| ISLAMI, EVROPERËNDIMI DHE UDHËKRYQET INTELEKTUALE |
|
|
![]() Nexhat Ibrahimi Moto: "Elita evropiane ndërmori fabrikimin e një elite të indigjenëve; i zgjedhnin të rinjtë, në ballë ua skalitnin me hekur të skuqur parimet e kulturës perëndimore, u futnin në gojë lecka kumbuese, fjalë të mëdha veshtullore që ngjiteshin nëpër dhëmbë; pas një qëndrimi të shkurtër në metropolë i kthenin në vendin e tyre, të bastarduar". (Sartr në: F. Fanoni, Të mallkuarit e botës, Prishtinë, 1984.)
Islami zanafillën e vet e tërheq nga njeriu i parë. Këtë e pohojnë Kur'ani dhe Sunneti i Muhammedit a.s. Islami me Kur'anin dhe Muhammedin nuk paraqitet si fe e re, por si vazhdimësi e fesë së drejtë nga Ademi a.s. All-llahu i urdhëron Muhammedit a.s. të thotë: "Unë nuk jam i pari ndër pejgamberët". (El-Kur'an, El- Ahkaf, 9). "Kemi dërguar pejgamberë edhe para teje." (El-Hixhr, 10). "Ju (besimtarë) thuani: "Ne i besuam Allllahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve, atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe Ne vetëm Atij i jemi bindur." (El-Bekare, 136. Shih: Kur'ani, III, 84; XVI, 43; XXX, 47, XL, 78). Detyrë e misionit të Muhammedit a.s. ishte t'i konfirmojë shpalljet e mëhershme, ("Kur'ani, kaptinat: XXIX, 46; X, 37; XXXV, 28; XLVI, 12 dhe 30; VI, 42 dhe 92; II, 91; III, 2; IV, 150.) por edhe t'i hedhë poshtë shtrembërimet e falsifikimet që janë bërë gjatë kohës në to dhe njëkohësisht t'i plotësojë ato. (Kur'ani, III, 19.). Fryma e hapur kundrejt të kaluarës dhe qëndrimi afirmativ ndaj saj, e shpjegojnë edhe ekspansionin e rrufeshëm të Islamit. Siç u theksua, Islami me Kur'anin nuk iu drejtua njerëzve të ndryshëm dhe popujve të shumtë si fe e re, që përjashton e rrënon fetë e mëparshme me forcë. Përkundrazi, Islami mëson dhe urdhëron që njerëzit dhe popujt e ndryshëm të thirren në fenë bazë që është predikuar nga Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musa, Isa e nga shumë të tjerë. Pra, Islami i ka përvetësuar njerëzit duke i respektuar ata dhe duke i integruar të gjitha shpalljet e mëhershme dhe pejgamberët e mëhershëm, por duke e mënjanuar atë njerëzoren e historiken nga ajo burimore, hyjnore. Islami, ndryshe nga Judaizmi e Kristianizmi, nuk pranon idenë për popullin e zgjedhur, (Shkrimi shenjt, Letra e parë e Pjetrit, II, 9: "Ju jeni racë e zgjedhur... popull i shenjtë", sipas: R. Garodi, op. cit., fq. 115.) por pranon idenë për "njerëzimin si krijim të zgjedhur" të Vullnetit Hyjnor. (Kur'ani, XCV, 4.). Ndaj, çështja e parë me të cilën u mor Islami është dinjiteti i racës njerëzore dhe vendi i saj në mesin e qenieve tjera të gjalla. Jashtë Islamit, njeriu e shihte veten në pozicion inferior e të degraduar kundruall krijesave tjera (kundruall florës, faunës apo dukurive natyrore). Islami njeriut i dha vendin meritor duke e caktuar për halifetul'll-llah (zëvendës, përfaqësues i Zotit), ("... Unë po krijoj në tokë një zëvendës"!..." (el-Bekare, II - 30), kurse të gjitha krijesat tjera në tokë, qiej e midis tyre, i angazhoi në shërbim të njeriut. Mësimi islam s'ka kufij, sepse në vete unifikon natyroren dhe mbinatyroren, shpalljen dhe fenë, Zotin dhe botën, të gjithë shekujt dhe të gjithë nënqiejt. Për Islamin çdo gjë është njëlloj e rëndësishme dhe askurrë nuk e vë përbashkësinë në dëm të individuales, por unitetin e shpirtit e sendërton nëpërmjet shumësisë së shërbimeve dhe llojllojshmërisë së dhuratave hyjnore që e mbrojnë dhe kultivojnë prirjen natyrore të çdo lloji. (Kur'an, CI, 38). Islami nuk i ndanë botët në këtë botë dhe në atë botë, në botën e natyrës së kuptueshme dhe në botën e natyrës së pakuptueshme. Rrethi natyror në të cilin rritet njeriu nën yje, është djep natyror i bindjes së tij dhe njeriu, sipas Islamit, ndaj tij sillet ashtu, sikur që lulja e makut të fushës sillet në sipërfaqen e gjerë të gjelbërimit të livadhit. Po ashtu fetaren dhe nacionalen i lidh në një nyje, duke synuar ta sendërtojë tërësinë e identitetit fetar nëpërmjet pluralitetit të gjeniut nacional, dhe këtë vetëm nëse gjeniu nacional e mbanë njeriun në rrethin e tij autentik shpirtëror, e assesi ta kthejë vetëdijen e tij në fillimet e tij ekzistenciale. Islami në kontinuitet ka manifestuar baraspeshën ndërmjet nevojave të trupit dhe shpirtit, ndërmjet kësaj dhe asaj bote, andaj Kur'ani është burim i dijes metafizike dhe religjioze, por edhe i fushave të veçanta të dijes. Esencialisht, Kur'ani përmban tre lloje të mesazheve për njeriun: 1) Mesazhin doktrinor të mësimit të tërësishëm mbi strukturën e realitetit dhe pozitën e njeriut në të, tërësinë e urdhrave morale dhe fetaro-juridike, metafizikën mbi natyrën e Hyjnisë, kozmologjinë, eskatologjinë e përfundimtaritetit të njeriut dhe të botës tjetër, mbi jetën e njeriut, historinë, ekzistencën si të tillë dhe domethënien e saj. Kur'ani ekspozon të gjitha mësimet e nevojshme për njeriun që të dijë kush është ai, ku është ai dhe nga duhet të shkojë. 2) Kur'ani përmban mesazhin që i ngjason asaj që është libër i vëllimshëm i historisë. Kur'ani sjell rrëfimet për popujt, fiset, mbretërit, pejgamberët dhe për njerëzit e mirë gjatë shekujve, për sprovat dhe vuajtjet e tyre. Ky mesazh është shprehur me termat historikë, por i është drejtuar shpirtit njerëzor. Kur'ani është libër, leximi i të cilit zbulon domethënien e jetës njerëzore që fillon me lindjen kurse mbaron me vdekjen, buron nga Zoti dhe Atij i kthehet. 3) Kur'ani përmban vlera që mund të quhen magji hyjnore, nëse do të shpreheshim metafizikisht e jo tekstualisht. Ato e udhëheqin dhe e mbrojnë njeriun. Edhe prania fizike e Kur'anit sjell begati të madhe. Kur'ani është sikur vetë ekzistenca, sikur universumi dhe qeniet që lëvizin në të. Ai përmban të gjitha elementet e ekzistencës universale. (S. H. Nasr, fq. 39-40). Duke i ndjekur mësimet hyjnore, duke i aplikuar parimet e mesazhit islam, muslimanët e hershëm për më pak se gjysmë shekulli kanë përhapur Islamin prej Indisë deri në Pirineje, prej Samarkandi deri në Afrikën Qendrore, jo me marshime, sa nga fakti se Islami ka ditur t'i integrojë të gjitha kulturat e mëdha të hershme dhe prej tyre të krijojë sintezë të shkëlqyeshme kreative. Qysh atëherë, tashmë trembëdhjetë shekuj, Islami ka formuluar teorinë, siç e thotë Klod Levi - Shtrausi, "të lidhshmërisë së të gjitha formave të jetës njerëzore: teknike, ekonomike, shoqërore, shpirtërore, që Perëndimi i ka zbuluar vetëm para pak kohe, me aspektet e caktuara të mendimit marksist dhe me fillimin e etnologjisë moderne." (C. Levi-Strausse, Anthropologie struaturale deux, Paris, 1973, fq. 399, dhe: R. Garodi, op. cit., fq. 24-25). Këtu edhe zë fill dallueshmëria e Islamit kundrejt Perëndimit, që do të thotë se Islami nuk është vetëm emërtim për religjionin, por edhe sinonim për shoqërinë që ka ndërtuar civilizim autokton e të veçantë. Vlen të theksohet se kultura perëndimore është e vetëdijshme se shfrytëzon burimet greko-romake dhe judeo-kristiane, ndaj, edhe nga njëra edhe nga tjetra trashëgon ndjenjën e veçanësisë dhe superioritetit ndaj të tjerëve. Po ashtu, paradoksi i jashtëzakonshëm i historisë së Evropës Perëndimore përbëhet në atë që ky civilizim ka zënë fill në barbarizmin e fuqishëm, në vakumin njerëzor dhe kulturor, joorganik dhe të paorganizuar: nga shkatërrimi i shtetit në Mesjetë ka mugulluar shteti racional, nga sundimi i feudalizmit demokracia, nga presioni kishtar - liria e vetëdijes, kurse antagonizmat më të rrezikshme nacionale kanë krijuar nacionin si suazë për zhvillimin e njeriut dhe kulturës. (H. Dzait, Evropa i Islam, bo. II, Sarajevë, 1989, fq. 83). Perëndimi mesjetar me Kristianizmin si avangardë ka qenë shprehje lëvizëse e Evropës kundrejt Islamit, që do të kulmojë me luftërat kryqtare e inkuizicionin, sepse "Islami për Evropën njëkohësisht ka qenë forcë kërcënuese ushtarake dhe domen dinamizues ekonomik", kurse më vonë edhe "armik ideologjik dhe shembull filozofik", që ka rezultuar me lindjen e "Evropës në histori" e cila është "sendërtuar vetëm me anë të Islamit: në fillim nëpërmjet shtangimit mbrojtës, e më vonë nëpërmjet shpërthimit atakues." (Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 107-108. Edhe popuj e civilizime të tjera kanë hyrë në histori nëpërmjet Islamit, si Kina, India, Afrika, rusët, popujt turkmenë etj. Ibid., fq. 108). Këto koncepcione kundërshtuese mes veti, d.m.th. koncepcionet islame dhe kristiane, në shekullin XVI e pas zbuten, që vërehet me zvogëlimin e polemikave, dhe Evropa pjesërisht i njeh muslimanët, sidomos në rrafshin dituror. Përkundër ndjenjës së superioritetit, individë nga Perëndimi bënë përpjekje për njohje të muslimanëve. (Disa nga ata janë: Boulainviliersi, Goethe, Voltaire, Monstequieue e Napoleoni. Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 22-24.). Në rrafshin politik, Islami u identifikua me Perandorinë Osmane dhe në vetëdijen e vokabularin perëndimor simbolizonte fanatizmin, e panislamizmi paraqiste plojë kundër Evropës, duke përdorur arsenalin e Mesjetës, me qëllime diskredituese. (Ibid., fq. 25). Pikëpamjet evroperëndimore ndaj Islamit në shekullin XIX e XX, kryesisht janë kontinuitet i vizionit mesjetar kundrejt Islamit. Këtë botëkuptim, para së gjithash, e ka kushtëzuar kultura perëndimore, përkatësisht esenca e karakteri i kësaj kulture e civilizimi, e që është etnocentrike. Kjo nga arsyeja se veten e konsideron si qendër të vetme të iniciativës historike dhe të vetmin krijues të vlerave. Kjo pikëpamje e ngulitur thellë në Perëndim, nuk mund të mendojë ndonjë model tjetër të zhvillimit pos modelit të vet. Perëndimi, duke e kultivuar në vete trashëgiminë judaisto-kristiane dhe grekoromake, i konsideron jo mjaft të zhvilluar të gjithë popujt tjerë që nuk kanë ndjekur orbitën e tij historike. (R. Garodi, op. cit., fq. 115.). Perëndimi bie në etnocentrizëm edhe atëherë kur beson se e sjell në pyetje etnocentrizmin, sepse sërish vendoset si i vetmi faktor që është i aftë t'i definojë vlerat universale, që, ndër të tjera, është rast thuajse në të gjitha sferat e jetës edhe në fundshekullin e njëzet. (Shih: H. Dzait, op. cit., fq. 28). Këtë dukuri bukur e ka vrojtuar edhe shkencëtari G. Shpuza, i cili pohon se: "Në të hulumtuarit e mendimit politik, shoqëror dhe iluminist vërehet një njëanshmëri mjaft e theksuar. Vihet në pah me plot të drejtë orientimi i tyre nga shqyrtimi më i përparuar i kohës, drejt qytetërimit perëndimor. Por, ky orientim sikur absolutizohet dhe paraqitet gati-gati si një mohim i qytetërimeve të tjera, qytetërimeve lindore të hershme dhe të sotshme; në rastin tonë të qytetërimit islam". I këtij mendimi ka qenë edhe Sami Frashëri. (Shih: G. Shpuza, Shemsedin Sami Frashëri për qytetërimin islam, Perla - revistë ..., 1/1996, Tiranë, fq. 20-27). Sigurisht se kjo është pasojë e ndjenjës së inferioritetit që e posedon kultura e civilizimi evroperëndimor në raport me kulturat e mëdha kineze, persiane, arabe, egjiptiane dhe pasojë se Perëndimi vuan nga mungesa e madhësisë, sepse nuk është mbështetur në ndonjë perandori kompakte. (H. Dzait, op. cit., fq. 152). Bota perëndimore nuk karakterizohet vetëm me idetë ateiste, vullgare materialiste, por karakterizohet edhe me idetë dhe veprimet politeiste. Individë e grupe i bënë vetes zotëra sipas dëshirës së vet, duke shikuar në para, forcë, teknikë, seks, komb, ideologji, të vetmin qëllim të drejtë, vlerën absolute ..., duke shkelur pa mëshirë çdo vlerë tjetër dhe çdo qenie tjetër njerëzore që i kundërvihet ekspansionit të tij. Këtë Hobsi bukur e ka vërejtur kur thotë se zhvillimi i tillë shpie "në luftë të të gjithëve kundër të gjithëve." (R. Garodi, op. cit., fq. 116. Po ky filozof shton: "Seksualiteti i ndarë nga dashuria dhe i shpjerë në dëfrimin biologjik, i privuar nga dimensioni i vërtetë njerëzor dhe hyjnor, pushon të jetë gjuhë "poetike" përzemërsisht e drejtuar "tjetërkujt". Kjo, më në fund, nuk është dashuri ndaj tjetrit, por dashuri ndaj vetes dhe mbyllje në vetminë vetjake." "Kombi, trashëgimi e së kaluarës, tregjeve me xhelozi të ruajtura, miteve historike që synojnë të japin "aromë spirituale" për aksionet pushtuese, racizmit, kolonializmit... e veçan luftës". "Arti për shkak të artit, kjo d.m.th. arti pa Mesazhin Hyjnor dhe njerëzor, arti nën ndikimin e çdo komercializimi dhe çdo mode." (Ibid., fq. 115-117). Këto janë vetëm disa pamje të politeizmit dhe kaosit të një bote pa Zot, dhe pamje e zotërave të rrejshëm që e banojnë xhunglën tonë. Ndryshe, kjo pikëpamje mund të quhet "religjion i mjeteve që duke i shndërruar mjetet në qëllim vetvetiu", përkatësisht "duke besuar në zotëra të rrejshëm: në shkencë, teknikë, komb, para, seksualitet, rritje, ka krijuar politeizëm të ri dhe supersticion të ri, duke e shndërruar shkencën në scientizëm, teknikën në teknokraci, politikën në makiavelizëm." (R. Garodi, op. cit., fq. 24). Pasqyrën më të drejtë lidhur me esencën e kulturës dhe civilizimit evroperëndimor na e ofrojnë kolonializmi dhe neokolonializmi, ndaj në vazhdim do t'i parafrazojmë vrojtimet mjaft inteligjente e konstruktive të F. Fanonit lidhur me këtë çështje. Ai, duke u shprehur figurativisht, pohon se "qyteti i të kolonizuarit është qytet që rri galiç, qytet i gjunjëzuar, qytet i shtrirë për toke. Ai është qytet zezakësh, "i arabëve të ndyrë", pastaj vazhdon e thotë se "në koloni shkaku është pasojë: je i pasur sepse je i bardhë, je i bardhë sepse je i pasur." (F. Fanoni, Të mallkuarit e botës, Prishtinë, 1984, fq. 33). Sipas botëkuptimeve kolonialiste evroperëndimore "shoqëria e kolonizuar nuk është e përshkruar vetëm si shoqëri pa vlera por Perëndimi "e shpall indigjenin të paaftë që të ketë etikë, e shikon si mungesë të vlerave, por edhe mohim të vlerave", indigjeni është "armik i vlerave", kështu që ai paraqet të keqen absolute. Ai është element shkatërrues që rrënon gjithçka që i ofrohet, element deformues që shtrembëron gjithçka që ka të bëjë me estetikën ose me moralin, depozitar i forcave të kobshme, vegël e pavetëdijshme dhe e pakontrollueshme e forcave të verbra. Kisha, si institucion fetar i Kristianizmit, në koloni është Kishë e të bardhëve, e të huajve. Ajo nuk e fton njeriun e kolonizuar në rrugën e Zotit, por në rrugën e të bardhit, në rrugën e zotërisë, në rrugën e shtypësit." (Shih: F. Fanoni, op. cit., fq. 35-36.). Kombet evroperëndimore zhgërryen me bollëk mbi shpinën e skllevërve, me gjakun e skllevërve, dhe mirëqenia e përparimi evroperëndimor janë ndërtuar me djersën dhe kufomat e zezakëve, arabëve, hindusëve dhe të verdhëve. Dollari, funta, franku e marka e tash euro bazën e kanë mbi supet e skllevërve, në puset e naftës të Lindjes së Mesme (shembull tipik është okupimi i Afganistanit, Irakut). Kapitalistët si kolonë janë sjellur si kriminelë, kanë depërtuar, masakruar, dhunuar, kurse për t'i rritur rezervat e veta të naftës, arit e të diamanteve etj. (Ibid., fq. 87-93.). E kur raportet shtypës - i shtypur ashpërsohen dhe shihet rreziku për shtypësit, ata bëjnë ca riparime të jashtme, kozmetike, me dinakëri, kurse diku-diku "uria e të kolonizuarit" për shkak të shkallës shumë të lartë, lëkundet edhe nga këto thërrmija, nga këto shkëndija të vogla. (Ibid., fq. 127.). Këtë bukur e përshkruan Zhan-Pol Sartri kur thotë se "Elita evropiane ndërmori fabrikimin e një elite të indigjenëve; i zgjedhnin të rinjtë, në ballë ua skalitnin me hekur të skuqur parimet e kulturës perëndimore, u futnin në gojë lecka kumbuese, fjalë të mëdha veshtullore që ngjiteshin nëpër dhëmbë; pas një qëndrimi të shkurtër në metropolë i kthenin në vendin e tyre, të bastarduar". (Sartri, në parathënien e "Të mallkuarit e botës" të F. Fanonit, op. cit., fq. 5.). Sartri në Parathënien e versionit anglisht të veprës së F. Fanonit, këtë e shpreh kështu: "Në shekullin XIX, epokën e artë të kolonizimit, i sillnim këta pseudo-mendimtarë të lirë afrikanë, aziatikë, amerikanë të Amerikës Latine në Evropë dhe i shëtisnim në Lisbonë, në Paris, në Londër dhe në Amsterdam. Pas disa muajsh zbavitjeje dhe mësimit të disa gjesteve, vallëzimit, ndryshimeve të vogla të theksit, të jetës moderne dhe të mendimeve të ndryshme, përsëri do t'i kthenim prapa në tokat e tyre. Kur do të ktheheshin këta njerëz, do ta konsideronin veten si racë superiore dhe do të ndërmerrnin aksione duke mbajtur fjalime të ndryshme. Këta njerëz nuk ishin vetëm kremi i kolonizuesit, por, po ashtu, edhe urë për t'ua transferuar dëshirat tona njerëzve të tyre." (Sartri, në parathënien anglisht të The Wretched of the Earth, të F. Fanonit, sipas: A. Sheriati, "Njeriu dhe Islami", Tetovë, 1992, fq. 90). Sartri më tej zbulon edhe më shumë duke pohuar atë që edhe ne e shohim: "Kjo botë s'është homogjene, ende ka popuj të robëruar, popuj me pavarësi të rreme, të tjerë që luftojnë për pavarësi, që kanë pavarësi, por që janë nën kërcënimin e vazhdueshëm nga agresioni imperialist." (Sartri, parathënia shqip, op. cit., fq. 8.). Sartri shtron një pyetje shumë interesante përkitazi me veprën e F. Fanonit dhe thotë: "Përse ta lexojmë këtë libër kundër vetes", dhe përgjigjet: "... të na tregojnë se ç'kemi bërë prej tyre, për të kuptuar se ç'kemi bërë prej vetes. ...sepse, Evropës po i kërcënohet rreziku i madh i shkatërrimit". "Dhuna kolonialiste nuk ka për qëllim vetëm t'i mbajë në fre ata njerëz të robëruar, por ajo synon edhe t'i dehumanizojë ata". "Asgjë nuk do të kursehet për t'i zhdukur traditat e tyre, për t'i zëvendësuar gjuhët e tyre me tonat, për ta shkatërruar kulturën e tyre pa ua dhënë tonën" etj. Sartri armiqësinë ndaj kolonializmit e shpreh duke thënë se: "Meqë të tjerët bëhen njerëz kundër neve, del se ne jemi armiq të gjinisë njerëzore. Vlerat tona të dashura i humbin krahët; po t'i shikojmë për së afërmi, nuk do të gjejmë asnjë që të mos jetë e zhytur në gjak." (Ibid., fq. 23; Krhs.: H. Dzait, op. cit., fq. 39-40). Bota arabo-islame mbase në mënyrën më të vrazhdë i ka përjetuar, por edhe sot po i përjeton të bëmet e kolonializmit si në aspektin fetar, ashtu edhe atë nacional, politik, ekonomik, shkencor-kulturor etj. Këtë mirë e ka përjetuar edhe oaza shqiptare muslimane në Ballkan. Nga një gjendje shumë e vështirë, dolën në skenë edhe zërat për çlirim nga eksploatuesit e huaj fizikë e shpirtërorë. U paraqitën kahe të ndryshme si të dilet nga kriza. Kryesisht, u dalluan dy kahe apo tendenca: E para i ushtron njerëzit të ndjekin verbërisht atë që u ofrohet. Këtu zhvillohen raportet pronar - shërbëtor, dhe kushtet e shërbimit zgjedhen dhe caktohen nga pronari. Sa më tepër që shërbëtori imiton pronarin, aq më tepër e përdëfton shërbimin e tij. Këta intelektualë të perëndimizuar, nën ndikimin e huaj, vazhdimisht ankohen që shoqëria islame nuk i kupton dhe nuk po i çmon, duke harruar se ata vetë nuk e çmojnë e nuk e kuptojnë kulturën dhe shoqërinë vetjake. Këta, F. Fanoni i quan "majmuna që imitojnë." (F. Fanoni, op. cit., fq. 289. Krahaso: A. Sheriati, op. cit., fq. 88-89; S. H. Nasr, "Zapadni svijet i njegovi izazovi Islamu", Argumenti - casopis ..., 2/1982, Rijeka, fq. 140). Mirëpo, kemi edhe tendencën tjetër, e cila para se të imitojë hulumton se prej ku, nëpërmjet cilit lloj të të menduarit, cilës rritë, cilit moral, cilit aktivitet, cilave pikëpamje botërore të së kaluarës perëndimori bëhet model për imitim dhe udhëheqës, në mënyrë që t'ia mësojmë shkaqet dhe kushtet për imitim. Andaj, edhe pranimi edhe refuzimi i diçkaje duhet të zë fill në dituri, që d.m.th. se muslimanët ta ngadhënjejnë kolonializmin e mendjes e të angazhohen që nga pikëqëndrimi vetjak ta kundrojnë e studiojnë kulturën e vet islame, e sidomos thelbin e saj intelektual e shpirtëror, (A. Sheriati, op. cit., fq. 88-89; S. H. Nasr, Zapadni svijet..., op. cit., fq. 140. S. H. Nasri pohon se: "Tradita islame duhet të mbrohet vetëdijshëm dhe në bazë intelektuale. Në këto baza duhet zhvilluar kritikën e botës bashkëkohore dhe të metave të saj. Inteligjencia muslimane duhet me vetëmohim të ballafaqohet me të gjitha provokimet e kohës, duke hedhur kompleksin e inferioritetit psikologjik e kulturor. Ajo duhet t'i ofrojë botës shërim, natyrisht, nëse ajo është e gatshme t'i nënshtrohet trajtimit". S. H. Nasr, Ibid., fq. 143.) që do të thotë se "problemi themelor përbëhet në atë që njeriut t'i kthehen dimensionet njerëzore: besimi në transcendencën e Zotit, në bashkësinë njerëzore dhe vetëdija mbi përgjegjësinë personale." (R. Garodi, op. cit.., fq. 24.). Po ashtu, që të kemi një karakter të pavarur në sferën materiale, sociale dhe ekonomike, duhet të zhvillojmë një vetëdije të pavarur kundrejt Perëndimit, duke analizuar se në ç'mënyrë Perëndimi grabit e shfrytëzon burimet kulturore dhe materiale? Si shembull mësimi nuk mund të jetë Perëndimi, por vendet me një gjendje të ngjashme si ne, mirëpo që e kanë gjetur ilaçin për vete. (A. Sheriati, op. cit., fq. 54-55.). F. Fanoni, i mllefosur nga kultura degjeneruese perëndimore, apelon: "Ta lëmë atë Evropë, e cila flet vazhdimisht për njeriun e njëherazi e masakron atë gjithkund ku e has, në secilin skaj të rrugëve të veta, në të gjitha anët e botës. Qe disa shekuj me radhë Evropa po e pengon përparimin e njerëzve të tjerë, duke i përdorur ata për planet e veta dhe për lavdinë e vet... Atë Evropë, e cila pushoi së foluri për njeriun, e cila përherë deklaronte se ishte e brengosur vetëm për njeriun, ne sot e dimë se me çfarë vuajtjesh njerëzimi e ka paguar secilën prej fitoreve të frymës së saj". Ai më tej thotë se: "Nëse duam ta shndërrojmë Afrikën në një Evropë të re, Amerikën në një Evropë të re", duke i imituar verbërisht ata, "atëherë le t'ua besojmë evropianëve fatin e vendeve tona. Ata do ta bënin këtë më mirë se më të aftit prej nesh." Prandaj, "nëse duam t'u përgjigjemi kërkesave të popujve tanë, duhet të kërkojmë gjetiu e jo në Evropë... Duhet të ndryshojmë rrënjësisht, të zhvillojmë një mendim të ri, të provojmë të krijojmë një njeri të ri." (Ibid., fq. 288-292.). Këtë, në një fjalim të tij, el-Kadhafi e shpreh kështu: "Ne duhet ta ringjallim personalitetin tonë... Nëse ata që dëshirojnë të na ndihmojnë njëkohësisht dëshirojnë edhe të na detyrojnë ta ndërrojmë karakterin tonë, ta fshijmë personalitetin tonë, ne do ta refuzojmë ndihmën e tillë. Përse ne do ta pranonim ndihmën e tyre nëse ata dëshirojnë të na i marrin të gjitha idealet dhe vlerat tona. Ne në realitet kemi nevojë për ndihmën e tyre që t'i ruajmë vlerat dhe idealet tona..." (Thus spoke colonel Moammar Kazzafi, sipas: Argumenti, op. cit., fq. 207.). Edhe A. Laroi pohon se "Ideologjisë së importuar me modernizmin mund t'i kundërvihet e vetmja strukturë ekzistuese, e kjo është tradita dhe kultura vetjake. Meqë tradita vetvetiu është "memece dhe asgjësë nuk i kundërshton", aktivizimi i saj në shërbim të ruajtjes së identitetit në të vërtetë është tradicionalizim i traditës, jo në kuptim të tradicionalizmit - paseizmit dhe kultit të së kaluarës, por në kuptim të racionalizimit të traditës e cila me anë të thellimit dhe përcaktimit të sërishëm, duhet të shërbejë si pikë nisëse në ardhmërinë e vet, pra, jo të huaj. Lidhja e tradicionalizmit dhe modernizmit në këtë mënyrë do ta humbte cilësinë autentike, tradita nuk do të ishte pengesë në rrugën e modernizimit, kurse modernizimi nuk do të thoshte anulim i të gjitha normave të vlefshme." (A. Laroui, La Crise des intelectueles arabes, Paris, 1974, cituar sipas: H. Silajdzic, op. cit., fq. 206.). Ç'është ajo autoktone, vetjake, në rastin tonë edhe si botë muslimane por edhe si shqiptarë muslimanë, në të cilën po thirren shumë mendimtarë? Këtë, thënë kushtimisht, bukur e ka shprehur R. Garodi, kur thotë se: "Vetëm me përtëritjen e shpirtëroritetit islam, të atij ixhtihadi, të asaj renesanse të mendimit kritik e të gjallë, të atij leximi të Kur'anit si hulumtim gjithnjë i ri dhe aktual, asaj përpjekjeje vëllazërore dhe besnike që t'i kuptojmë jomuslimanët, vetëm ashtu do të mundemi, në aleancë me të gjithë ata që e duan ardhmërinë, t'i zgjidhim problemet e kohës sonë dhe sërish ta ngjallim shpresën." (R. Garodi, op. cit., fq. 73.). Kjo përtëritje konsiston, para së gjithash, në tri çështjet më fundamentale: - zotërimi me shkencën dhe teknikën dhe përdorimi i drejtë i tyre; - sendërtimi i transformimit të thellë shpirtëror- kulturor dhe; - orientimi i progresit ekonomik në suaza të transcendentales dhe fenomenales. Zotërimi me shkencën dhe teknikën duke e çliruar arsyen në të gjitha dimensionet e saj. - Në Kur'an nuk ka asgjë që është në kundërshti as me parimet as me rezultatet e shkencës dhe teknikës më moderne. Muslimanët e parë duke e kuptuar drejt qëllimin e dijes, konsideronin se "të jeshë musliman i mirë do të thotë ta sendërtosh mbretërinë e Zotit në tokë, kurse në namaz, haxhxh e agjërim nxirrnin fuqinë për atë detyrë." Për disa dekada kufijtë e Fesë islame shtriheshin prej lumit Ind e deri në Oqeanin Atlantik. Me frymën e tyre të hapur ata integruan shkencën e teknikën e Greqisë, Iranit, Indisë, prej Bagdadit e deri në Kordobë, prej Samarkandit deri në Tambuktua dhe krijuan e ndërtuan një kulturë të re, ku hulumtimi shkencor e teknik, arkitektura, poezia e filozofia ishin në kulm. Mirëpo, kur botëkuptimi i muslimanëve ndërroi dhe tani "të jeshë musliman i mirë domethënë vetëm t'u përmbahesh ritualeve, e jo më tej të krijohet në rrugën e All-llahut", ai lulëzim fascinues u venit. Islami në tërësinë e vet pushoi të jetë subjekt aktiv i historisë dhe u shndërrua në objekt në duart e agresorëve e kolonialistëve të huaj. Transformimi shpirtëror-kulturor. - Më pak me pushtime ushtarake, e më shumë me atë që sot e quajmë revolucion shpirtëror - kulturor, Bashkësia e vogël e qytet - shtetit të Medines u shndërrua në perandori të madhe. Pionierët muslimanë u përpoqën t'i përkthejnë, t'i asimilojnë, të integrojnë kontributet më të vlefshme të Indisë, Bizantit, Greqisë, Iranit e kulturave e civilizimeve tjera të lashta. Ata jo vetëm që transmetuan tërë thesarin e vjetër, por edhe vetë u bënë kreatorë të një kulture të re, e cila me shekuj do të shërbejë si mësuese e tërë botës. (Ibid., fq. 76-79.). Orientimi i progresit ekonomik. - Arsyeja në Perëndim, edhe më herët edhe tash, nuk e luan rolin e vet: të vendosë e të zgjidhë problemet në dobi të njeriut. Në vend që ta shtrojë problemin e qëllimit, arsyeja tek ata e shtron problemin e mjeteve. Andaj, sot shtrohet pyetja si të arrihet qëllimi, e jo edhe PËRSE? Si rrjedhim i kësaj, shkenca degjenerohet në scientizëm, teknika në teknokraci e politika në makiavelizëm. (Scientizmi: shkenca mundet çdo gjë. Atë që nuk e vërteton dhe provon shkenca, ajo nuk ekziston. Ky pozitivizëm kufizues përjashton dimensionet më të vlefshme të jetës: dashurinë, krijimin artistik, besimin. Teknokracia: çdo gjë që teknikisht është e mundur, është e dëshirueshme dhe e nevojshme. Arsyeja e tillë shkakton çmenduritë më të mëdha: luftën bërthamore, luftën e yjeve etj. Ky është religjion i mjeteve. Makiavelizmi: "Është animaliteti i një politike ku është me rëndësi vetëm teknika e marrjes së sundimit, e jo përsiatja mbi synimet e bashkësisë njerëzore, e pastaj mbi aplikimin e mjeteve që të arrihen këto synime. Këto "prodhime" të arsyes së gjymtuar, pozitiviste, e shpiejnë botën nga vdekja, jo për shkak të mjeteve, por për shkak të qëllimeve." Shih: R. Garodi, op. cit., fq. 82-83.). Ekonomia moderne, qoftë e tipit evroamerikan, qoftë e tipit sovjetik, supozon se njeriu s'është tjetër pos punëtor dhe konsumator, të cilin e vë në lëvizje vetëm interesi i tij personal. Atje dominon parimi: rritja për shkak të rritjes dhe fuqia për shkak të fuqisë. Prandaj, në vendet më të pasura (SHBA, Suedi etj.) është shënuar numri më i madh i vetëvrasjeve dhe atë jo për mungesë të mjeteve, por për mungesë të qëllimeve e caqeve. (Shih: Ibid., fq. 82, 86). Që të arrihet kjo, d.m.th. që Islami të bëhet burim i frymëzimit për botën e re, Kur'ani duhet të lexohet jo me sy të vdekur dhe pa ndjenja, jo si diç që ka ndodhur, por si diç që po ndodh vazhdimisht, në mënyrë që të frymëzojë shpirt të ri në civilizimet që po rrënohen, siç ka ndodhur me Bizantin, Persinë e shumë vende të tjera më herët. Sot, kur miliona njerëz në Perëndim, veçan ndër kristianët, bëhen të vetëdijshëm për shkatërrimin e civilizimit të tyre, (Shih: O. Spengler, "Propast Zapada", I-IV, bot. II, Beograd, 1988) do të ishte krim që të barrikadohemi në Islam si në ndonjë kështjellë, duke u mbrojtur me goditjet e ndalesave kundër çdo kontakti me botën e jashtme dhe duke shikuar vetëm në të kaluarën, sadoqoftë ajo e lavdishme. Dhe, vetëm atëherë kur muslimanët, kudo në botë, Islamin filluan ta bëjnë program jete në sferën religjioze, kulturore, politike, ekonomike e të tjera, reagimet nga bota joislame, e veçan nga bota kristiane, u bënë të ashpra, të vrazhda, e madje eskaluan edhe në format më të rrepta. Këtë bukur e shpreh H. Silajxhiq, politikani boshnjak, përkitazi me revolucionin në Libi: "Atë moment kur revolucioni libias e nxori Islamin nga kuientizmi folklorik në angazhim e aktivitet, duke e sintetizuar politikën, kulturën dhe religjionin, Perëndimi ka reaguar me etiketime siç janë teokratizmi, marksizmi islam, fundamentalizmi etj." (H. Silajdzic, op. cit., fq. 208.). Ngjashëm është me revolucionin iranian, algjerian, boshnjak, çeçen. Evroperëndimi dëshiron që muslimani i çfarëdo kombi qoftë të shndërrohet në një "krijesë servile, të dëgjueshme dhe besnike, duke ia privuar personalitetin, sepse derisa të posedojë karakter, ai nuk mund të jetë shërbëtor, duke ia marrë ndjenjat njerëzore ose duke ia dobësuar." (Përshtatje e një thënieje të dijetarit Omer Mevludi, sipas: A. Sheriati, op. cit., fq. 55). Populli shqiptar i proveniencës islame veçanërisht ka qenë, por edhe sot është, i goditur nga qëllimet mashtruese, drejtpërdrejt nga sllavo-ortodoksizmi dhe deri vonë tërthorazi nga evro-katolicizmi. Por, kjo tërthorësi nuk është edhe tash. Duke e shekullarizuar e ateizuar dhe duke ia degraduar kodekset fetare (islame) etike, shqiptarët qenë objekt i ndikimeve më të paskrupullta. Ata që rezistuan, në mënyrë të pashmangshme përfundonin si elemente reaksionare, antipopullore, (Shih: Hakif Bajrami, Planet sekrete për likuidimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956 në: Dituria islame - mujore fetare kulturore - shkencore, Prishtinë, nr. 86/1996 e pas.) si kleronacionalistë, fundamentalistë, tradhtarë të kombit etj. Një pjese tjetër i është ofruar ideologji e veçantë, religjioni i sportit dhe zbavitja e tipit kafeterik. Në të dy rastet është synuar, dhe mjaft është arritur, thyerja e moralit të tyre fetar (elementi integrues i popullit shqiptar) dhe me (pa)vetëdije, kjo masë e manipuluar dhe e indoktrinuar, luan vallen e daullxhiut. Mirëpo, kur pjesa më e vetëdijshme e popullit filloi të kuptojë se ky edukim e arsimim na shpie o në sllavoortodoksizëm o në evro-katolicizëm, me çka po e humb lirinë e besimit, identitetin nacional, gjuhën, arsimimin në gjuhën vetjake e të tjera, kur filloi të rezistojë e të shprehë pakënaqësinë e vet, atëherë tërë shtypi ortodoks serb, por edhe shumica e mediumeve shqiptare në Kosovë më herët por edhe sot, nën ndikimin evrokatolik, filluan propagandën e rreptë kundër popullit shqiptar, të mësuar nga përvoja botërore e duke u paraqitur servilë para mediumeve botërore, për të na shpallur popull agresiv, militant, aziatik e të ngjashme. Përgjigjet lidhur me këtë problematikë janë dhënë në disa vepra tona: Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve (disa botime dhe www.zeriislam.com), ndaj nuk do të ndalemi gjerësisht, përpos në disa të dhëna historike e kulturore me rëndësi. Nga shekulli XV e këndej, muslimanët në Ballkan (kryesisht shqiptarët e boshnjakët) kanë qenë shumicë, që do ta dëshmojnë edhe të dhënat historike. (Shih: M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë, 1995, S. Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë, 1985.). Sikur të ishin militantë, e në përhapjen e fesë të përdorej dhuna, për disa shekuj nuk do të mbetej kristian në këto anë. (Ciro Truhelka, sipas: M. Pirraku, Islami - faktor integrues i Njësisë etnokulturore të Shqipërisë etnike, Dituria islame, 83/1996, Prishtinë, fq. 47.). Në anën tjetër, nga militantizmi kristian në Beograd, nga 270 xhami e 12 mesxhide sot ka mbetur në këmbë vetëm një, në Smederevë nga 24 xhami sot s'kemi asnjë, në Osjek nga 66 xhami sot s'kemi asnjë, në Herceg Novi nga 46 xhami sot s'kemi asnjë, në Krushevc nga 9 xhami sot s'kemi asnjë, në Mitrovicë të Sremit nga 18 xhami sot s'kemi asnjë, në Çaçak nga 7 xhami sot s'kemi asnjë, në Valjevë nga 10 xhami sot s'kemi asnjë, në Prizren nga 29 xhami sot i kemi vetëm 20 të kohës osmane. (Shih: Evlija Celebija, "Putopis po jugoslovenskim zemljama", bot. II, Sarajevo, 1979; Sami Frashëri, "Vepra VII", Prishtinë, 1985.). Edhe fundshekulli XX karakterizohet me gjenocid fetar. Në Bosnjë gjatë luftës 3-4 vjeçare janë rrënuar mbi 1500 objekte fetare, madje shumica në qendrat që lufta nuk i ka përfshirë, kurse në Kosovë mbi 220 xhami dhe shumë objekte islame si medrese, teqe, varreza etj. Të gjitha këto dëftojnë se shqiptarët, me shumicë dërrmuese pjesëtarë të Fesë islame, nuk janë agresorë, por popull që dëshiron lirinë fetare e kombëtare, gjuhën, punën, është popull që i do popujt tjerë dhe kulturat tjera, por që kërkon edhe atë ta duan, jo për interes dhe si punotër krahu, por të barabartë. Ai nuk është për politikë agresive, por për paqe me popujt, kulturat e civilizimet tjera. I edukuar nga Islami, populli shqiptar "lirinë nuk e kupton vetëm të mund të themi: Jo!, por lirinë e kupton si forcë për kreacion", siç e thotë këtë R. Garodi. (Op. cit., fq. 28.). Në anën tjetër, shqiptarët muslimanë do t'ua shtrojnë pyetjen atyre që po i grishin në Katolicizëm, ashtu siç e pyeti reformatori islam, Afganiu sulltanin Abdulhamidin, kur ky i frikësuar nga idetë reformiste të tij, i sugjeroi Afganiut që të shkojë për ca kohë e ta "përhap Islamin në Lindjen e Largët, sepse ata po dëftojnë simpati për ta pranuar Islamin, e ti me zotësinë tënde do të ndihmoje mjaft". Xh. Afganiu këtij sugjerimi qëllimkeq iu përgjigj në mënyrë lakonike se do të shkonte, por së pari ata do ta pyesnin se çfarë Islami dëshiron t'u predikojë atyre: Islamin burimor apo atë të pranishëm në Turqi! Nëse na predikon Islamin burimor, do të thoshin ata, atëherë së pari atë predikoja bashkëfetarëve tu, e nëse na predikon Islamin e pranishëm në Turqi, për të s'kemi nevojë." (Parafrazim nga: A. Smajloviq, "Dzemaludin Afganija", "Islamska misao", 58/83, Sarajevo). Prandaj, nëse vëllezërit biologjikë na grishin neve në Katolicizmin burimor, atëherë atë së pari le t'ua predikojnë bashkëfetarëve të vet, e nëse na grishin në Katolicizmin e pranishëm aktual, i falënderojmë nga zemra, sepse kaherë kemi hyrë në moshën madhore dhe nuk kemi nevojë të kthehemi në paganizëm, në fenë e kryqëzatave e inkuizicionit, kolonializmit e neokolonializmit, histori kjo nga e cila do të duhej të skuqemi të gjithë! Po ashtu, mos të harrojmë se liderët e sotëm botërorë fare nuk dallojnë nga Xhingiz-kani, pos në atë se Xhingiz-kani sinqerisht thoshte se ka ardhur të vrasë, kurse liderët e sotëm "të qytetëruar" pohojnë se përpiqen të lidhin paqe e të ndihmojnë të varfërit e të dobëtit, kurse rrena, torturimi e vrasja sot kanë intensitet më të madh se kurdoherë më parë. (A. Sheriati, op. cit., fq. 70.). Në përmbyllje mund të themi se Islami kudo në botë, në të shumtën e rasteve në periudhat e okupacionit dhe të robërisë, ka qenë mishërim i qëndresës dhe aktivitetit shpirtëror, kulturor e nacional. Evroperëndimit nuk i ka pëlqyer kjo, ndaj ka zhvilluar aktivitet të dendur propagandistik, politik, ekonomik e kulturor, në esencë "racist", (Franc Fanoni, fq. 149.) për ta penguar mësimin islam në përhapjen e tij. Popullit shqiptar i mbetet që në bazë të autoktonitetit të vet, në bazë të traditës së vet islame si shumicë dhe kristiane si pakicë, në bazë të vlerave të veta autentike, islame dhe kristiane, t'i imponohet faktorit ndërkombëtar për njohje e bashkëpunim të ndërsjellë, kryesisht me forcat vetjake. Nëse kusht për të hyrë të Evropë është përvetësimi i lakuriqësisë, kriminalitetit perfid, narkomanisë e AIDS-it, atëherë mendoi mirë! Porosinë e All-llahut xh.sh. në Kur'an duhet pasur parasysh: "O ju që besuat! Kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes) s'ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull), dhe ata e duan Atë (Zotin)...". (el-Maide, 54).
|





