e kanë të mbrojtur prej meje gjakun dhe pasurinë e tyre, pos nëse i kanë hyrë në hak Islamit, llogaria e tyre është te All-llahu". (Muttefekun alejhi) 595. Muadhi r.a. thotë: "Më dërgoi Pejgamberi s.a.v.s. në Jemen dhe më tha: "Ti do të shkosh te populli që është posedues i Librit (ehlul kitab). Thirri ata që të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, e nëse binden në këtë, atëherë mësoi ata se All-llahu i ka obliguar me pesë kohë të namazit për çdo ditë dhe natë, nëse binden në këtë, atëherë mësoi ata se All-llahu i ka obliguar me zekat (lëmoshë), e cila merret prej të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve. Nëse binden në këtë, atëherë ruaju vlerës së pasurisë së tyre, si dhe ruaju mallkimit të të shtypurit, sepse në mes të të shtypurit dhe All-llahut nuk ka perde". (Muttefekun alejhi) 596. Xhabiri r.a. thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Vërtet midis njeriut dhe shirkut qëndron lënia e namazit". (Muslimi) 597. Burejde r.a. thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Zotimi i cili na ndan neve dhe ata është namazi, andaj ai që e lë atë ka bërë kufr". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen) 598. Shekik ibni Abdull-llah, i cili ishte prej tabiinëve dhe ishte i njohur për përsosuri, thotë: "Shokët e Muhammedit s.a.v.s. nuk e shihnin (konsideronin) lënien e asnjë pune për kufr, përveç lënies së namazit". (Tirmidhiu me sened të vërtetë) 599. Xhabir ibni Semure r.anhuma thotë: "Pejgamberi s.a.v.s. doli në mes nesh dhe tha: "A nuk doni të rreshtoheni ashtu siç rreshtohen melekët tek Zoti i tyre? Ne i thamë: "O i Dërguari i All-llahut, po si rreshtohen melekët tek Zoti i tyre?" Pejgamberi s.a.v.s. tha: "plotësojnë safat njërin pas tjetrit dhe ngjeshen me njëri-tjetrin në saf". (Muslimi)
|