| Muhammedi a.s. - Prototip qiellorë i virtytësisë njerëzore |
|
|
Shkruan: Dr. Musa MusaiBota posedon me miliona arsye se pse duhet rikujtuar 1479 vjetorin e lindjes së më të madhit pejgamber, them 1479 vjetorin e lindjes duke qenë i sigurt se ai akoma është mes nesh me shëmbëlltyrën e tij, butësinë, dashurinë është këtu mu në mesin tonë, në shtëpinë e çdo myslimani i cili me anë të salavatit e përkujton atë. Ardhja e tij në këtë botë njerëzimit mbarë i solli dritën, drejtësinë, barazinë, peshqeshin, lumturinë aq të përmalluar nga njerëzimi.
Ai qe shkaku i zbutjes së zemrave të cilat ishin egërsuar nga mos prezenca e një profeti dhe shpallje sikur që ishte Kur’ani famëlartë. Ai është edhe arsyeja e vet ekzistimit tonë, dashuria e tij na kaplon të gjithëve dhe mu për atë ne jemi borxhlinj të tij të përjetshëm, ngase ai nuk solli vetëm fenë e Allahut, por bëri edhe rregullimin e jetës familjare, sociale, ekonomike, politike dhe të tërat i vuri në një koncept të shëndoshë të normave dhe parimeve të përkryera, të cilat më pas do ti sjellin lumturinë njerëzimit në përgjithësi. Përpjekja për të mbrojtur diçka të vërtetë duke u bazuar vetëm në pasion dhe emocione është reaksion momenti dhe kohëzgjatja e kësaj përpjekje është e shkurtër. Por përqafimi dhe jetësimi i asaj të vërtete primordiale kënaq shpirtin, freskon mendjen, përforcon besimin, krijon lidhshmëri të ngushtë mes nesh dhe besimit në ne. Ne muslimanët nuk e ndjekim rrugën e Muhammedit a.s. si reaksion ndaj elementeve provokuese apo shpifëse, që do të thotë se ne nuk e duam pejgamberin a.s. vetëm kur dikush e shan, por ky pranim është në baza të shëndosha të besimit që na ka falë Allahu fuqiplotë dhe me siguri si i tillë është i përshpirtshëm dhe i pa luhatshëm. Ky besim nëse jo diç tjetër reflekton dritën, bujarinë, sinqeritetin e përkushtimit tonë rrugës së më të madhit pejgamber mëshirës së të gjithë botëve. Mu për atë në këtë drejtim ne duhet të jemi të përmbajtur nga ekzagjerime të skajshme dhe lartësime të atilla të cilat vet Muhammedi a.s. i ka ndaluar që Muslimanët t’i përdorin ato. Këtë e ka bërë me të vetmin qëllim që njerëzimi mos kujtoj se ai është diçka mbi njerëzore ashtu siç vepruan të krishterët me Isain birin e Merjemes. Por krejt ajo që do thuhet në lidhje me personalitetin e Muhammedit a.s. për bazë duhet ta ketë Kur’anin famëlartë dhe hadithin e Muhammedit a.s. Madhështia e një personaliteti mbështetet në kriteret e sukseseve që ka arritur dikush. Kriteret që sot bota mbarë i merr për bazë të vlerësimit ndaj ndonjë personaliteti bazohen në shkallën e gjendjes që e ka gjetur rrethin (popullin) dhe nga çfar kushtesh shoqërore e ka bartur atë dhe ku e ka sjellë. Është aftësi dhe sukses që një drejtim të marrë të shoqërisë ta marrësh nga një shkallë zhvillimi duke mos devijuar prej saj vetëm të ngritsh nivelin e përparimit kulturorë dhe qytetërues. Mirëpo do jetë sukses edhe më i madh po qese një shoqëri që mijëra vite me radhë të ketë vazhduar në një drejtim të vet, të marrësh atë nga ai drejtim dhe ta shndërrosh në krejt diçka tjetër dhe ta orientosh në drejtim krejt të kundërt me atë që ka qenë dhe në këto baza të ndërtosh një qytetërim krejt të ri me siguri që një punë e këtillë kërkon aftësi dhe mençuri të jashtëzakonshme, kërkon diçka më tepër nga të qenit vetëm një lider, shkencëtar, mendimtar, udhëheqës etj. Kërkon që të jesh i dërguar i Allahut sikur që ishte Muhammedi a.s. Por s’do mend se vlerësimin që mund t’ia bëjnë njerëzit një pejgamberi është vlerësim i cunguar i lidhur me kohën, rrethanat në të cilat jeton shoqëria e kështu me radhë. Ne e dimë shumë mirë që analitik, studiues, shkencëtar të lëmive të ndryshme të të gjitha besimeve kanë dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me personalitetin e Muhammedit a.s. dhe pa diskutim që vet ata kanë bërë një rang radhitje në të cilën në vend të parë figuron Muhammedi a.s. Megjithatë përsëri këto vlerësime ngelin të kufizuara me kohë, vend, si dhe të cunguara nga e vërteta absolute e Allahut xh.sh. Këtë e themi nga vet fakti që para disa muajsh krejt bota mbarë përjetoi një sprovë të hidhur në lidhje me vlerësimet e personaliteteve më të shquara të njerëzimit. Apo më drejt thënë në pyetje ishte personaliteti i Muhammedit a.s. Ku çdo kush tha atë që ndjente dhe që mendonte. Mu për atë e tërë kjo tollovi që u krijua në botë argumenton faktin se njerëzit nuk janë kompetentët që do të mund të bënin vlerësimin e një profeti në veçanti të një të zgjedhuri të Allahut sikur që ishte Muhammedi a.s. Ngase aty fjalët tona ngelin pa kuptim, të mangëta, larg vlerave dhe realitetit i cili duhet prezantuar. Prandaj themi se vlerësimin që e bën Kur’ani është i përjetshëm dhe komplet për sa i përket asaj që duhet thënë në lidhje me profetët në përgjithësi. Kur’ani vlerësimin e personalitetit të Muhammedit a.s. e bënë në këtë mënyrë: “O ti pejgamber, Ne të dërguam ty, dëshmues, lajmëtarë përgëzues e qortues. Dhe me urhërin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues.” (Ahzab/ 45-46) Pra brenda këtyre dy ajeteve Kur’anore shihet qartë misioni i shenjtë i tij me të cilin e obligoi Allahu xh.sh. Vet termi dëshmitar tregon se në radhë të parë ai duhet të jetë i pari që me anë të respektimit dhe praktikumit të çështjeve islame do jetë dëshmitar i vlerave të islamit se si duhen përjetuar ato. Ndërsa termi lajmëtarë përgëzues paraqet ndoshta çështjen më të rëndësishme se njerëzimi këtu e andej nuk do të ketë nevojë të dëgjoj diçka pos lajmeve të mira, peshqesheve të cilat do të freskojnë shpirtrat e besimtarëve. Mu për atë ai (Muhammedi a.s.) gjithnjë dashurohet, dhe do vazhdoj të dashurohet (admirohet) nga njerëzimi, ngase ai njerëzimit i solli vetëm lajme të mira dhe është profet që njerëzimin e çon drejt lumturisë së amshuar. Ai është një pishtar ndriçues që shkëlqen me dritën (nurin) e Allahut. Është një burim drite që e shpërndanë (shkatërron) errësirën, që i largon dyshimet dhe që në saje të këtij shkëlqimi arrin që t’i ndriçoj rrugën kah duhet ecur njerëzimi. S’duhet menduar se është e mjaftueshme që të njohësh Muhammedin a.s. vetëm për nga pamja e tij e jashtme dhe forma të cilën e transmetojnë librat e historisë apo kronikat e përshkrimit, por më esencialja e kësaj qëndron në të njohurit e shëmbëlltyrës së tij, njohjes dhe perceptimit të drejt të vlerave dhe të vërtetave të cilat ia përfitoj botëve në përgjithësi. a) Ku qëndron sekreti i sukseseve të Muhammedit a.s. Nëse do duhet që të bisedohet për ndonjë sekret të sukseseve të Muhammedit a.s. me siguri që nuk duhet harruar se i vetmi sekret dhe udhërrëfyes i tij ka qenë Kur’ani dhe urtësitë e tij. Prandaj çdo një sukses i Muhammedit a.s. mbështetet në ajetet e Kur’anit famëlartë, ku bëhet potencomi i atyre përparësive që i ndihmuan dhe mundësuan që misioni i tij të kryhet me sukses. Çelësi i këtij sekreti sipas mendimit tim qëndron në ajetin kur’anorë ku thuhet: “Ne nuk të dërguam ty përpos se mëshirë për të gjithë botët” (Enbija/ 107) Pra, këtu në këtë ajet qëndron suksesi dhe shëmbëlltyra e tij drejt zbutjes dhe përfitimit të zemrave të njerëzve. Ku s’do mend se ardhja e tij bëri që çdo gjë në mesin e njerëzve të marr kuptim tjetër, vet karakteri njerëzor të pasurhej me një veti të cilën disa shekuj me radhë e kishte të humbur. Me ardhjen e Muhammedit a.s. mëngjeset dhe mbrëmjet ndërruan ngjyrë, ndjenjat fituan thellësi, fjalët, bisedat, shijet fituan gjerësi. Çdo gjë filloi të marrë frymë ndryshe nga ajo më parë. Shpërtheu mëshira e Allahut mbi gjithësinë përmes së cilës njerëzimi kuptoi se njeriu për njeriun nuk është ujk, por mik, dost e vëlla që ndihmojnë njëri tjetrin në raste nevoje dhe rreziku. Sjellja e butë dhe shembullore tij ndikoi jashtë mase në zbutjen dhe përmirësimin e të gjitha atyre padrejtësive të cilat ekzistonin në atë kohë në mjedisin në të cilin e filloi misionin e tij. Tregohet një rast kur Ebu Xhehli kishte sulmuar dhe fyer haptas Muhammedin a.s. Hamza mixha i pejgamberit a.s. ishte mbrojtësi i tij edhe pse akoma nuk kishte pranuar islamin. Në kthim e sipër nga gjuetia mori vesh se çi kishte ndodhur nipit të tij dhe u drejtua atje ku ishte Ebu Xhehli të cilit i bie me harkun e tij dhe i tërheq vërejtjen që një gjë e tillë mos ndodh edhe një herë. Më pas shkon pranë Muhammedi a.s. dhe i thotë se: duhet të jesh i gëzuar se e mora hakun tënd: Pejgamberi a.s. tha: Unë nuk kam punë me shpagime! Unë qetësohem dhe ngel i kënaqur po qese ti pranon islamin.” Gjë që ky rast u bë shkas i përfitimit në islam edhe i një zemre trime dhe guximtare sikur që ishte ajo e Hamzait. Shkurt thënë sekreti i sukseseve të tija qëndron në edukatën e marrë nga Allahu xh.sh., në moralin e tij, dhembshurinë, butësinë, ndjeshmërinë, përkushtimin, modestinë dhe shumë virtyte të larta të cilat u bënë shkas i kthesave të mëdha në rrugë të mbarë islame për shumë njerëz që nuk ishin pjesë e këtij koncepti dhe vizioni të qartë islam. b) Çka i mësoi botës Muhammedi a.s. Mësimet dhe këshillat që i dha botës mbarë Muhammedi a.s. në radhë të parë ishin urtësitë kur’anore që përmes Xhibrilit i këmbeheshin atij. Me ardhjen e tij çdo një send u pasurua me kuptime dhe domethënie të reja për të cilat bota nuk kishte dëgjuar më parë. Ai i mësoi njerëzimit që në vend të luftës të zgjedhin paqen, në vend të urrejtjes dashurinë, në vend të dhunës tolerancën, në vend të errësirës dritën, në vend të padrejtësisë drejtësinë. A nuk i mësoi botës që mos prekin me pa të drejtë mallin e jetimit?! A nuk i tregoi botës se të gjithë njerëzit pa dallim ngjyre, kombi, shteti janë të barabartë (ndërsa botës i duheshin plot 14 shekuj të kuptonte një parim dhe vlerë të islamit që i solli Muhammedi a.s., gjë për të cilën akoma nuk besoj se bota e ka të qartë dhe e pranon si të tillë) para Allahut dhe se vlera kryesore e cila njeriun e bën të dallueshëm nga të tjerët është devotshmëria-takvaja?! A nuk i mësoi njerëzimit që papastërtitë t’i zëvendësojnë me gjëra të pastra e të bukura?! A nuk preferoj për njerëzit në vend të egoizmit solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë?! A nuk ishte ai së bashku me shokët e tij që gjithmonë zgjidhnin tjetrin duke qenë nevojtarë vet për një gjë?! Ka edhe shumë çështje të ngjashme me to që në mënyrë të qartë argumentojnë kumtimin e suksesshëm të tij në këtë drejtim, i cili pa dyshim që përmes shëmbëlltyrës së tij rezultoi shumë pozitivisht dhe arriti që të depërtoj në zemrat e njerëzimit. Në personalitetin e tij nuk ka pasur vend për hakmarrje mllef dhe urrejtje. Ju kujtohet rasti kur u bë çlirimi i Mekkes dhe pasi që Muhammedi a.s. i tuboi të gjithë Mekkasit dhe ju tha se çka pritni që të ndodh tani me ju (për tradhtitë, komplotet, refuzimet, dëbimet, keqtrajtimet që i kishin bërë ata plot 13 vjet me radhë)? Ata thane ti me të vërtetë je një vëlla fisnik dhe njeri i drejtë. Në çastet kur dikush priste ndonjë vendim dënimi apo të ngjashme me të i dashuri i Allahut ju tha se: sot unë do të sillem sikur Jusufi a.s. që u soll me vëllezërit e tij dhe lexoi ajetin kur’anor ku thuhet: “Sot nuk ka qortim (investigim, marrje në pyetje, hapje të dosjeve nga e kaluara)! Allahu ju faltë! Ai është më mëshiruesi i mëshiruesve.” (Jusuf/ 92) Ja ky ishte personaliteti dhe morali më i përkryer njerëzorë të cilit edhe melekët i mahniteshin për veprimet që ndërmerrte në lidhje me marrëdhëniet dhe takimet me njerëzit. Elokuenca, falja, devotshmëria, përshpirtshmëria, bujaria, butësia dhe mëshira e tij ishin dhe do jenë burime të pashtershme për një shëmbëlltyrë të përkryer nga e cila mund të përfitoj njerëzimi. c) Cili qe vizioni i Muhammedit a.s. Muhammedi a.s. ishte vizionari më i madh në drejtim të formimit të një shoqërie me kualitete dhe vlera kur’anore. Në fillim kur përmendëm për sukseset e njerëzve të mëdhenj apo liderëve të cilët i ka njohur bota mbarë thamë se kriter i këtij epiteti ka qenë suksesi dhe përparimin që e kanë bërë ata. Mirëpo të jesh lider nuk do të thotë që të jesh vizionar dhe përgatitës i një ardhmërie të shëndoshë. Ja mu këtu dallon personaliteti dhe shëmbëlltyra e Muhammedit a.s., ngase ai qe profeti që arriti në një shoqëri të degjeneruar sikur që ishte Gadishulli Arabik para islamit, të nxjerrë dhe kultivoi njerëz prej egoisti në altruist të vërtetë. Por ka edhe diçka që dallon liderët e thjeshtë nga lidershipi që posedonte Muhammedi a.s. të gjithë liderët bëjnë përpjekje që vet ata të jenë pika më kulmore e arritjeve dhe sukseseve të një vendi duke mos mbajtur llogari që këto vlera të vazhdojnë edhe pas tij, dhe secili lufton që pas tij mos lërë kualitete apo njerëz të vyeshëm, bile edhe duke i likuiduar ata më të aftit për hir të asaj që mos jenë pengesë e ngritjes personale të tij. Kurse Muhammedi a.s. është i vetmi në këtë drejtim që dallon dhe i cili pa kurrfarë egoizmi në radhë të parë ju lut Allahut xh.sh. që për hir të ngritjes dhe lartësimit të islamit të udhëzoj njërin prej armiqve të tij më të mëdhenj qoftë Omer ibën Hishamin (të njohur si Ebu Xhehl) apo Omer ibën Hatabin (i cili më vonë edhe pranoi islamin si rezultat i lutjes së Muhammedit a.s.). Muhammedi a.s. posedonte dhe arriti që të vërtetoj kualitetet e tija të larta si një pedagog dhe edukues i shkëlqyer, kjo u pa ngase ai arriti që prej një shoqërie sikur që ishte populli i arab të kultivoj dhe edukoj me mijëra njerëz të cilët para se të pranonin islamin ishin anonimët më të mëdhenj apo edhe nëse posedonin ndonjë aftësi e kishin të prirur vetëm për gjëra të liga dhe padrejtësi, ndërsa me kalimin e tyre në islam ishin të gatshëm që me përgjegjësitë më të mëdha të bartnin dhe çonin përpara shoqëritë në të cilat ishin të caktuar si mëkëmbës apo thirrës të islamit. Ja mu në saje të kësaj edukate dhe arsimi u ngritën dhe u formuan personalitete sikur Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Halid ibën Velidi, Musa’b b. Numejri, S’ad b. Ebi Vekkasi, e të ngjashëm me to. Arriti që jo vetëm ti bind që t’iu largohen vetive të tilla negative por që me pasionin më të lartë të përqafojnë ato vlera islame në saje të të cilave trasuan rrugën e Muhammedit a.s. plot 14 shekuj dhe vazhdojnë që dita ditës të shtojnë numrin e dashamirësve të islamit dhe të shembëlltyrës së tij. Po qese karshi të gjitha këtyreve bëjmë një vlerësim gjendjeje, mund të themi se i tërë ky ndryshim mendimesh, qëndrimesh, shprehish dhe veprimesh kërkon bindshmëri dhe argumente të fuqishme. Pasi që, për të larguar dikë nga një shprehi e vogël sikur edhe pirja e duhanit kërkon përpjekje dhe luftë të madhe. Bile për largimin nga kjo shprehi sot në botë janë të formuara institucione dhe qendra terapeutike, në të cilat janë të angazhuar mjek, psikolog dhe shumë shkencëtarë por përsëri sukseset janë shumë të vogla. Mirëpo Pejgamberi ynë arriti që brenda një periudhe shumë të shkurtër njëzet vjeçare që jo vetëm të ndryshoj disa veti dhe shprehi të këqija të cilat ju qarkullonin nëpër damarët e gjakut të tyre, por ndaj kësaj arriti që nga këta tipa të kultivoj dhe edukoj brez të shëndosh dhe me virtyte të larta islame, moral të shëndoshë, njerëz udhëheqës dhe bartës të misionit sikur që ishte da’veja në rrugë të Allahut. Pra vëllezër dhe motra rruga e arritjes së sukseseve të ngjashme bëhet vetëm përmes ndjekjes dhe pasimit të rrugës së tij. Arrihet vetëm përmes përqafimit dhe pajisjes sonë me urtësitë dhe këshillat kur’anore dhe të hadithit të më të dashurit të Allahut xh.sh. Muhammed Mustafas (s.a.v.s). ç) Misioni i Muhammedit a.s. Vet ai thoshte se: “Jam i dërguar që të plotësoj vetitë e larta të moralit” Ky Hadith në fakt vërteton njërin ndër obligimet më të rëndësishme të Resulullahit atë të edukuesit, pedagogut dhe mësuesit të vërtetë të mbarë njerëzimit. Këtë më së miri e vërejmë në Kur’anin famëlartë ku ceket: “Dërguam një pejgamber nga gjiri i juaj që: ju lexon ajetet tona, ju bën të pastërt juve, ju mëson librin dhe urtësinë si dhe t’ju mësojë atë që nuk dini” (Bekare/ 151) Mësues i cili nuk do ju mësoj vetëm besimin dhe të largohet nga ju por misioni i tij është që në radhë të parë duke i aplikuar vetë detyrimet nga Allahu t’ju mësoj edhe juve nënshtrimin e vërtetë dhe detyrimet që dalin si rezultat i po këtij nënshtrimi. Misioni i tij profetik në këtë botë zgjati plot 23 vjet, gjatë të cilit pa kurrfarë pushimi dhe lodhjeje me tërë potencialin dhe aftësitë e veta u vu në shërbim të njerëzimit, ku ditë-natë, verë-dimër, në shtëpi-në xhami, në familje-në shoqëri, në paqe-në luftë, në ditë të liga-në ditë të mira, në ditë bollëku-dhe në momente të skamjes pa ndërprerë ishte në shërbim të lartësimit të Islamit si rrugë e vetme që njerëzimit ju siguron të mira në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë mision pa dyshim që u ballafaqua me pengesa të natyrave të ndryshme të cilat jo që nuk e ndalën hovin e misionit të tij, por në të kundërtën u bënë shkas që të bëhet edhe më i vendosur dhe më përpjekës në këtë rrugë. Ka përjetuar sprova nga më të ndryshmet në këtë nga populli të cilit i drejtohej për të besuar Allahun Një dhe Muhammedin si të dërguar të tij. Njëra mes tyre qe edhe misioni në Taif një qytezë afër Mekkes, por le që ai popull atje nuk e pranoi ftesën e tij por edhe e gjuajtën me gurë dhe e dëbuan nga atje, deri sa ai largohej nga ai vend Allahu e dërgon Xhibrilin dhe i thotë se a dëshiron që ta shemb të tërin nga faqja e dheut dhe se a është i hidhëruar ai për këtë që i ka ndodhur, mirëpo në këto raste sprovash shihen edhe kualitetet e një thirrësi të sinqertë. Muhammedi a.s. iu përgjigj: “Falua atyre se ata nuk dinë. Nëse Ti nuk je i hidhëruar në mua unë aspak nuk i varë veshin asaj që ndodhi atje.” Durimi dhe butësia ishin cilësitë të cilat i mundësuan suksesin dhe përparimin e tij në këtë mision të shenjtë. Gjë që rezultoi me përfundime pozitive dhe ku dita ditës shtohej numri i atyre që përqafuan Islamin dhe Pejgamberin a.s. Të gjithë e dimë se Mekka është një vend me tokë të thatë dhe jo pjellore, Mushrikët për të sprovuar Muhammedin a.s. në këtë drejtim i bënë një kërkesë duke i thënë që nëse këto vise të thata të shkretëtirës do ti shndërronte në tokë pjellore dhe nëse i zbutë kodrinat përreth në vise të bereqetshme ata do të pranonin Islamin dhe do t’i besonin thirrjes së tij. Përgjigja e tij vëllezër e motra ka qenë se, unë nuk jam i dërguar që të zbus malet, kodrinat dhe shkretëtirën e këtij vendi për ti shndërruar në tokë pjellore dhe të frytshme, por kam ardhur që të zbus zemrat tuaja. Kam ardhur me misionin që çdo gjë të ngurtë dhe të fortë si guri që keni në zemër me mëshirën e Allahut ta bëj si tokë pjellore e cila do të jep fryte të bollshme dhe të këndshme për ju. Dhe me të vërtetë ai arriti që në saje të Kur’anit famëlartë mentalitetin e tyre të bazuar në jo arsyeshmëri ta zëvendësoj me një të arsyeshëm dhe të logjikshëm, botëkuptimet e tyre ti ndërroj rrënjësisht, qëndrimet e tyre ti bazoj në normat e Kur’anit dhe hadithit të tij. Ky ishte pa mëdyshje edhe suksesi të cilin arriti ta realizoj gjatë këtij misioni të shenjtë hyjnorë. d) Morali dhe virtytet e Muhammedit a.s. Resulullahu është shquar me norma të përsosura moralo-etike, të cilat rëndë të përshkruhen me fjalë. Për këtë dëshmon ndikimi i tij tek njerëzit, zemrat e të cilëve flakëronin për ta respektuar dhe nderuar. Ata që kanë jetuar dhe që e kanë mbëritur atë e kanë dashur gjer në kufijtë e mahnitjes dhe si të tillë as që kanë kursyer asgjë nga vetvetja për të qenë pran tij. Ka qenë pronar i moralit më të lartë njerëzor gjë për të cilën argumenton vet Kur’ani famëlartë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (Kalem/ 4) Ishte në shkallën më të lartë të moralit ngase gjithnjë fjala e tij përputhej me veprimin që kryente, vendosmëria e tij ishte burim kryesor që edhe ata përreth tij të shijojnë kënaqësitë e islamit me plot sinqeritet dhe vendosmëri. Kur e kanë pyetur Aishen r.a. se cili ishte morali i tij, është përgjigjur: “Morali i tij ishte vet Kur’ani famëlartë.” Ishte i tillë ngase gjithnjë respektonte të afërmit, vraponte në ndihmë të të vobektëve, miqësoheshte me të varfrit dhe me njerëz që nuk ishin arab për të dëshmuar edhe më fuqishëm veçoritë të cilave Allahu ju jep më shumë rëndësi tek njerëzit, i nderonte miqtë dhe i ndihmonte nevojtarët, pa ndërpre interesohej dhe një pjesë të kohës ua përkushtonte fëmijëve duke i parë kërkesat dhe duke e larguar brengën dhe lotin nga sytë e tyre. Në një rast derisa disa fëmijë loznin në çifte dhe secili nga ata lëvdonte prindin e vet Muhammedi a.s. vërejti se njëri nga ata ishte i vetmuar dhe në pikëllim, iu afrua pranë dhe e pyeti se pse edhe ai nuk iu bashkëngjitet shokëve në lozje? Ai u përgjigj se unë nuk kam baba ngase ai më ka rënë shehid në një luftë dhe nuk kam ndonjë vëlla me të cilin do kisha lozur! Pejgamberi a.s. i prekur nga kjo situatë por duke mos lejuar që ky pikëllim mos e kaploi tërësisht jetën e fëmiut, iu drejtua duke i thënë se: a do kishe dashur që vëllai yt të jetë Hasani e të lozni bashkë me të? Fëmiju priti me gëzim këtë ofertë dhe mundësi që ia dha Muhammedi a.s. i cili më së miri se gjithkush dinte të ndalte lotët e jetimëve dhe t’ju afroj dashurinë e sinqertë në saje të së cilës ata ngelnin të lumtur. Ai është një trëndafil që nuk e ka shembullin, i cili nuk din të vyshket asnjëherë, gjithnjë është i freskët dhe përplot me aromë të këndshme për ata që preferojnë që të gjitha ato aroma të pa këndshme t’i zëvendësojnë me atë të trëndafilit. Ai që di të dalloj mirë aromat e këndshme me siguri që e dashuron dhe e respekton atë, sikur që e dashuronin dhe respektonin as’habët e tij që ishin në gjendje të bënin çmos vetëm e vetëm të jenë pran tij. Mu për këtë arsye koha duke u plakur ai ripërtërihet, pas çdo shekulli të kaluar në krahasim me shekujt dhe gjeneratat më parë, sot atë e njohin më mirë, e perceptojnë atë ashtu siç e përshkruan Kur’ani i lavdishëm. Jetëshkrimi i Resulullahut gjithmonë do të jetë pikëvrojtim historik, burim i pa shterur, nga i cili do të inspirohen gjenerata të tëra, kureshtarë të etshëm, të cilët janë trashëgimtarë të pejgamberisë. Nga burimi i Muhammedit a.s.njerëzit shuan etjen, nga kopshti i tij trëndafilash ata volën frute dhe lule aromatike. Me të cilat kanë ushqyer veten dhe u kanë mundësuar që edhe të tjerët të shijojnë këto aroma të këndshme të lulishtes së Muhammedit a.s. Historia gjer tani nuk njeh ndonjë personalitet si Resulullahi i cili ka pasur durim në fatkeqësi, qëndrueshmëri në drejtësi, ka qenë fortë me karakter. Askush nuk ka qenë më i mëshirshëm, më zemërgjerë dhe më i arsyeshëm se ai, më human se ai më tolerant se ai. Ne do ta kuptojmë Muhammedin a.s. aq sa jemi me te, aq sa e pranojmë atë dhe aq sa dëshirojmë ta kuptojmë atë. Nëse ndalemi diku edhe ai ndalet, nëse vazhdojmë edhe ai vazhdon, atë çka e kemi zbatuar ndaj tij edhe ai e ka plotësuar ndaj nesh. Nëse arrijmë që të përqafojmë të gjitha ato vlera dhe at dritë të cilën na e solli Muhammedi a.s.për të cilën bota mbarë është e përmalluar, s’do mend se do të ndriçohen të gjitha ato errësira që na kanë rrethuar dhe të cilat kanë kapluar zemrat tona, një ditë do të ndriçohen me dritën e pishtarit ndriçues të Muhammedti a.s.; Si dhe ashtu sikur që fluturat vrapojnë pas dritës, i mbarë njerëzimi do të vrapoj drejt dritës së pashuar dhe të vërtetë. Do të vrapojmë drejt asaj drite e cila do të ndriçoj zemrat e mbarë njerëzimit. Vëllezër dhe motra ja ky është pejgamberi im, ky është profet i cili flijoi çdo gjë nga vetja me qëllim që të ngritet dhe valoj flamuri islam, të valoj dhe të jetë prezent edhe në ditët e sotme në të cilat neve jemi duke jetuar.
|





