KORNIZA E NJË STRATEGJIE KULTURORE Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
Dr. Taha Xhabir al-Alvani
 
Zhvillimet në vijim e sipër si dhe një sërë problemesh të mprehta sidomos në planin intelektual me të cilat ndeshet sot Ummeti Islam, paraqesin një sfidë të njëmendtë për Islamin. Këtu qëndron edhe arsyeja se përse është kaq e nevojshme dhe urgjente përpjekja për të skicuar një alternativë intelektuale islame në rrafshin ideor dhe atë shkencor.
Kjo, insha'allah, do të na ndihmojë në formulimin e një politike të qartë dhe të koordinuar përsa i përket transformimit kulturor të bazuar në parime të forta e në strategji të shëndoshë. Po ashtu na jep shpresë se kjo politikë do të çojë edhe në përfundime shkencore.

Gjendja aktuale ne rrafshin intelektual

Gjatë shqyrtimit të gjendjes së sotme intelektuale në mesin e popujve muslimanë mund të identifikohen tri tendenca kryesore.

E para mund të karakterizohet si tendencë tradicionaliste e cila, përgjithësisht, mendimin tradicional të Ummetit e konsideron si të vetëmjaftueshëm dhe të aftë për t'u prezentuar ashtu siç është apo edhe me disa ndryshime të vogla. Kjo qasje pretendon se jeta intelektuale e Ummetit ka mundësi të formohet e të organizohet dhe se struktura e qytetërimit të tij mund të ngrihet mbi këtë bazë. Kjo tendencë shpesh quhet edhe autentike.

Lëvizja e dytë, mendimin dhe botëkuptimin bashkëkohor të Perëndimit, pra konceptet e tij lidhur me ekzistimin, jetën dhe njeriun, i konsideron si universale dhe se pa këto elemente nuk mund të krijohet ndonjë kulturë dhe qytetërim modern. Kjo tendencë pretendon se mendimi perëndimor duhet të adoptohet në tërësi dhe se çdo aspekt negativ që mund të rezultojë me këtë rast duhet konsideruar si një çmim të cilin gjithsesi duhet paguar në qoftë se dëshirojmë të ngrejmë një kulturë dhe qytetërim modern. Ky botëkuptim ndryshe quhet edhe modernist.

Lëvizja e tretë, apo tendenca eklektike, ndërkaq, angazhohet për një tjetër botëkuptim. Ajo pohon se duhet selektuar nga mendimi tradicional më të shëndoshën dhe nga ai bashkëkohor 'modern' atë që konsiderohet dhe provohet të jetë e pranueshme dhe që të dyja të shkrihen në një kazan për të formuar një strukturë intelektuale e cila do të sigurojë një bazë të garantuar për arritjen e asaj që e kërkojmë.

Mirëpo, tendenca tradicionaliste, ashtu siç është prezentuar dhe zbatuar në të kaluarën, nuk ka mund ta parandalojë rënien e Ummetit në një gjendje prej së cilës vuan akoma edhe sot. Po kështu, as mendimi perëndimor, ashtu siç është prezentuar e zbatuar, nuk mund ta mbrojë Ummetin nga efektet e tij negative, të dëmshme madje edhe dështuese të cilave nuk mund t'u ikë dot. Dhe së fundi, avokatët e tendencës eklektike - selektive akoma nuk i kanë prezentuar detajet e kësaj përzierjeje që e kanë propozuar, e lëre më të mundohen ta fusin në fuqi. Krejt kjo na detyron ta parashtrojmë pyetjen edhe ashtu mjaft të përhapur: A po përjeton Ummeti një krizë të njëmendtë intelektuale, dhe nëse po, cila do të ishte rruga e daljes nga kjo krizë?

Gjendja aktuale në rrafshin shkencor

Për t'iu përgjigjur pyetjes së sipërshtruar nevojitet një shikim i shkurtër mbi gjendjen aktuale në fushën e shkencës. Studentëve tanë sot u barten dy lloje diturish. Në të parin bëjnë pjesë shkencat bashkëkohore sociale dhe humane si dhe ato teknike e të zbatuara. Të gjitha këto degë shkencore ushtrojnë kontroll dominant mbi organizimin dhe funksionimin e të gjitha aspekteve të jetës. Ato përbëjnë një trup shkencash parimet, rregullat, qëllimet dhe metodat e të cilave janë formuar nga mentaliteti perëndimor përmes kornizës, filozofisë dhe backgroundit të tij fetar dhe intelektual - duke e përjashtuar me këtë rast kontributin e muslimanëve lidhur me bazat e disave prej këtyre degëve shkencore. Çdo aspekt i këtyre shkencave është i lidhur ngushtë me formën perëndimore të qytetërimit.
Në të dytin bëjnë pjesë shkencat të cilat muslimanët i quajnë Sher'ijjeh (që kanë të bëjnë me Sheri'atin ose të drejtën islame) apo 'aslijjeh (që kanë të bëjnë me bazat e Islamit). Këto shkenca pastaj ndahen më dysh: në qëllimore dhe në instrumentale. Ekspertët e klasifikimit e të katalogizimit të shkencave të dyja këto i fusin nën një titull të përbashkët: el-'ulum en-naklijjeh ('shkenca të transmetuara').

Shumica e këtyre shkencave janë zhvilluar për t'i trajtuar çështjet e periudhës që ka pasuar atë në të cilën janë themeluar shkencat islame në shek. III hixhrij, si përgjigje ndaj realitetit historik të Ummetit të asaj kohe. Librat dhe punimet burimore që qarkullonin nëpër duart e studentëve të këtij lloji shkencash ishin përgatitur pas mbylljes së ixhtihadit (vetëpërpjekjes kreative për nxjerrjen e ligjeve prej burimeve legjitime) dhe përhapjes së taklidit (imitimit të veprave të dijetarëve paraprakë). Autorët e këtyre punimeve i përgatitnin ato me kujdesin më të madh duke u kushtuar rëndësi të veçantë imtësirave gjuhësore dhe stilit artistik në mënyrë që studentëve, kolegëve dhe rivalëve të tyre t'ua bënin me dije thellësinë e njohurive që i posedonin. Ato më tepër ishin monologje se sa vepra didaktike. Metodat dhe përmbajtjet e materialeve të këtilla e mbështesnin konceptin e taklidit dhe e inkurajonin popullin që ta ndiqte atë. Me rëndësi ishte që populli të largohej prej çdo lloji të ixhtihadit e më pas të shkaktonin edhe urrejtjen e popullit ndaj tij. Një shkencë e këtillë, gjithsesi se nuk mund ta përgatiste askënd të përballej me realitetet e jetës. Për më keq, ajo me të madhe e nxiste dhe e promovonte ndjekjen e verbër dhe imitimin e me këtë edhe i dha fund aktivitetit dhe krijimtarisë intelektuale. Prandaj ai që kërkonte dituri ishte i detyruar të zgjidhte ose ndjekjen e mendimeve të huaja bashkëkohore ose t'u bashkangjitej mënyrave të vjetra tradicionale të të menduarit. Ndërkaq asnjëra nga këto shkenca nuk ka mund t'ia mundësojë atij arritjen e ixhtihadit operativ i cili do të mund t'i shërbente si mjet ndihmës në përballimin e problemeve aktuale në një mënyrë të shëndoshë e të përshtatshme.

Gjendja aktuale e muslimanëve në fushën e arsimit

Kur t'i kthehemi sistemit arsimor nëpër botën islame, do të vërejmë se atje sundojnë dy sisteme arsimimi. I pari është 'sistemi islam' tradicional i cili studentëve u ofron një program ku përfshihen edhe shkencat e Sheriatit. Ky system kufizohet në përgatitjen dhe aftësimin e studentëve për punët personale, për mbulimin e nevojave arsimore - edukative, për prirjen në xhami gjatë namazit etj. Pjesa dërrmuese e këtij sektori mbetet si punë private që ka një afrim të kufizuar me fondet publike. Paratë e nevojshme për këtë sektor kryesisht sigurohen nga të ardhurat e vakufeve. Atje ku vihen në disponim fondet publike, kërkesat për sekularizëm imponohen në emër të 'modernizmit'.

I dyti dhe më i përhapuri është sistemi sekular apo afetar i cili i bart të gjitha llojet e njohurive dhe shkencave bashkëkohore nëpër shkallët e ndryshme të arsimit. Ky sistem proklamon një orientim joislam dhe masa të jashtëzakonshme duke e nxjerrë jashtë loje sistemin islam. Meqë studentët e sistemit islam rrinë anash realitetit dhe sfidave të jetës bashkëkohore, ata si zakonisht nuk paraqesin ndonjë konkurrencë për ata të sistemit sekular. Si rrjedhojë e kësaj pra, është sistemi sekular joislam ai që i kultivon dhe i krijon liderët intelektualë, politikë dhe socialë të Ummetit si dhe menaxherët e shërbimeve të tij dhe të mjeteve të prodhimit.

Si rezultat i kësaj dikotomie, sistemi edukativo - arsimor bëhet mjet ndarjeje i Ummetit dhe i shterjes së energjisë së tij. Në fakt, arsimi dhe edukata duhet të jenë mjete afruese dhe bashkuese të muslimanëve dhe të cilat do t'i pajisnin ata me një perspektivë të përbashkët kulturore e cila do t'i çonte ata drejt progresit dhe konstruksionit. Ato duhet të krijojnë harmoni dhe të sigurojnë një cak të përbashkët dhe kësisoji t'i drejtojnë të gjitha forcat drejt zhvillimit të muslimanëve të drejtë mendjet, shpirtërat, sjelljet, dhe fuqitë e iniciativës dhe rezonimit individual të të cilëve janë të shëndosha dhe produktive.

Shumë shfaqje të ndarjes dhe të përçarjes - po bile edhe të konflikteve tragjike - që po e rëndojnë sot botën islame, bartin gjurmët e aspekteve negative të kësaj dikotomie. Krahas kësaj, ekzistojnë edhe efekte negative të disa degëve 'të posaçme' të arsimit siç janë ato ushtarake, private dhe të huaja, të cilat reflektohen në qëndrimet dhe në vizionet kulturore të studentëve.

Gjendja aktuale e Ummetit në rrafshin e qytetërimit

Territoret e Ummetit sot bëjnë pjesë në ndër më të rëndësishmet nga aspekti strategjik dhe përfshijnë vendet më të pasura në botë. Ato përmbajnë lëndët e para më të rëndësishme që janë të nevojshme për industrinë perëndimore si dhe resurse të mëdha njerëzore. Muslimanët kanë një trashëgimi madhështore dhe i posedojnë burimet më të mira të udhërrëfimit, respektivisht posedojnë Shpalljen hyjnore (Vahjin) me dy pjesët e saj: Kur'anin e paimitueshëm, përfshirë këtu edhe interpretimet dhe zbatimet e tij, si dhe Sunnetin e Muhammedit a.s. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, sot bota islame vuan nga ndarjet dhe përçarjet e brendshme, nga turbulenca dhe vetëkontradikta, nga lufta dhe kanosjet për paqen botërore, nga pasuria marramendëse dhe vobekësia tej mase, nga uria dhe epidemitë.
Ummeti është ndarë, përçarë e copëtuar në më shumë se pesëdhjetë shtete - kombe, të ndara me kufij artificialë të disajnuar për krijimin dhe sigurimin e vazhdimësisë së fërkimit, tensionit dhe konfrontimit sidomos midis shteteve fqinje. Asnjëra nga këto shtete nuk ka patur gjasa ta arrijë lirinë dhe stabilitetin e plotë apo integrimin e qytetarëve të saj çka do të mundësonte përqëndrimin e energjive të saj në konstruksion dhe zhvillim. Faktorët e disharmonisë siç janë sektarizmi, frakcionalizmi dhe nacionalizmi kanë qenë aq dominantë saqë kanë krijuar gjendjen e një jostabiliteti dhe brenge të vazhdueshme e cila shumë lehtë ka mund të manipulohet në çdo kohë nga fuqitë e jashtme dhe kësisoji kanë çuar drejt rrëmujës dhe anarkisë. Mungesa e lirisë individuale e pengon ngritjen intelektuale dhe kulturore, si dhe zhvillimin e natyrshëm psikologjik të njerëzve. Muslimani vazhdon të jetojë nën hijen e vobekësisë, shtypjes dhe terrorit pa marrë parasysh nëse këto vijnë nga ata që janë përgatitur veçmas për t'ia imponuar Ummetit format e të menduarit dhe të kulturës perëndimore, apo nga diktatorët ushtarakë të cilët e kanë uzurpuar fuqinë dhe me forcë, torturë dhe frikësim të mendjelehtëve e imponojnë politikën arbitrare dhe kapricioze të një individi. Në regjime të këtilla diktatoriale roli i trupave dhe i institucioneve politike dhe administrative është i suprimuar fare dhe kjo gjendje shkakton rrënimin e të gjitha kualiteteve dhe të potencialit kulturor të njeriut.

Shumica dërrmuese e Ummetit është analfabete. Nevojat e tyre i tejkalojnë të mirat, lëndët dhe shërbimet që ata mund t'i sigurojnë. Madje edhe sa u përket nevojave të rëndësishme dhe vitale të jetës asnjë shtet musliman nuk është i vetëmjaftueshëm. Kjo mungesë si zakonisht është shkaktuar nga importi i cili e rrit varshmërinë ndaj fuqive të huaja. Ajo që situatën e bën akoma më të padurueshme është fakti se lëndët e para blihen prej shteteve muslimane me çmimin më të ulët ose edhe për asgjë, dhe u rikthehen si të mira të fabrikuara me çmimet më të larta. Shumica e këtyre shteteve ballafaqohen me vdekje urie, ndërsa të tjerat mund të reduktohen në një nivel të këtillë edhe atë shumë urgjentisht vetëm nëse kështu dëshirojnë eksportuesit dhe fuqitë e huaja.

Disa shtete muslimane që e kanë ndjekur rrugën e industrializimit nuk kanë mund ta arrijnë vetëmjaftueshmërinë e plotë thjesht ngase kanë qenë të varura nga burimet e huaja sa i përket shumicës së pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e industrive të tyre. Këto burime, pra, posedojnë mundësinë për ta kontrolluar industrinë lokale dhe për ta dirigjuar atë sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.

Në të shumtën e rasteve, 'industria muslimane' nuk ka qenë e disajnuar për t'i mbuluar nevojat elementare, urgjente dhe vitale të muslimanëve, por vetëm sa për t'i mbuluar ato të dorës së dytë të cilat do t'i kënaqnin dëshirat dhe shprehitë konsumuese të mbjella te muslimanët në dobi të të tjerëve. Bota islame fatkeqësisht e ka zhvilluar shprehinë e konsumimit të prodhimeve të një qytetërimi të huaj bashkëkohor dhe i ka adoptuar shumë aspekte të jashtme të tij. Ajo, në kryeqytetet e saj ka ndërtuar rrugë, godina dhe vende argëtimi 'moderne' sipas stilit perëndimor. Ajo gjithashtu ka ngritur disa institucione politike dhe ekonomike të bazuara në modelet perëndimore. Mirëpo, të gjitha këto masa nuk arritën ta sjellin transformimin e dëshiruar, po as edhe që e kanë vënë Ummetin në rrugën e cila do ta shpiente drejt këtij transformimi. Si mund të tejkalohet kjo?

Drejt një alternative islame në rrafshin intelektual

Për t'ia prezentuar sot Ummetit mendimin alternativ islam, fillimisht duhet që mendimin islam ta rishqyrtojmë në tërësi dhe t'i rivlerësojmë metodat e tij. Ne gjithashtu duhet kuptuar pozitën e mendimit 'regjional' dhe 'nacionalist' si dhe atë perëndimor, si për nga aspekti marksist ashtu edhe nga ai liberal. Për më tepër, duhet kuptuar shkallën e ndikimit të mendimit të huaj në botën islame me qëllim që të vetëdijësohemi për sfidat e mëdha me të cilat po ndeshemi dhe për presionin që po e ushtrojnë historia dhe e tashmja në mendjet e muslimanëve.

Ekzistojnë një sërë kushtesh të rëndësishme për një reformim të këtillë të mendimit. Para së gjithash, ky reformim duhet të jetë gjithpërfshirës dhe i liruar nga të gjitha shtypjet psikologjike, qofshin këto të së kaluarës apo të kohës më të re; duhet të zbatohet me qëllim të korrigjimit, vetëkritikës dhe kërkimit të njëmendtë të alternativave shkencore të cilat udhëhiqen në bazë të parimeve teorike dhe intelektuale.

Një revizionim i këtillë do t'i nxirrte në pah çështjet kontradiktore të cilat që me kohë e kanë okupuar mendjen e muslimanit dhe të cilat e kanë penguar atë të mos jetë pozitive dhe efektive. Çështje si këto janë kauzaliteti, i ashtuquajturi konflikt midis shkencave të transmetuara dhe arsyes, imitimi i verbër i disa mendimtarëve me efektet e tij gjymtuese, si dhe dinjiteti i njeriut. Duhet riinterpretuar këto çështje në një formë të shëndoshë dhe objektive dhe duhet kërkuar lirimin e mendjes së muslimanit nga prangat dhe efektet negative të këtyre çështjeve që i kanë ushtruar mbi psikologjinë, mentalitetin, arsimin dhe mënyrën e jetesës së tij.

Ne duhet revizuar dhe korrigjuar strukturën e trashëguar kulturore historike dhe t'i shpëtojmë dobësisë, dikotomisë dhe mungesës së realitetit të cilat e pengojnë efikasitetin dhe efektivitetin e saj. Gjithashtu duhet rishqyrtuar të gjitha konceptet mbizotëruese dhe duhet punuar në arritjen e pasqyrimeve dhe perspektivave të qarta për jetën, universin dhe njeriun si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me këto. Krahas kësaj, ne gjithashtu duhet të bijmë në ujdi rreth burimeve të këtyre perspektivave dhe të punojmë në disajnimin e sistemeve dhe institucioneve islame duke e përkufizuar me këtë rast rolin e çdonjërës prej tyre, me qëllim që të mund t'i arrijnë objektivat e Islamit edhe pse për nga forma dhe struktura nuk do t'i përgjigjeshin në tërësi realitetit historik. Kjo do të shpiente drejt një koncepti islam për qytetërimin i cili do t'ia mundësonte muslimanit të bënte çmos për ngritjen e Ummetit dhe për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të tij. Ne duhet të synojmë transformimin e gjithë sa u tha më lartë - sipas një metode të definuar - në një sistem të koordinuar kulturor i cili do ta akulturonte dhe edukonte tërë Ummetin dhe i cili do ta shndërronte atë në një sistem të suksesshëm dhe operativ.

Sipas mendimit tonë, baza e shëndoshë intelektuale e cila është parakusht për ngritjen e njësistemi qytetërues duhet t'i bartë këto tri veçori:

Ajo duhet të posedojë burime të sigurta e të pagabueshme dhe të jetë e mbrojtur nga gabimi dhe devijimi destruktiv në mënyrë që të menduarit të mos shndërrohet në imagjinim dhe në meditim lajthitës; ajo duhet të jetë e pranueshme nga aspekti racional dhe logjik në mënyrë që nëse mendjes së muslimanit i parashtrohen ide të caktuara të mund ajo t'i trajtojë në mënyrë korrekte; dhe së fundi, baza intelektuale duhet të jetë edhe realiste që të mund të bashkëveprojë me realitetin dhe ta transformojë e të ndikojë në të pozitivisht. (Vazhdon)

Përktheu nga anglishtja Mr. Rejhan Neziri