Cilësitë e Thirrësit në Islam Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
 Shkruan: Mehdi Kastrati - Kryeimam në Drenas 

Nuk ka dyshim se thirrja në rrugë të Allahut është prej veprave më të çmuara dhe më të ndershme që mundë të veprojë një besimtar. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: „Kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugë të Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë unë jam prej muslimanëve“. (Fussilet 33)

 
Nga të gjitha fjalët që mundë t’i flet njeriu në këtë jetë dhe prej të gjitha shprehjeve gjuhësore që mundë t’i shpreh ai, fjala „Davet-thirrje në Islam“ mbetet fjala më e mirë dhe më e ëmbël. Ky mision ishte mision i pejgamberëve, por pas tyre këtë detyrë e kan thirrësit (imamët). Ata janë pasues dhe trashëgimtar të pejgamberëve, besimtar te sinqertë të cilët lëvizin në tokë dhe i thërrasin njerëzit në rrugë të drejtë. Por për të arritur sukses fjala dhe ligjërata e thirrësit (Davetgjiut), ai duhet të paiset me disa cilësi të cilat do ti cekim në vijim:

1. Lidhja e fortë me Krijuesin

Lidhja e fortë me Allahun është nga cilësitë me parësore dhe më shtytëse morale e thirrësit , ngase ai i thërret vëllezërit në Ibadet, mirësi dhe devotshmëri. Lidhja me Allahun atë e bënë të jetë i qartë me ato detyra qe e ka obliguar Allahu dhe ato që i ka ndaluar, por kjo lidhje bëhet vetëm atëherë kur ai shton ibadetin, duatë dhe përkushtimin e tij në madhërim të Allahut dhe kërkon nga ai mëshirë dhe ndihmë.
Kur thirrësi bindet në të gjitha qëshjet Islame, ai fiton besim se atë e ruan dhe e ndihmon Allahu xh.sh. i lexon ajetet Kuranore ku Allahu thotë:
„Allahu largon dëmet e idhujtarëve ndaj atyre që besuan se Allahu nuk e don asnjë tradhtar e bukëpërmbyst“ (El-haxh 38) dhe ajetin:
„E tashmë fjala e Jonë u është dhëne me parë robërve tanë të dërguar, se ata pa dyshim do të jenë të ndihmuar, dhe se ushtria jonë do të jenë ata ngadhënjyesit“. (Essafat 171-172-173)
Kurani fisnik pra i siguron ata të cilët kan lidhje të fortë me Krijuesin se do jenë të ndihmuar dhe të mbrojtur nga Zoti, por për njeriun mbetet që të shikoj vetveten e tij se sa duhet përkushtuar shpirtin dhe trupin në adhurim ndaj Allahut. E kur është fjala për thirrësin, ai duhet te këtë një përkushtim të madh dhe të veçantë nga të tjerët ngase nuk guxon të ndalet vetëm në kryerje të obligimeve parësore (farzeve), por ai duhet të shtojë ibadetin, duatë dhe lutjet drejtuar Zotit.
Kështu ai e ndien veten të fuqishëm dhe argumentues para të tjerëve ngase vet prin i pari dhe praktikon ato që janë urdhëruar dhe ndalohet nga ato që janë të ndaluara.  I referohet ajetit Kuranor: „Vërtet namazi im, Kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Zotin e gjitha botëve“. Thirrësi merr udhëzim nga i Gjithëdijshmi, nga Sunduesi i Lajmëruar për çdo gjë, jeton nën mbrojtjen e Sunduesit dhe Krijuesit të vet, e pason udhëzimin e tij i cili është i saktë dhe i nënshtrohet urdhërave të Krijuesit dhe Sunduesit të vet. Allahu xh.sh. në Kuranin Fisnik thotë “Thuaj vetëm Allahu udhëzon në të vërtetën, atëherë pra a është me e drejte të shkohet pas tij që udhëzon në rruge të drejtë, apo pas tij që nuk udhëzon...“ (Junus 35)

2. Mardhëniet e mira me njerëzit

Thirrësi duhet të ketë mardhënie të mira dhe të vazhdueshme me të tjerët, të përjetojë me ta të mirat dhe të këqijat, gëzimet dhe hidhërimet e tyre, pajtimet dhe mospajtimet, etj. Ai duhet të ulet, të bisedojë për hallet dhe problemet e tyre dhe të mundohet t’i zgjedhë me ajete kuranore apo hadithe të Muhamedit a.s.

Thirrja në rrugën e Allahut është detyrë e të dërguarve, të cilët janë robërit më të zgjedhur të Allahut. Ata janë emisarët e Tij për robërit e Tij. Gjithashtu, kjo është detyrë e zëvendësve dhe trashëgimtarëve të të dërguarit, pra Ulemasë së vërtetë dhe robërve te sinqertë të Allahut. Pas imanit kjo është vepra më e mirë, ngaqë frytet e saj janë ne udhëzimi i njerëzve kah e vërteta, afrimi kah e mira dhe largimi nga e pavërteta dhe gënjeshtra, nxjerrje nga errësira në dritë. Thirrja për hirë të Allahut do të thotë thirrje për fenë e Tij, ndjekje e udhëzimeve të Tij dhe zbatim i ligjeve të Tij në tokë dhe të dëshmuarit e Njëshmërisë së Tij me ibadet, kërkim të ndihmës, nënshtrim, hedhje të hyjnive të rrejshme të cilëve në vend të Allahut u shprehet dëgjueshmëri, pranimi si të vërtetë të asaj që Allahu e ka emërtuar si të vërtetë, dhe si të humbur atë qe Ai e ka emërtuar si të humbur, urdhërimi në të mirë dhe largimi nga e keqja.
T’ju përkujtojë atyre jetën dhe sjelljet e të dërguarit a.s., me familjen e tij, me fqinjët, shokët dhe me të tjerët, sa i ka respektuar ata që e kanë respektuar atë, dhe sa ka qenë këmbngulës në të vërtetën dhe atë që ka zbritur nga Allahu xh.sh., p.sh. sa i respektonte Sahabët r.a., e sa ishte këmbëngules ndaj axhës së tij Ebu Talibit kur kërkoi nga ai që të largohet nga kjo fe.
Thirrësi gjithsesi duhet të jetë i sjellshëm, i arsyeshëm, i urtë, i edukuar, i ditur dhe i afërt me të tjerët nga se edhe ka për detyrë të ju komunikojë Islamin në formën më të mirë të mundur si të pasurve, të varfërve, burrave, grave, fëmijëve, etj. Allahu xh.sh., thotë: „O ju njerëz, vërtet ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëme popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete e nuk ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur, e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë“. (El huxhurat 13)
Në të kundërtën ashpërsia, vrazhdësia, dhe ekstremizmi janë dalje nga pasimi i rrugës së pejgamberit a.s. Omeri r.a., i kishte thëne Sadit: „Njerëzit po ankohen në ty, bile edhe për namazin tënd“, ai i tha: „në dy rekatet e para lexoj gjatë e në të dytat lexoj shkurt, nuk lë mangësi atë që e kam mësuar nga Muhamedi a.s.“. Omeri i tha: „kështu mendon ti për vete, a thua si mendoj unë dhe të tjerët“, pra ia tërhoqi vërejtjen nga teprimi.

3. Shembull i mirë


Nëse thirrësi don që zëri i tij të dëgjohet lartë dhe të ndikojë në zemrat e njerëzve, duhet që së pari të jetë shembull i mirë për të tjerët. Të fillojë nga vetvetja e tij për formim të një personaliteti të fuqishëm, parimor, të guximshëm, të vendosur dhe real, përndryshe fjalët e tij nuk do të ndikojnë në zemrat e të tjerëve. Allahu ne Kur’an thotë: „O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni, tek Allahu është shumë e urrejtur të thoni atë që nuk e punoni“. (Es saff 23)
“A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira e veten tuaj po e harroni, ndërsa ju e lexoni librin, a nuk po mendoni?“. (El Bekare 44)
Shembulli i mirë i bind të tjerët se arritja e këtyre cilësive do t’ju sigurojë jetë të mirë dhe shpërblim të madh.
Hudhejfa r.a., rrëfen se një njeri në kohën e pejgamberit a.s. erdhi dhe lypte, por askush nuk i dha gjë, më vonë dikush i dha diçka dhe të gjithë pas tij i dhanë. Atëherë pejgamberi a.s. tha: “Kush bën një të mirë dhe të tjerët e pasojnë në të, ai ka shpërblimin e tij dhe shpërblimin tjetër që është sa shpërblimet e atyre që e kan pasuar, duke mos u pakësuar nga shpërblimi i tyre. Ndërsa kush bën një të keqe dhe të tjerët e pasojnë në të, ai ka mëkatin e tij dhe mëkat tjetër sa mëkatet e tyre që e kan pasuar duke mos u pakësuar nga mëkati i tyre”. (Ahmedi, Hakimi, Tirmidhiu)
Omeri r.a., pa Talha Ubejtullahun se kishte veshur ihrame të lyera me ngjyre dheu, i tha; “ç’është kjo rrobe e lyer ore Talha? Është nga dheu o i pari i myslimanëve” u përgjigj Talha. Omeri ia ktheu: “me të vërtetë o ju grup i vogël, ju jeni imamë të cilët pasoheni nga njerëzit dhe ka mundësi që ndonjë i pa ditur të sheh këtë dhe të thotë se Talha Ubejtullahu ka veshur ihrame të lyer, andaj mos i veshni këto rroba të lyera”, pra ja tërhoqi vërejtjen nga shikimet e mprehta të njerëzve te të cilët kjo sjellje mund të ketë ndikim negativ. Pra thirrësi duhet te jete shembull n e ibadet, devotshmëri, sjellje e deri ne gjerat dytësore si veshjet dhe mbathjet.

4. Durimi

Durimi është njëra nga virtytet të cilës Kurani Fisnik i kushton kujdesë të veçantë, që thirrësi duhet ta ketë gjithmonë si cilësi të brendshme të tij.
Durimi në parim ndahet në tri kategori.
a) Durimi në nënshtrueshmëri ndaj të madhit Zot xh.sh.
b) Durim për tu ruajtur nga të këqijat dhe gjynahet.
c) Durimi në raste sprovash dhe fatkeqësish.

Lidhur me durimin në veprën “Ihja -Ulumu-ddin” Imam Gazaliu thotë: Në Kuran Allahu i Madhëruar durimin e përmend në 70 e disa vende, ai ka ardhur në formën e urdhrit siç është ajeti: “O ju që besuat bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut” (Ali Imran 200), pastaj e gjejmë në formën e zgjedhjes në ajetin “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me te falur, se vërtet Allahu është me durimtarët”. (El Bekare 153)
Mandej e gjejmë në formën e prijësit në ajetin “Dhe prej tyre ne i bëmë prijës që me urdhrin tonë udhëzojnë pasi që ata ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve tona ishin të bindur” (Essexhde 23), pastaj e gjejmë se nuk fiton askush shkalle më të lartë te Zoti përveç me shkallën e durimit si në ajetin “A mos menduat ju se do të hyni në xhenet e Allahu pa e ditur se cilët prej jush kan luftuar dhe cilët prej jush ishin të durueshëm”. (Ali Imran 142)
Durimi është shenjë e një imani stabil. Pejgamberi a.s. i ka pyetur shokët: “a jeni ju besimtarë?” Omeri tha: “po o i dërguar i Zotit”, ai i tha: “cila është shenja e imanit tuaj?” Omeri tha: “falënderojmë në të mira, durojmë në fatkeqësi dhe jemi të kënaqur në caktimin e Zotit”. Muhamedi a.s. u tha: “për Zotin e Qabesë ju jeni besimtarë”.
Thirrësi duhet të ketë cilësinë e durimit si dhuntinë më madhështore që Allahu ia dha njeriut, për këtë edhe Pejgamberi a.s. thotë: “Allahu nuk e ka furnizuar robin e tij me asgjë më mire dhe më gjërë se sa me sabër-durim”. (Buhariu)
I dërguari a.s., dhjet vjet i kaloi duke thirrur në fe, por gjat kësaj periudhe nuk pati ndonjë kalim masiv të njerëzve në islam. Të gjithë ata që brenda këtyre dhjet viteve pranuan islamin ishin individ. Më pas në vitin e dhjetë të shpalljes, i dërguari e humbi mbështetjen e tij të brendshme, bashkëshorten e tij Hatixhen r.a. dhe mbështetjen e jashtme, axhën e tij Abu Talibin, por me durim i tejkaloi edhe ato sfida që i pati gjat asaj periudhe. Nuk ekzistojnë fjale që do të kishin shpjeguar më mirë atë pikëllim dhe mërzi të madhe se sa fjalët e të dërguarit a.s. i cili pasi ishte kthyer nga Taifi, duke ju lutur Allahut xh.sh. në vete kishte thënë: “O Zoti im, të lutem Ty që fizikisht të më forcosh dhe të më nxjerrësh nga kjo situatë e rëndë që gjendem. Të lutem të më mbrosh nga poshtërimet e njerëzve o më i Mëshirshmi, Ti je Kujdestar i të dobtëve, Ti je Kujdestari im o Krijuesi im, nëse Ti nuk je i hidhëruar në mua, atëherë për gjithë këtë unë nuk mërzitem, falja Jote është shumë e gjërë...”
Thirrësi vazhdimisht duhet të bëjë duanë: “o Zot, na bëj prej atyre që durojnë në skamje, s’mundje, dhe sprova, dhe bëre durimin tonë për Ty dhe ne emër Tënd, derisa të bëhemi prej atyre që kan bërë durim për hirë Tëndin dhe na bëj prej atyre që janë pronarë të Xhenneti-Adnit”.

5. Morali dhe kultura islame

Pejgamberi i islamit e ka përcaktuar qëllimin parësor të dërgimit të tij dhe metodën që duhet të pasojnë besimtarët e në veçanti thirrësit (prijësit fetarë) me fjalët: “Me të vërtetë jam dërguar ti plotësoj virtytet e moralit”. (Maliku)

Morali është shenjë e imanit të njeriut, ai flet heshturazi për shkallën e imanit të besimtarit, Muhamedi a.s. thotë: “Nuk është i fuqishëm ai që nxiton, por i fuqishëm është ai që përmban veten kur është në hidhërim”. (Elmuata 95)
Morali është nevojë e besimit të vërtet dhe fryt i tij, imanin më të plotë e kan ata që e kan moralin më të lartë, ku Allahu i lartësuar e përshkroi të parin e thirrësve me këto fjalë: “Vërtetë ti je në një shkallë të lartë moralit”. (Elkalem 4)
Në ajetin tjetër Allahu xh.sh. i drejtohet të dërguarit: “Ti ishe i butë ndaj atyre ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikurse të ishe i vrazhdët e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje...”. (Ali Imran 159)
Morali është lidhje fisnike në mes thirrësit dhe xhematit, dhe prej obligimeve ndaj kësaj lidhjeje ndikimi i saj i parë është pastrimi i shpirtit, konsolidimi i moralit dhe përmisimi i veprave. Kjo nuk mund të arrihet pa e rrënjosur në shpirtin dhe ndjenjën e gjallë me të cilën çdo herë do të distancohet nga gabimet dhe do të ndjejë nënçmim nga
heshtjet e kota, ndërkaq njohja e punëve të liga, pa u mbrojtur, dhe kryerja e mëkateve të vogla pa keqardhje, është argument i humbjes së turpit dhe moralit të njeriut e pastaj edhe besimit, Pejgamberi a.s thotë: “Turpi dhe besimi jan unik, nëse mungon njëri, mungon edhe tjetri” (Hakimi). Shkak i kësaj është ajo se kur njeriu e humb turpin dhe moralin shkon nga e keqja dhe zbret prej një pune të lige në një tjetër edhe më të ligë, dhe kështu vazhdon të ecë tatëpjëtzës derisa të përfundojë në shkallën më të ultë. Në një hadith Pejgamberi a.s. flet për periudhat e kësaj rënie, e cila fillon me humbjen e turpit dhe mbaron me pasojat e rrezikshme: “Allahu i Lartësuar, kur do ta mposhtë një njeri, e mënjanon prej tij turpin, e kur i hiqet atij turpi, atëherë do ta shohësh vetëm të urrejtur, e kur ta takosh vetëm si të tillë, prej tij largohet edhe besnikëria, e kur do largohet prej tij besnikëria, do ta shohësh atë vetëm tradhtar të madh. E kur të jetë vetëm si i tillë, atëherë prej tij do të largohet edhe mëshira, e kur të largohet edhe mëshira, ti do ta shohësh atë vetëm të braktisur e të mallkuar, e kur ta shohësh vetëm të tillë, atëherë ai do të dalë prej lidhjes se fesë”. (Ibën Maxhe)

Pra dridhja e njeriut dhe zbehja e fytyrës së tij në disa raste është argument i një lartësie të fshehtë dhe natyre fisnike, e Pejgamberi a.s. thotë: “Turpi në tërësi është i dobishëm”. (Muslimi)

6. Guximi për të folur të vërtetën

Guximi dhe trimëria për të thënë gjithmonë fjalën e drejtë shpeshherë nuk është e lehtë, por atë e bënë besimi i thellë dhe i pa mposhtur, rruga për të pasuar të dërguarin a.s. dhe për të kryer amanetin e fjalës së Zotit.
Shumë njerëz largohen apo nuk donë të thonë të vërtetën nga frika apo nga kërcënimi i mundshëm dhe ka njerëz të tillë të cilët e flasin edhe atë e cila nuk është aq edhe e vërtet apo nuk i shkon për shtati atij, kjo dukuri është përhapur në shumë vende, madje edhe të popujt të cilët janë musliman.

Besimtarët musliman duhet që ti rikthehen parimeve të Sahabeve të cilët pa frikë e thonin gjithmonë vetëm të vërtetën, pa marrë parasysh se në çfarë situate gjendeshin, ata rrezikonin edhe jetën e vet vetëm e vetëm që ti dalin në ndihme fjalës se vërtetë, e ajo fjale e vërtet dilte nga i dërguari i vërtetë dhe ai i dërguar pranonte të vërtetën nga Allahu i vërtetë, ata i lexonin ajetet kuranore ku Allahu në Kuran thotë: “O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hirë të Allahut edhe nëse është kundër vetvetes tuaj, kundër prindërve ose të afërmeve, le të jetë ai pasanik ose i varfër, sepse Allahu di më mirë për ta, mos ndiqni pra emocionin e ti shmangeni drejtësisë, nëse shtrembëroni ose tërhiqeni Allahu hollësisht di çka punoni” (Ennisa 135)

“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ketë garantuar furnizimin e saj, ai e din vendbanimin dhe vendstrehimin e saj, të gjitha janë në librin e njohur”
(Hudë 6) dhe ajetin “Çdo popull ka afatin e vet, e kur të vij afati i tyre ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment e as të përngutet më parë”. (Elaaraf 34)
E kur është fjala për thirrësin (Imamin), ai duhet të jetë i bindur se askush nuk mund të merr atë që ja ka caktuar Allahu dhe së fundi është afat i caktuar nga i madhi Zot.
Thirrësi duhet të jetë krenarë me fjalën e vërtetë, ngase mburrja e tij me veten, fenë dhe Zotin, është krenaria e besimit të tij, ndërkaq krenaria e besimit dallon nga krenaria e mendjemadhësisë, kjo krenari është refuzimi i besimtarit që të përulet para ndonjë force, të poshtërohet në ndonjë vend apo të jetë barrë për njeriun. Kjo është krenari në të cilën ka protestë aq sa ka edhe qetësi, në të ka lartësim aq sa ka edhe përulësi, në të ka ngritje mbi bukuritë tërheqëse të kësaj bote, paragjykimet e njerëzve dhe gënjeshtrat e jetës, po ashtu në të ka lëshim në shërbimin e myslimaneve dhe modesti ndaj tyre, si dhe respektim i të drejtës. Kjo cilësi përfundon me fjalën e Omer bin Hatabit: “Dëshiroj prej njeriut, që padrejtësisë ti thotë me gojën plot JO”.