ÇËSHTJA E MBULESËS SË KOKËS NË GJERMANI (I) Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike

Një reagim ndaj diskutimeve rreth ndalesës për ta mbuluar kokën me shami mësuesët muslimane në shkollat gjermane

Shkruan Mr. Zekirija Sejdini

Vendimi pozitiv i Gjykatës kushtetuese gjermane, që përdorimi i mbulesës (shamisë) nga ana e mësueseve muslimane gjatë kohës së mësimdhënjes nëpër shkollat gjermane, nuk mund të ndalohet (ashtu siç ishte praktika e deritanishme), nëse për ndalesën nuk miratohet një ligj apostafat dhe se bartja e shamisë nuk e dëmton neutralitetin e shtetit, ngase veshmbathja hyn në sferën private, riaktivizoi debatet rrethë mbulesës së kokës të mësueseve muslimane në Gjermani në të gjitha nivelet e mundshme.

Diskutimet pas vendimit në fjalë të Gjykatës kushtetuese, i cili pasoi pas ankesës së zonjës Fereshta Ludin e cila vet është ndaluar nga kryerja e detyrës së saj si mësuese për shkak të bartjes së shamisë në kokë, jo vetëm që janë prezente në mediat e ndryshme gjermane, por ato vërehen me të madhe edhe nëpër tubime, konferenca dhe në rrugë, ku secili mundohet të tregojë mendimin e tij rreth çështjes në fjalë.

Si paltforma ashtu edhe profili i pjesëmarrësve në këto diskusione është i shumëllojshëm, ashtu që në të marrin pjesë si politikan ashtu edhe " dijetarë" islamë, aktivistë të ndryshëm, por edhe përfaqësues të shtresave dhe të grupeve të ndyshme.

Në shikim të parë debati rrethë bartjes së mbulesës mbi kokë në shkollat gjermane nga ana e mësueseve muslimane mund të konsiderohet si një dukuri e mirëfilltë që ka për qëllim përfshirjen e të gjitha shtresave të shoqërisë në diskutimet rreth një problemi shoqëror. Pra, ajo mund të klasifikohet si një element i rëndësishëm ose ndoshta edhe i domosdoshëm i shoqërisë moderne, gjë për të cilën nuk do të kishim asnjë kundërvënije. Mirëpo, duke filluar nga materiali e deri te mënyra dhe përmbajtja e argumenteve të përdorura në këto debate nga ana e kundërshtarëvë të mbajtjes së mbulesës (shamisë) nëpër shkollat shtetërore, e posaçërisht të atyre që shfaqen nëpër media, kemi përshtypjen se qëllimet pas diskutimeve në fjalë nuk janë edhe aq të sinqerta siç prezentohen. E kjo përshtypje nuk na ka lindur nga vetvetiu por është e nxitur nga vet tema dhe metodat që janë të përdorura në diskutimet gjatë disa debateve të gjata.
Në vijim do të mundohemi ti analizojmë " argumentet" e kundështarëve të mbulesës së kokës dhe të shprehim qëndrimin tonë rreth kësaj çështjeje, qëndrim ky i cili shpresojmë se do të jet pakë më i qartë nga ai i kundërshtarëve të bartjes së mbulesës mbi kokë nëpër shkollat shtetërore në Gjermani.

Ajo që gjatë diskutimeve në fjalë fillimisht bie në sy, është fakti se pala e cila është kundër bartjes së shamisë nëpër shkollat shtetërore nga ana e mësueseve muslimane nuk shprehet qartë rrethë shkakut të qëndrimit negativ ndaj mbulesës. Shumica nga kundërshtarët e mbajtjes së mbulesës nëpër shkollat shtetrore fillojnë me argumentin kinse mbajtja e mbulesës do të humbas, ose më mirë te themi do ta dëmtojë neutralitetin e shtetit i cili në këtë kuptim duhet të jetë mbi fetë dhe nuk duhet të jap fare sinjale fetare. Sipas tyre mbulesa e kokës së mësuesve që e prezentojnë shtetin do t' i mvishet shtetit një anim fetar. Më tutje ata argumetojnë se mbajtja e mbulesës mund të ndikojë që edhe ato femrat që nuk e mbajnë atë, ta ndjejnë veten si të detyruara që ta mbajnë shaminë. Në anën tjetër disa nga diskutuesit mendojnë se mbulesa simbolizon shtypjen e femrës dhe se ajo andaj duhet të ndalohet. Nuk mungojnë edhe mendime që mbulesa është vetëm traditë dhe ajo nuk buron nga Feja Islame. Pra, siç shihet mendimet e kundërshtarëve të mbajtjes së mbulesës nëpër shkollat shtetrore rreth çështjes në fjalë janë të shumëllojshme, por ne do të përkufizohemi duke i përmendur ato që i hasim më shpesh. Përveç argumentve të përmendura të kundështarëve, mes tjerash dëgjojmë që:

- Mbulesa (shamia) është simbol i Islamit politik dhe ajo është përhapur pas revulucionit islam në Iran,
- Mbajtja e mbulesës (shamisë) është një luksuz fetar të cilin të krishterët që jetojnë në shtetet islamike nuk e kanë as në formën më elementare,
- Këtu është Perëndim dhe vetëm ata që i përshtatën botës perëndimore mund të rrinë këtu etj.

Këto janë argumentet kryesore të kundërshtarëve të mbajtjes së mbulesës nëpër shkollat shtetrore që do t'i analizojmë në vijim të shkrimit tonë.

"Neutraliteti i shtetit"

Ky "argument" për moslejimin e mbulesës është i vetmi që, edhe pse sipas mendimit tonë është i keqinterpretuar, ka baza objektive dhe mbi të cilin mund të ndërtohet një diskutim i shëndoshë. Mbrojësit e këtij mendimi janë të brengosur për neutralitetin e shtetit dhe janë kundër çdo simboli fetar që eventualisht do ta prezentonte shtetin nëpërmes shkollës. Në esencë argumenti ështe me vend, ngase shkollat si institucione shtetërore duhet të jenë neutrale andaj edhe mund të kuptohet vendimi për heqjen e kryqit nga klasat shkollore. Mirëpo, ashtu siç ceket edhe në vendimin e Gjykatës supreme, veshmbathaja e mësuesës është çështje e saj private dhe ajo me veshmbathjen e saj nuk e prezenton shtetin, rrjedhimisht çështja e mbulesës së kokës nuk pranon krahasim me atë të kryqit i cili vendoset nëpër muret e shkollave të cilat e prezentojnë shtetin. Pra mësuesja nuk është pronë e shtetit, ndërsa shkollat janë të tilla, andaj ato duhet të jenë të pastruara nga simbolet fetare.

Në anën tjetër edhe pse mbulesa është obligim (së paku për ato të cilat e mbajnë atë) për muslimanet e jo vetëm stoli, ajo mund t' i gjasojë kryqit të varur në qafë nga ana e një mësuesi të krishterë gjë që është e lejuar, ndërsa mbulesa jo?! Pra, sikur nga vendimi i Gjykatës kushtetuese gjermane ashtu edhe nga vet logjika e shëndoshë del që veshmbathja e mësueses nuk e prezenton shtetin, që do të thotë se ajo nuk mund t' i bëjë dëm neutralitetit të shtetit.

Ajo që brengosë gjatë këtij argumenti ështe dyftyrësia e disa pjesëmarësve. Ashtu që në Bayern (Bavari) ku ndalesa për mbajtjen kryqit nëpër klasa poashtu duhet të vlejë si në Republikat tjera Gjermane, ajo ende mbahet nëpër klasa, ndërsa hiqet vetëm nëse dikush ankohet. Ndërsa mbulesat e femrave muslimane që dëshirojnë të kryejnë obligimet e tyre si arsimtare ndalohen pa asnjë ankesë dhe jo vetëm kaq, por edhe mësueset që vite me rradhë kanë dhënë mësim pa asnjë problem me mbulesë, tani më janë suspenduar nga puna ngase mbajnë mbulesa (shami) në kokë.

Njeriu sado të jetë optimist nuk ka mundësi të mos dyshojë në sinqeritetin e këtij argumenti i cili prap se prap është më i logjikshëm nga ai i dyti.

"Mbulesa mund të ndikojë që edhe ato femra që nuk e mbajnë atë, ta ndjejnë veten si të det yruara që ta mbajnë atë"

Një argumet që qartë tregon se është i nxjeruar nga kuzhina e mirënjohur e paragjykimeve të cilat nuk mungojnë tek bashkqytetarët tanë në Perëndim kur është fjala për fenë Islame. Ky argument jo vetëm që haptazi tregon se mbështetet në paragjykime të gabuara, por ai në të njejtën kohë në një mënyrë bukur të qartë na bën të kuptojmë që kur bëhet fjalë për çështje islame gjykimi mund të jepet edhe para se të bëhet akti për të cilin jepet gjykimi. Andaj, është e vendit që të pyesim se prej kur njerëzit dhe fenomenet gjykohen vetëm në bazë të një mundësie potenciale e cila në asnjë mënyrë nuk mund të verifikohet? Pra, shkurt e shqip, si mund të ndalohet diçka vetëm pse dikujt ia merrë mendja se ajo në një kohë të pacaktuar dhe në rrethana të pacaktuara ndoshta mund të ndikojë negativisht? Ku janë argumentet objektive?

Unë si shqiptar i cili ka jetuar në ish Jugosllavi jam i njohur mirë me këtë lloj akuzimi dhe këtë mënyrë të objektivitetit të gjykimit, ashtu siç janë edhe shqiptarët tjerë të këtyre trevave, mirëpo më habit fakti që disa bashkëqytetarët këtu në perëndim e përdorin këtë metodë në argumenetet e tyre.

"Mbulesa e kokës me shami është vetëm t raditë dhe ajo nuk buron nga Feja Islame"

Ajo çka është më tragjike tek ky grup i " argumentuesve" është fakti se shumica e atyre që e përmbajnë këtë mëndim nuk kanë ansjëfarë lidhje me fenë Islame dhe atë, as në aspektin e besimit, e as në kuptimin shkencor. Njohuritë tepër të kufizuara të këtyre personave rreth fesë Islame kryesishtë burojnë nga mediat, përvojat personale dhe nga ndjenjat e tyre subjektive. Ashtu që shprehjet të natyrës si: unë e njoh çështjen e mbulesës shumë mirë ngase kam një shokë apo shoqe me prejardhje arabe, nuk janë dukuri të rralla që përdoren për t' i përforcuar kompetencat personale në çështjet Islame. Një manipulim që nuk mund të gjendet gati në asnjë diskutim me tematikë tjetër veç atyre me natyrë islame. Vetëm në debatet rreth çështjeve islame secili mund të thotë çka të dëshirojë, edhe atë duke mos pasur nevojë që të posedojë kualifikim dhe autorizim të duhur.

Përveç tjerash në shoqërinë moderne askush nuk ka të drejtë që të përzihet në atë se si dikush duhet ta kuptojë fenë e vetë. Pra, është qesharake kur jemi dëshmitarë të diskutimeve të ndryshme, ku pjesëtarët e feve të tjera në shumicën e rasteve pa ditë ansnjë fjalë arabisht mundohen duke i shfrytëzuar të gjitha mudësitë hermenautike që t'i interpretojnë ajetet (verestet) Kur`anore, ashtu që mbi ato t'i mbështesin argumentet e tyre. Duhet thënë që ajetet dhe hadithet mbi mbulesën e kokës me shami për fëmra janë të qarta, dhe shpjegimi i tyre është çështje e dijetarëve muslimanë të cilët mendimet e tyre rreth çeshtjes në fjalë i kanë thënë para qindra viteve. Andaj, nuk i takon askujt veç akademikëve muslimanë e posaçërishte jo atyre që nuk janë muslimanë dhe nuk kanë thellësi diturish në Islam, dhe atyre që vet nuk e mbajnë atë të diskutojnë rrethë çështjes, e lëre më të japin mendime se ku është burimi i mbulesës dhe çfarë rëndësie ka ajo në Islam.

"Mbulesa simbolizon shtypjen e femrës muslimane" (!?)

Vepra ose adhurimi ndaj Allahut xh.sh. që ndodhë me anë të dhunës nuk pranohet nga Zoti xh.sh., ngase qëllimi nuk është për Të. Këtë e vërtëton edhe ajeti ku Allahu xh.sh qartë tregon se nuk ka dhunë në fe. Përveç kësaj femra që jeton në Perëndim nuk ka nevojë që të lejojë të ushtrohet presion ndaj saj, ngase ajo i ka të drejtat e saja të garantuara nga ana e shtetit. Atëherë, a nuk është një fyerje e rëndë që një femër muslimane që ka studiuar në Gjermani të akuzohet se ajo e mban shaminë me presion. A nuk do të thotë kjo me fjalë të tjera se ajo nuk din të mendojë vetë dhe se ajo nuk është në gjendje t'i mbrojë interesat e saj? Mbi të gjitha nëse mbulesa pa përjashtim e simbolizon shtypjen e femrës, atëherë pse ne interesohemi vetëm për ato fëmra të cilat bëhen arsimtare, ndërsa nuk interesohemi edhe për miliona të tjera. A vallë, vetëm mësueset e mbajnë mbulesën me presion e të tjerat jo? Një argument që haptazi tregon se qëllimi i vërtëtë i përmbajtësve të saj nuk ështe femra por diçka tjetër. Sepse femra nuk shtypet vetëm me mbulesë, por edhe në shumë forma tjera të cilat janë prezente edhe në Gjermaninë moderne. Sa për ilustrim mund të përmendim p.sh. rrahjen e fëmrave, pagesat më të dobëta në krahasim me meshkujtë etj.

"Mbulesa është simbol i Islamit politik dhe ajo ështe përhapur pas revulucionit islamik në Iran; para revulucionit, në Gjermani nuk shihnim femra me mbulesa (shami në kokë), ndërsa tashë rrugët janë të mbushura me to"

Sikur ky "argument" të ishte i vërtetë atëherë çfarë përgjigje do t' i jepnim pyetjes se për çfarë arsye fëmrat muslimane para revolucionit iranian e kanë mbajtur mbulesën? Sigurisht që nënat e muslimanëve d.m.th. gratë e të Dërguarit Muhammedit a.s. nuk kanë mbajtur shamitë e tyre për shakak të revulucionit iranian apo!? As nënat dhe motrat në Ballkan dhe me gjërë nuk e kanë pasur këtë qëllim, ngase ato, jo vetëm që nuk kanë ditur se çka është bërë në Iran, por ato as që kanë ditur se ku gjendet Irani.

Ndërsa ajo se në Gjermaninë e viteve të 70-ta nëpër rrugët dhe vendet publike janë parë shumë më pakë fëmra muslimane me mbulesa mbi kokë, tash për tash paraqet një konkluzion të saktë. Mirëpo nxjerrja e një përfundimi logjik se kjo buron nga politizimi i Islamit dhe nga revulicioni iranian është tepër i gabuar. Zgjidhja e kësaj dukurie nuk është në masën e atyre që mbajnë mbulesa, ngase është fakt se gjeneratat më të vjetra të femrave muslimane gati në gjithë botën kanë mbajtur më tepër mbulesën se gratë e reja. Ashtu që kjo nuk ka ndikuar te numri i femrave të mbuluara në prezencën e tyre në vendet publike, por përmirsimi i pozitës së tyre në shoqërinë Islame. Pra, nuk ishte e mundur që të shohim femra muslimane me shami në vitet e shtatëdhjeta për arsye se ato ishin fare pakë të arsimuara dhe nuk ishin të punësuara, ndaj vendi i vetëm publik ku ato paraqiteshin ishin shitoret ushqimore dhe atë në prezencën e bashkëshortëve të tyre. Ndërsa sot situata është tërsishtë ndryshe. Sot femra muslimane studijon, punon dhe është aktive në çdo sferë të jetës që ështe e lejuar, ashtu që atë mund ta takojmë nëpër univerzitete si studente ose si profesoresha, nëpër spitale si mjeke, në administratë dhe në shumë vende të tjera të jetës shoqërore.

Pra, kjo ngritje e pozitës së femrës është ajo që e bën atë më prezente në kohën e sotshme e jo siç pretendohet rritja e numrit të femrave muslimane që e mbajnë shaminë, ngase jemi deshmitarë që shumica e vajzave, nënat e të cilave kanë mbajtur mbulesën sot nuk e mbajnë atë.

"Mbajtja e mbulesës është një luksuz të cilin të krishterët nuk e kanë në shtetet e veta"

Është e saktë se në shumicën e shteteve ku jetojnë muslimanët, antarët e feve tjera nuk i gëzojnë të drejtat të cilat i gëzojnë muslimanët në perëndim. Mirëpo, a mund të themi që vetë muslimanët i gëzojnë të drejtat e plota në shtetet e tyre amë. Në Turqi dhe Tunis ndalohen shkollat fetare dhe mbulesa, në Algjeri anulohen zgjedhjet e fituara nga muslimanet, në Egjipt burgjet janë të mbushura me muslimanët opozitarë, pra, këta shëmbuj mund t' i shumëzojmë deri në pafund. D.m.th. shtetet islame ende nuk janë në gjendje që parimishtë t'i japin të drejtat qytetarëve të vetë e lerë më të atyre të konfesioneve të ndryshme. Andaj, është për t'u habitur fakti që përmbajtësit e këtij argumenti në këtë rast -kur u konvenon atyrekrahasojnë shoqërinë e tyre të iluminuar me shoqëritë të cilat vet ata në të shumtën e rasteve i paraqesin si të prapambetura.

Përveç asaj asnjë nga shtetet muslimane që ekzistojnë nuk mund të emrohet si vend islam, ngase nuk i përmbushin kushtetet elementare të fesë Islame. Për të krahasuar të drejtat e jo musimanëve në shoqërinë islame duhet të analizohet vet Kur`ani i cili është burimi kryesor i Fesë si dhe veprat dhe sjelljet e të dërguarit Muhammedit a.s. si sqarues i fesë Islame, e jo veprat e pseudo- muslimanëve. Një analizë e tillë do të na sjellë në konkluzion, që si në kohën e të Dërguarit a.s. ashtu edhe në kohën e sundimit musliman në Spanjë, e poashtu edhe gjatë sundimit Osman niveli i tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare ka qenë në nivelin më të lartë të asaj kohe. Andaj, mendojmë se është një humbje e madhe si për shoqërinë bashkëkohore islame, por edhe për atë bashkëkohore perëndimore që nuk e kanë fatin të kenë përjetuar drejtësinë islame dhe tolerancën e saj internacionale dhe inter-religjioze dhe atë, në një kohë kur në Evropë janë djegur njerëz për bindjet dhe përkatësitë e tyre fetare dhe kombëtare.

"Këtu është perëndimor, vetëm ai që i përshtatet Perëndimit ka vend këtu"

Një bindje e cila më tepër tingëllon si nga mesjeta se sa nga shekulli 21. Një shprehje që më tepër na përkujton diktaturën dhe mostolerancën, sesa bashkëjetesën dhe mirëkuptimin. Një thënjë që nuk i ngjan fare një populli që nga gjiri i vet ka nxjerr njerëz si Geten, Kantin ose Günter Grass. Muslimanët të emigruar në Gjermani kanë ardhur me thirrjen e këtij shteti për ta kompenzuar fuqinë punuese të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata me punët e tyre, të cilët kryesishtë kanë qenë nga më të vështirat dhe të cilat nuk i kanë bërë gjermanët, kanë kontribuar në ndërtimin e Gjermanisë së sotme duke e paguar atë me rininë dhe me shëndetin e tyre, bile në disa raste edhe me jetën e tyre duke mos arritur as që të marrin edhe pensionet e tyre.

Duhet të jetë e qartë që këta njerëz kanë ardhur me besimet dhe me traditat e tyre dhe ato janë pranuar ashtu siç kanë qenë. Prandaj, tashë kur ata, jo se nuk duhen më si puntorë, por edhe konsiderohen si shkak kryesorë për rritjen e papunsisë. Askush nuk ka drejtë të mundohet që t' i asimilinojë ata. Këta të huaj duhet të konsiderohen si të barazvlefshëm me vendasit ngase kontributi i tyre në ndërtimin e shtetit modern gjerman është më i madh se sa i vendasve. Andaj, fjalitë si: "këtu është Perëndim dhe vetëm ai që i përshtatet botës perëdimore ka vend këtu" , janë parulla shumë të lira të cilat nuk e shfaqin realitetin sa i përket shkakut të ardhjes së gjeneratave të para të muslimanëve në Gjermani. Ngase ata kanë ardhur me lutje të shtetit gjerman e jo me dhunë.

Përfundim

Edhe pse jemi të mendimit se gjithmonë duhet të jemi optimist dhe se çdo herë gjërat pozitive duhet të nxirren në shesh, ndërsa ato negative duhet të mbulohen për t'i avansuar të mirat, tek argumentet e lartpërmendura të cilat shpeshherë përdoren nga ana e kundërshtarëvë të mbulesës së kokës tek femra muslimane gjatë debateve mbi bartjen e shamisë nga ana e femrave muslimane në shkollat shtetrore, konsiderojmë se qëllimi i diskutimeve të tilla nuk ishte i sinqertë. Poashtu, mendojmë se argumentet e lartëpërmendura janë vetëm një fasadë e mendimeve të ndryshme që gjenden në brendinë e diskutuesve, fakte të cilat për shkaqe të ndryshme nuk mund të shprehën ashtu siç janë në realitet, d.m.th. pa fasadë retorike dhe prapavijë politike.

Pas këtyre diskutimeve më shumë se brenga për neutralitetin e shtetit dhe për të drejtat e femrës muslimane gjendet brenga për pranimin eventual të mbajtes së mbulesës-shamisë. Ndërsa, normalizimi i saj do t'i jepte rastin atyre që nuk e mbajnë atë dhe atyre që kanë paragjykime ndaj saj të shohin se mbulesa nuk mund të redukohet dhe të mbahet e barabartë me dhunën, shtypjen dhe me prapambeturinë, veçëse të kuptohet drejtë se ajo është vetëm një obligim fetarë i cili nuk e përkufizon jetën e femrës muslimane në asnjë mënyrë. Një gjë e tillë mund të rritë numrin e atyre që do ta bartnin shaminë, gjë që sigurisht se nuk do t'i gëzonte bashkqytetarët tanë që janë kundër mbulesës. E mbi të gjitha, do të ishte tepër problematike për shumicën e kundërshtarëve të fesë Islame sikur mësueset me kokë të mbuluar të bëhen tepër të sukseshme dhe shembullore, gjë që nxënësve jomuslimanë mund t'u jepte një arsye për të hulumtuar fenë e këtyre mësueseve. Pra, pa marrë parasyshë si e drejtojmë muhabetin, aprovimi i mbajtjes së mbulesës nëpër shkollat shtetrore nuk iu konvenon vetëm atyre të cilët nuk e duan fenë Islame. Dhe mu kjo, na duket se e paraqet prapavinë e diskutimeve në fjalë. Gjë që do ishte një tronditje e madhe për të gjithë ne që mundohemi të kontribojmë për bashkjetesë.