Disa dokumente shtyllë të qytetërimit islam Shtyp Shpërndaje me Postë Elektronike
 Shkruan: Dr. Qani Nesimi

“…E sikur Allahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat (sinagogat) e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut…” (Haxh, 40)

Nga prizmi i historisë së religjioneve, marrëdhëniet e një fetari ndaj fetarit të cilësdo fe apo fraksioni tjetër, kuptohen si eksluziviste, inkluziviste dhe si pluraliste. Shikuar nga aspekti ekskluzivist, të gjithë besimtarët dhe fetë e tjera janë jo të vërteta, përveç “fesë time”, e cila është e drejtë dhe e vërtetë. 

Në epiqendër të kësaj bindjeje qëndron një egocentrizëm i ashpër, i cili përjashton çfarëdo lloji të tolerancës për ekzistimin e feve të ndryshme, kurse për dialogun bilateral nuk ka vend fare. Ky koncept i të kuptuarit dhe të trajtuarit të tjetrit tek muslimanët në tërësi, e sidomos te shoqëritë multietnike muslimane administruese, në veçanti, gjatë historisë nuk ka ekzistuar, por edhe nëse dikund ka ekzistuar ai nuk ka mundur të dominojë, qoftë në kohën e Pejgamberit a.s., në kohën e sahabeve, tabiinëve, apo edhe më vonë, në kohën e osmanlinjve.
Sa i takon momentit të dytë, gjegjësisht aspektit inkluzivist, të gjitha fetë e tjera të shpallura pranohen si fe që kanë lidhje me dimensionin transcendental, por në rastin konkret “feja ime” është më e drejtë dhe më reale se fetë e tjera. Kurse sipas teorisë pluraliste, që është edhe aspekti i tretë i trajtimit të tjetrit, të gjithë besimtarët pa dallim feje, e ndjekin fenë e tyre dhe nuk përzihen në fenë e tjetrit.
Mënyra e dytë dhe e tretë janë koncepte që mund të hasen edhe në kulturën e shoqërise multietnike dhe multikonfesionale islame. Njohësi i mirë i kësaj problematike profesori A. Silajxhiq thekson se, muslimanët, mes tjerash, kulturës evropiane i kanë dhuruar përvojën pluraliste, në fushën e respektimit të religjionit dhe të kulturës së tjetrit. Ai kur fletë për këtë lloji të tolerancës në kohën e mesjetës, thekson se, përvoja pluraliste e kulturës, qytetërimit dhe e religjion islam shihet edhe në atë se, në atë kohë (shekulli X, XI dhe XII) një njeri që ka jetuar në Isfahan apo në Bagdat, ka patur mundësi të lexojë libra në arabishtë dhe në persishtë për hinduizmin, budizmin, krishterimin apo hebraizmin. Por, në të njëjtn kohë, një njeri i shkolluar në Paris apo në Bolonjë ka ditur shumë pak për hebraizmin, a të mos bisedohet për Islamin, për çka ata kanë besuar se muslimanët kanë qenë paganë dhe pabesimtarë.
Nëse do të shëtitnim pak nëpër të kaluarën e shoqërisë muslimane në Gadishullin Arabik, Azi, Afrikë, Evropë, Gadishullin Ballkanik etj., qëndrimin pluralist, apo trajtimin e tjetrit më objektivisht, gjë kjo e cila mungon thuaja në të gjitha qytetërimet e tjera përveç në Islam, do ta gjenim të theksuar në formë eksplicite në shumë momente, raste apo dokumente historike.
Nëri prej dokumenteve të tilla, përveç atij të Medines (Vethikatu’l-Medine), i cili përbën edhe kushtetutën e parë në historinë Islame dhe në historinë e njerëzimit në përgjithësi dhe përmban 47 pika dhe disa nënpika të tjera, sipas të cilave garantohet liria e besimit, liria e të jetuarit dhe pasuria e jomuslimanëveiii, dhe përveç çlirimit të qytetit të Mekës, është marrëveshja e Pejgamberit a.s. me delegacionin e Nexhranitiv, i përbërë prej 60 personave.v Në vitin e 9 hixhri të krishterët e Nexhranit, në mesin e të cilëve ka patur edhe gjykatës dhe klerikë, vijnë në Medine për t’u takuar me Muhamedin a.s. Në takim me Pejgamberin, ata u pranuan pas namazit të drekës në xhaminë e Medines. Gjatë takimit, kur edhe për ata erdhi koha e adhurimit (ibadetit), ata kërkuan leje të dalin jashtë xhamisë për adhurim, kurse Pejgamberi a.s., duke dalur jashtë vetë me shokët e tij, u lejoi atyre që adhurimin e tyre da realizojnë në xhami. Më vonë mes tyre u bë një marrëveshje, sipas të cilës të krisherët e Nexhranit fituan të drejtën që pasuria, nderi, besimi dhe praktika fetare, familjet e tyre, tempujt e tyre, nexhranasit dhe ata që janë përreth tyre, të jenë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Muhamedit a.s.
Një dokument tjetër me rëndësi të veçantë që dua ta përmend këtu, është marrëveshja e Omerit r. me të krishterët në Jerusalem.
Në kohën e Omerit r., i cili ishte kalifi i dytë i muslimanëve pas Muhamedit a.s., zgjerimi i shtetit musliman mori hovin e vetë drejt pjesës veriore, ku sundonte Perandoria Bizantine. Ushtria muslimane e udhëhequr nga komandanti i njohur Amr ibn As, arrinë deri te dyertë e Jerusalemit, e rrethon atë dhe pret përgjigjen e liderëve të qytetit, të cilët ende mendoheshin se çfarë do të duhej të bënin. Në ndërkohë valiu Ebu Ubejde, i cili e zëvendësoi Halid bin Velidin, banorëve të Jerusalemit u drejtohët me anë të një letre, e cila përmbante ofertën e zakontë që muslimanët ia drejtonin një vendi para se atë ta merrnin ose të luftojnë. Në letër thuhet ata duhet të pranojnë fenë islame, ose duhet të paguajnë xhizje, në të kundërtën do të përballen me ushtrinë.
Liderët e Jerusalemit duke menduar se do të duhej të përballen me një ushtri shumë të fortë, pranuan që të bëjnë një marrëveshje. Në këtë moment lindi një drojtje tjetër, se, a thua vallë marrëveshjen që do ta bëjnë do të realizohet dhe se, a thua do të mund ta shpëtojnë kishën qendrore? Prandaj për të bërë marrëveshje kërkuan që aty prezent të jetë edhe Omeri, kalifi i muslimanëve, pasi mendonin se prezenca e tij do ta bënte më të mundshme realizimin e marrëveshjes që do të bëhet mes tyre. Këtë kërkesë të tyre, muslimanëve ua bëri me dije patriku i quajtur Sofronios. Omeri r., pasi e mori lajmin, pranoi që të marrë pjesë dhe menjëherë u nis prej Medines për në Jerusalem. Me arritjen në Jerusalem, Omeri nënshkruajti marrëveshjen me të krishterët e Jerusalemit, ku prezent kanë qenë edhe shumë komandantë të tjerë muslimanë.vii Sipas Belazuritviii marrëveshja në fjalë është vazhdim i marrëveshjes së bërë më parë mes Halid bin Velidit dhe kryepriftit të Jerusalemit. Përmbajtja e marrëveshjes në fjalë është me sa vijon:
“Me ermin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Kjo marrëveshje është një garanci që popullit të Jerusalemit ua jep udhëheqësi i muslimanëve dhe robi i Allahut, Omeri. Kjo është një garanci që u jepet atyre për jetën, pasurinë, kishat, kryqet, të sëmurëve dhe të gjithë anëtarët e tyre. Kishat e tyre nuk do të digjen dhe në to nuk do të vendosen banorë. Gjërat e shenjta nuk do të preken. Askush nuk do të detyrohet në fe. Askujt nuk do t’i bëhet dëm dhe në vendet e tyre nuk do të vendosen hebrenjë. Si dëmshpërblim për këtë ata do të paguajnë xhizje (taksë). Grekët që gjinden aty do të nxiren, por do të sigurohen deri te vendi ku do të shkojnë. Ata që nuk do të dëshirojnë të dalin, sikur populli Ejle, do të paguajnë xhizje. Ata që do të qëndrojnë këtu dhe që dëshirojnë të mbledhin bereqetin, do ta bëjnë atë, kurse edhe ai që dëshiron ta shes mallin e tij, do të ndihmohet në të. Kjo është një marrëveshje sigurie për popullin e Ejles, dhënë nga Allahu, Pejgamberi, kalifët dhe besimtarët.”
Ndërkaq dokumentin e tretë dhe të fundit që do ta përmendi këtu, e përbën marrëveshja e sulltan Mehmetit II Fatihut, i cili pas çlirimit të Stambollit nënshkruan një marrëveshje me të krishterët ortodoksë të vendit në fjalë.
Historiani i njohur Ilber Ortayli thekson se, para çlirimit të Konstantinopolit (Stambollit), besimtarët ortodoksë grekë, të cilët kanë jetuar në teritoret e kontrolluara nga ana e osmanlinjve dhe të cilët nuk kanë patur lidhje me Perandorinë Bizantine, kanë qenë nën mbrojtjen e Shtetit Osman. Poashtu, në këtë kohë të krishterëve u janë dhënë po ato të drejta që ata i kanë patur nga kisha dhe princat bullgarë, si që është mbrojtja dhe liria, si dhe lirimi nga taksat e ndryshme që manastirët i kanë paguar më herët. Kështu që në arkivin e manastirit Rilo gjendet dokumenti (berati) që vërteton, se të drejtat e njëjta që ata të krishterë i kanë patur të garantuara nga ana e mbretit Shishman, i kanë gëzuar edhe nën administrimin e sulltanëve osmanë.
Me marrjen e Konstantinopolit, kanë përfunduar edhe disa faza bazë të problemeve të asaj kohe. Si e para ka marrë fund politika asimiluese me orinentim kundër ortodoksëve, faktikisht ky fenomen më vonë do të quhet lëvizja uniate, qëllimi politik dhe fetar i së cilës oficialisht ka filluar të dalë në pah pas shizmës së madhe që ka ndodhur mes dy kishave të mëdha, asaj lindore dhe asaj perëndimore më 1054, kurse me anë të luftërave të kryqëzatave e njëjta ndjenjë bëhet edhe më e theksuar. Problemi i dytë kyç, që ka marrë fund me paraqitjen e osmanlinjve në Stamboll, është ndërprerja e politikës asimiluese të kishës ortodokse bizantine ndaj kishës armene.
Është e një rëndësie të veçant të përmendim se pas vitit 1461, në Stamboll numri i katolikëve ka filluar të ritet, kurse kisha katolike aty ka hapur qendrën e saj katolike. Kështu bëhet shumë e qartë se, edhe katolikët kanë patur një garanci nën osmanlinjtë, kurse kisha ortodokse nuk ka patur mundësi të luaj një politikë destruktive ose asimiluese ndaj katolikëve.
Sipas të dhënave historike, më 29 maj 1453, nga ana e sulltan Mehmetit II Fatihut është çliruar Stambolli. Sulltani i ri, në qytet ka hyrë me ceremoni dhe është nisur drejt Aja Sofisë. Sipas të dhënave të një janiçari polak, patriku, priftërinjtë dhe populli janë tubuar para kishës dhe duke qarë kanë rënë në gjunjë. Sulltani të gjithë të pranishmëve u drejtohet: “Ngrihu! Unë sulltan Mehmeti, ty, shokëve tu dhe të gjithë atyre që janë tubuar në këtë vend, u them se, prej sot për jetën dhe lirinë të tuaj, mos frikësoheni prej meje”. Pastaj sulltani u drejtohet pashallarëve, sanxhakbejve dhe janiçarëve, që të krishterëve të mos u bëhet ndonjë e keqe, ata të lirë dhe të qetë të shkojnë në shtëpitë e tyre. Pastaj urdhëroi që kisha të shndërrohet në xhami dhe të përgatitet për faljen e namazit të xhumasë.
Pas përfundimit të namazit të xhumasë, sulltani i fton në drekë priftërinjtë me në krye patrikun e tyre, Georgios Skolarios Gennadios. Ky i fundit ishte i zgjedhur me urdhërin e vet sulltanit, atëherë kur sulltani në qytet pa rënien e numrit të popullatës krishtere dhe kur pyeti për arsyen e kësaj ndodhie, morri përgjigjen se, pasi njerëzit kanë mbetur pa patrik dhe nga frika që ndjejnë, ata kanë ikur. Atëherë sulltani urdhëron të zgjidhet patriku, kurse popullata e krishterë e zgjedhë Georgiosinxv për patrik dhe e stabilizon situatën. Sulltani patrikut të zgjedhur ia jep shkopin dhe taxhin e patriarkanës dhe e dërgon deri te dera e sarajit të vet. Në të njëjtën kohë edhe hebrenjtë kanë qenë të lirë të realizojnë jetën fetare të tyre, kurse më vonë ka qenë i emëruar edhe patriku i kishës armene. Sulltan Mehmeti II Fatihu me anë të kësaj politike arriti të rregullojë dhe të stabilizojë gjendjen politike dhe fetare në vend.
Historiani njohur botëror dhe studiuesi serioz i kësaj periudhe, Franz Babinger, ne lidhje me ngjarjet në fjalë, thekson se, sulltan Mehmeti II Fatihu përfaqësuesve të kishës ortodokse u ka garantuar tri privilegje. E para ka qenë se, asnjë kishë nuk do të kthehet në xhami. E dyta ka të bëjë me qëndrimin se askush nuk ka të drejtë të përzihet në ritualet e tyre fetare si: dasmat, ceremonitë e varrimit etj. Kurse e treta është se, të krishterët kanë të drejtë të festojnë Pashkët dhe festat e tjera dhe se gjatë festimit do të jenë të garantuar.
Udhëheqësit e shteteve ballkanike, siç kanë qenë Serbia, Vllahia, Bosna, Morea dhe një pjesë e Shqipërisë, duke dërguar nga një të deleguar të tyre, sulltanit ia kanë uruar fitoren e arritur në Stamboll. Gjatë takimit me sulltanin, përfaqësuesi i Serbisë ka premtuar se ata kanë pranuar që sulltanit ti paguajnë 10 dukat tatim. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe të deleguarit e tjerë që kanë qenë bashkë me të.
Për shkak të situatës së krijuar dhe klimës disponuese ndaj shtetit Osman, orvatjet e papës Nikolla V (vdiq 24 mars 1454/5), për fillimin e një lufte kryqëzatash kundër shtetit Osman, mbetën pa rezultat. Sidomos e pa fryt ishte edhe orvatja  e tij që të krishterët e Ballkanit, gjegjësisht serbët, shqiptarët, vllehët, boshnjakët etj., të marrin armën dhe të luftojnë kundër osmanlinjve, pasi nuk zgjoi ndonjë interes tek të krishterët në fjalë.
Me veprimet në fjalë Perandoria Osmane për të krishterët ortodoksë vazhdoi të bëhet edhe më simpatike. Kjo shihet edhe në thëniet e të krishterëve me rit lindor, të cilët mes tjerash shpreheshin: “Më mirë të shohim një fes osmanlinjsh, se sa një kaçketë katolike”.xviii Arsyet e kësaj deklarate ishin, në një anë, sjelljet e shtetit Osman, kurse në anën tjetër, marrëdhëniet mes kishës lindore dhe asaj perëndimore, si dhe pasojat e luftës së kryqëzatave.
Kultura Islame në thelbin e saj ka tolerancën fetare, prandaj nuk mund të paramendohet që në Islam të ketë dhunë apo një padrejtësi tjetër, përveç se në incidente të veçanta, të cilat nuk mund t’i mveshet Islamit në përgjithësi. Për tolerancën në Islam përdoren fjalët temasuh, kurse në turqisht hosgörü.  Këto dy shprehje edhe pse përkthehen si tolerancë, ato kanë kuptim më të gjerë dhe më gjithpërfshirës. Në litersaturën islame, disa dijetarë, këto fjalë nuk i përkthejnë si tolerancë, pasi këto në vete nuk ngërthejnë një koekzistencë të gjerë, një respekt reciprok apo të qëndruarit dhe të jetuarit bashkë. Ndërkaq në tolerancën islame nuk ekziston ajo që njeriu të detyrojë vetëveten, por, që njeriu të pranojë dhe të pajtohet me realitetin. Për shembull, kur Islami i lejon një muslimani që të martohetxix me një vajzë të Ehl’i-kitabëve (ithtarë të librave të shenjtë), këtë nuk e bën që muslimani ta ndjejë veten të munduar, duke menduar se s’kam ç’të bëj tjetër, patjetër e kam të pajtohem me këtë realitet etj. Por, muslimanit ia mundëson që ai një gjë të tillë ta pranojë me bindje dhe pa detyrim, duke menduar se ajo është nga ithtarët e librave dhe unë pajtohem që ajo të mbetet në bindjen dhe besimin e saj. Pra, në tolerancën fetare nuk ka dhunë (ikrah) as karshi vetes e as karshi tjerëve. Kjo është kështu edhe ndaj fqiut edhe ndaj më të largëtit.
Shumë dimensione janë ato që tregojnë kulturën tolerante të Islamit, gjegjësisht, të qytetërimit islam, apo sjelljes tolerante të muslimanëve. Prandaj kultura e një muslimani asnjëherë nuk duhet të jetë e privuar nga tri elemente shumë të rëndësishme, e që janë: bindja, mendimi dhe veprimi, të cilat kalojnë në aksion të kordinuar në mënyrë të perfektshme. Prandaj edhe çlirimi i një vendi apo zemre quhet feth, fjalë kjo rrënja e së cilës rrjedh prej f t h, dhe ka kuptimin e çlirimit, hapjes, si dhe epiteti fatih, që i është dhënë shumë njerëzve eminentë në histori. Kështu edhe sureja e parë e Kur’anit quhet Fatiha, që do të thotë hapje, fillim; ndërkaq edhe për hapjen e derës ose të diçkaje tjetër thuhet iftah el-babe (hape derën). Pra në kuptimin simbolik do të thotë hapje e një hapësirë e re, vendi të ri, fushës së re, konceptit të ri, kapitullit të ri historik. Prandaj me fethin (çlirimin) e një vendi, fillon një jetë e re me rregulla të reja pozitive, e në asnjë mënyrë nuk duhet menduar për gjëra të dëmshme. Në Kur’an Allahu i Gjithfuqishëm thotë: “Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi” (Feth, 1). Nëse i kthehemi fjalës fatih, do të shohim se ashtu është quajtur Muhamedi a.s., kur e çliroi Mekkën, Omeri r., kur e çliroi Jerusalemin, sulltan Mehmeti II Fatihu, kur e çliroi Stambollin etj. Këta nuk u quajtën si të tillë se janë “tanët” dhe nuk janë “tuajtë” apo janë “tuajtë” dhe nuk janë “tanët”, por ai epitet ishte rezultat i asaj që u arrit pas kalimin të vendit në fjalë në duartë e tyre. Kështu do ta shihnim të gjithë, nëse do të ishim pak më objektiv ndaj tjetrit apo pak më kritik ndaj vetes, gjatë vlerësimit të së kaluarës sonë.
Sa për fund mund të themi se, feja për muslimanët ka qenë thelbi dhe zemra e identitetit të tyre, nëpërmjet së cilës kuptohet edhe ajo se thelbi i qytetërimit islam është vetë feja. Kjo e bën që ky qytetërim nga thelbi i tij të manifestojë dhe të pasqyrojë madhështinë dhe butësinë e fesë së cilës edhe i takon. Feja, butësinë dhe madhështinë e saj, e bartë në univrersalitetin, në simbolizmin dhe në transcendentalen e saj. Prandaj, krahas budizmit që paraqitet si fe e madhe por e kufizuar/e lokalizuar, krishterizmit që paraqitet si fe e madhe por e ashpër, islami paraqitet si fe e madhe dhe e butë. Kështu që muslimanët janë të detyruar që ta kenë parasyshë këtë dukuri dhe vlerë që ka feja islame.