EKSKLUZIVIZMI DHE ILUZIONET E KISHËS KATOLIKE TË KOSOVËS NË EMËR TË KOMBËTARES Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike

 Dr. Feti Mehdiu 

Historia nuk dënon vetëm për atë çka ke bërë, por ajo dënon edhe për atë që nuk e ke bërë - kur është dashur ta bësh.

Kenedi nuk thoshte kot, problenmet i krijojnë njerëzit, dhe ata duhet t’i zgjidhin.

Libri i Dr. Muhamet Pirrakut: Jo katedrale në emër të shqiptarësisë së imagjinuar, është shembulli më tipik ku shihet se si njerëzit krijojnë probleme.

Madje është edhe më keq kur njerëzit, për qëllime ku ta di se çfare, i japin të drejtë vetes ta vejnë në shërbim personal edhe kapitalin në të cilin nuk kanë investuar as më të voglin mund personal.

Ky kapital është feja. Feja, burimisht, është për njeriun por nuk është pjellë njerëzore siç pretnedojnë ta plasojnë individë e shkolla të ndryshme filozofike, përfshi këtu edhe autoritete fetare të konfesioneve të ndryshme me anë të parollave Feja e shqiptarit është shqiptaria! Kjo është edhe më e keqe, kur prijsa fetarë të cilët besojnë ndryshe, por flasin ndryshe. Ata që hanë bukën për shërbime fetare dhe deklarojnë Leni kishat dhe xhamijat... cila t’u besohet të tillëve? Puna që bëjnë, a fjalët që flasin! Shumë e qartë - atyre asnjëra nuk u besohet sepse nuk janë të sinqertë. Prandaj, askujt nuk i lejohet ta keqpërdor këtë kapital të shenjt për qëllime individuale as kolektive, madje qoftë edhe nën maskën e ardhmërisë kombëtare.

Kontributi i dr. M. Pirrakut me këtë botim të veçantë për një çështje e cila i ka nisë për në greminë një varg faktorësh, fatkeqësisht, me fuqi e kompetencë formale vendimmarrëse, siç janë organet e pushtetit lokal të Prishtinës, madje edhe ndonjë pseudopolitikanë, ndonjë pseudointelektualë, sa për sy e faqe, me bagazh bukur me peshë, por që nuk mendon me kokën e vet, qëndron në faktin se i bie ziles për orën 12 pa një minut.

Kjo cingërimë është për ata politikanë pushtetarë të Prishtinës, në radhë të parë, por edhe të mbarë Kosovës, për ata intelektualë, për të cilët kjo Kosovë ka investuar të arrijnë deri te epiteti intelektual. Ajo pari fetare që thirret në Zot, ajo gjeneratë që pati fatin, gatishmërinë dhe guximin të flijohet për çlirimin e kosovës - jo nga kulltuku e altari por në katrahurat që i përjetoi Kosova - duhet të mendojë me kokën e vet për ardhmërinë e popullit të vet, për historinë e popullit të vet dhe të mos marrin pjesë në manipulimin dhe keqpërdorimin e ndjenjës fetare për ta vënë fenë krishtere te shqiptarët, më konkretisht Kishën Katolike të Kosovës, në pozitat e kishës ortodokse serbe.

Të gjitha faltoret: Sinagogat, Kishat, Xhamiat ndërtohen për besimtarët që u përkasin atyre feve, u përmbahen burimeve themelore të feve të tyre, e jo për t’u vënë në shërbim të politikës ditore shkurtpamëse, e cila politikë shpie drejt hendekut ndërfetarë te shqiptarët, ngjashëm sikur Kisha Katolike e shekullit 16,17 në Francë, Zvicër, Gjermani... (Shih: Kisha dhe historia e saj, libri 7. botimi shqip, Ferizaj-Zagreb) Ky veprim është i gjykuar të dështojë, por si rezultat ka dezintegrimin kombëtarë.

Pas këtij botimi, "...ata fakirë... që përpiqen "...për t’i gjetur fillet e qytetërimit tonë" oksidentalist" që të bëhemi edhe ne ... pjesë e Evropës së Bashkuar" ( fq. 116), nuk do të mund ta lajnë përgjegjësinë e tyre për rrerzikun që i kanoset popullit të tyre fisnik, i cili deri tash diti të jetojë bashkërisht me dy fe: Muslimanë e të krishterë; diti t’u shmanget grackave që ia përgatiste armiku serbosllav me mashat e tij, në fillim të shekullit 20, (me inskenimet nëpër xhamia me gjak e zorrë derri ditëve festive...). Ata nuk do të mund t’i shpëtojnë gjykimit të historisë për imponimin e iluzioneve dhe ekskluzivizmit krishterë me projektin për ndërtim të Katedrales mbi themelet e gjimnazit Xhevdet Doda, të cilat themele duhet t’i rrënojë paraprakisht për Katedrale politike.

Në fillim të shekullit 21 një provokim i tillë vjen nga vetë shqiptarët. Nga vëllezërit e gjakut e të gjuhës, por të fesë krishtere, me përkrahjen e atyre që nuk i përkasin asnjërës fe të konsoliduar në arealin shqiptarë: nuk janë as Muslimanë as të Krishterë. Ata të cilët deri dje i thanë dhe i bënë të gjitha të zezat për fenë, e sot...

Kosova u çlirua nga serbët jo "... me dashuri dhe paqe..." por me përgjigjen flakë për flakë. Ky është realiteti për çlirimin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare u ndihmoi të gjallëve! Të vdekurit le të pushojnë të qetë! Por akoma të pavarrosur as me hoxhë as me prift.Edhe kishë edhe kozmopolite nuk shkojnë bashkë! Kisha ka shejtni hyjnore kozmopolitizmi ka ideologjinë njerëzore.

Përsëritja e vazhdueshme se duhet "ta njohim dhe ta ndriçojmë traditën... ta gjejmë a ta rigjejmë veten... (f.77);" krishterimi ishte i vetmi shteg i të ardhmes sonë (f.41); "...për të gjithë ne shqiptarët... Jezu Krishti është identiteti ynë" ! "Kosovarë dhe kosovare,... t’i kthehemi vetëvetes dhe të së vërtetës... ta gjejmë apo rigjejmë vetveten". Kjo thirrje është për ata që nuk e dinë ku janë dhe kush janë, por jo për tërë shqiptarët e as për tërë kosovarët. Këto deklarime i ngjajnë platformës së Kishës nga shekulli 16 kur "...të gjithë thonë së është e drejtë të imponohet feja e vërtetë me dhunë dhe se nuk është gjë e keqe të shtypen ata që jetojnë në gënjeshtër" ( Kisha dhe historia e saj, libri 7. &15).

Iluzionizëm dhe ekskluzivizëm bashkë, është përpjekja për të imponuar bindjen se "me këtë katedrale... mbyllet ndikimi oriental i kishës së ritit lindor ... ( f.128). Vallë mundet kisha pa Krisht - e Krishti në Orienta?!

Sa e sa herë është dëshmuar se iluzionet shpiejnë në dështim kurse ekskluzivizmi në shkatrrim. Po ashtu plasohet, thua se shqiptarët deri tash kanë quar jetë pagane, platforma që: "...shqiptarët ta kuptojnë identitetin e vet historik se me mendje dhe me shpirtë kanë qenë dhe kanë mbetur botë perendimore" ( f.128.) Mos po fillon identiteti historik i shqiptarëve në shekullin 11. me Kishën Katolike?! A nuk është kjo një deklaratë patetike jasht historike dhe jasht gjeografike, t’u thuash sot shqiptarëve - pas gjashtë shekujsh bashkëjetese dyfetare, pa asnjë ngatrresë, se nuk kanë identitet historik e fetarë?!

Po fenë prej nga e mori bota perendimore?! Mos vallë ka lind ndonjë Jezu Krisht në..Prishtinë a Pariz, Budim a Beograd, Londër apo Ljubljanë! Kjo është diçka përtej iluzioneve dhe ekskluzivizmit!
Mendoj dhe jam i bindur se edhe feja burimore krishtere nuk i lejon fjalimet që mbahen në kishë t’u imponohen gjithë shqiptarëve, kur dihet se shqiptarët janë kështu si janë:
Muslimanë e të krishterë Perendija na ka bërë Jemi vëllezër të tërë( Çajupi).
Dhe as që e kanë mendjen t’i përgjigjen çirrjes që vjen nga shqiptarët e asnjë feje për ta "përmirsuar gabimin akcidental" , siç u thuhet për shkak se kanë pranuar fenë islame. Madje as thirrjet e autoriteteve të klerit Katolik të Kosovës nuk do ta arrinë këtë, sepse i njejti ujë nuk kalon kurrë kah e njëjta urë. Ata që e dëshirojnë këtë vetëm mund ta trubullojë ujt dhe do të vdesin të etshëm.
U takon atyre që i bëjnë problemet t’ i zgjidhin. Por edhe të tjerët që i shohin gabimet u takon t’u tërheqin vërejtjen se janë duke shkuar drejt greminës.

Bota është e vjetër dhe e gjerë, shqiptarët janë fare pak dhe çdo herë u ngushtohet hapësira. Nuk ka vend për gjithë ato probleme që dëshiron dikush t’i mbjellë te shqiptarët.
Shqiptarëve u mjaftojnë këto dy fe që i kanë: Krishterë dhe Islame, por këtë duhet ta kuptojnë në radhë të parë kleri dhe paria fetare se satanizmi e sa izma tjera nuk janë fe. Burimi islam u thotë besimtarëve se sikur të kishte dashur All-llahu, të gjithë njerëzit do t’i kishte bërë një bashkësi.

Prishtinës nëse i duhet kishë duhet ta ndërojë atje ku ka besimtarë të krishterë, po nëse i duhet për politikë, atëherë Kompleksi Tempulli i paqës prej 28 hektarësh duhet të hapë zemrën për : Sinagogën - Kishën dhe Xhaminë me hapësirë, në përputhshmëri me nevojat e popullatës nga e cila i merrë votat për t’u vendos në kolltuk e pastaj luan me ndjenjat e tyre fetare dhe kombëtare.

Sa më heret zbulohet sëmundja aq më efektiv është shërimi. Nuk duhet më të luhet me karta të mjegulluara hipokrite kush për komb e kush për fe. Feja dhe kombi janë binjakë sijamezë. Ai që nuk i do, mjafton ta mbysë njërin dhe tjetra vdes vetë.

Prishtinë, Qershor 2003